Arte & Media

Omer Kaleshi, artisti dhe “identitetet vrastare” - Nga Luan Rama

 Luan Rama - Paris

Omer Kaleshi nderohet nga Ministria franceze e Kulturës "Kalorës i Arteve dhe Letrave" - Tetor, 2021

Para shumë vitesh në një takim mes miqsh në Paris, Omeri u njoh me shkrimtarin Amin Maalouf me të cilin, që atëherë, rastësia e solli të mos e takonte më. Por shpesh, janë librat që na pikëtakojnë me autorët e tyre. Një ditë, Omeri më thirri në atelierin e tij për të parë serinë e fundit me trembëdhjetë tablo “Koka, trungje dhe eros”, që ai sapo e kishte përfunduar. Diçka e guximshme rreth erotikës njerëzore nën petkun e pemëve dhe trungjeve.

Kur shkova në atelierin e tij, e gjeta me një libër në dorë, Les identités meurtrières (“Identitete vrastare”), që sapo e kishte përfunduar së lexuari, i përkthyer tashmë dhe në shqip. Ishte një libër që, pa dyshim, i fliste shumë edhe për jetën dhe identitetin e tij. Në të, ashtu si dhe unë që prej tridhjetë vjetësh jetoja në Paris, ai gjente vetveten. I thashë se para pak javësh, në një shkrim në Facebook, krahas tablove të tij dhe një artikulli të shkurtër, kisha shkruar se Omeri ishte një piktor turk me origjinë shqiptare. Sigurisht, shtoja se ai, në fakt, ishte një piktor ballkanik dhe europian gjithashtu.

Por rreth shkrimit pati shënime të shumta, të nxehta, shpesh të një natyre nacionaliste, pasi mjaftoi fjala “turk” që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ta quanin piktor kërçovar; po kështu shpreheshin edhe emigrantët kërçovarë të Çikagos. Turqit e konsideronin si piktor turk, kosovarët dhe shqiptarët si piktor shqiptar etj. Një debat me reagime të forta, aq sa m’u duk e kotë të vazhdoja shpjegimet rreth identitetit të tij, rreth problemeve antropologjike të artistit, si dhe marrëdhëniet e tij me të kaluarën, artin dhe botën. Kur ia tregova këto Omerit, ai mblodhi buzët i trishtuar dhe tha: “Kështu ka qenë gjithnjë!”.

Sigurisht, nuk ishte hera e parë që hapej ky debat. Çdo vend që lidhej me veprimtarinë dhe krijimtarinë e tij, kërkonte që artistin ta bënte pjesëtar vetëm të komunitetit të vet, duke ua mohuar këtë të tjerëve. Më kujtohet një intervistë e tij, shumë vite më parë, me një gazetare në Shkup, e cila disa herë këmbënguli që ai të përcaktonte origjinën e tij: shqiptar apo maqedonas… Omeri ishte mërzitur dhe ashtu i revoltuar i kishte thënë: “Fëmijërinë dhe rininë e kalova në Kërçovë dhe në Shkup. Më pas emigrova në Stamboll bashkë me familjen, ku mbarova studimet në Akademinë e Arteve të Bukura. Më pas shkova në Paris, ku prej pesëdhjetë vjetësh jetoj e krijoj atje. Atëherë, ç’mund të them tjetër?”.

Në fakt, gazetares do t’i kishte pëlqyer që Omeri të thoshte se ishte piktor shqiptar! Me kalimin e viteve, shpesh kjo pyetje risillej gjatë bisedave të tij me miq të rinj: “Je shqiptar? Maqedonas? Turk?”. Interesante ishte se edhe Amin Malouf, i cili kishte jetuar në Liban deri në moshën njëzeteshtatëvjeçare, më pas njëzet e tre vjet i kishte kaluar në Francë. Ishte arabfolës dhe frankofon. Edhe atë, gazetarë apo lexues që e takonin në mjedise të ndryshme, e pyesnin rreth identitetit të tij: “Libanez? Francez? Arab?”. Ose: “Je më shumë libanez apo më shumë francez?”, e të tjera pyetje si këto. Dhe ai mandej pyeste veten: “Si mund të ndahesha nga njëra apo tjetra anë e identitetit tim?”.

E kështu, pas shumë pyetjeve, më në fund ai e dha përgjigjen e tij në faqet e një libri: shkroi esenë “Identitetet vrastare”, ku përshkroi përkatësinë e tij, jetën në dy komunitete, dy gjuhë, dy kultura dhe dy botë religjioze, si i krishterë që ishte, por dhe si fqinj e bashkëjetues me arabët myslimanë. “Identiteti, - shkruan në këtë libër akademiku i Akademisë Franceze Amin Maalouf, - nuk është një përkatësi që të jepet vetëm një herë në jetën tënde, por ai rindërtohet dhe ndryshon gjatë gjithë ekzistencës.” Madje ai përmend edhe identitetin e shqiptarit Mehmet Ali Pasha të Egjiptit dhe ndryshimin e identitetit të tij.

Pa dyshim identitetet nuk janë të ngurta, ato ndryshojnë, kultura të tjera ndërhyjnë, kalohen eksperienca të tjera jetësore, siç ndodhi me emigrantët e Europës në kohën kur po ndërtohej shoqëria amerikane në anën tjetër të Atlantikut, ku origjina, historia e tyre e mëparshme u shoqërua me identitetin e ri të një shoqërie të re; siç ndodhi, në fakt, edhe me shqiptarët e Amerikës, që zbarkuan atje në vitet e para të shekullit XX. 

Duke iu kthyer Omerit, konstatojmë se ai është një përzierje gjuhësh, historish, përjetimesh. Gjuhësh sepse, përveç shqipes që flitej në shtëpinë e tij apo në fshatin e tij, nëna shpesh fliste dhe maqedonisht, gjuhën e nënës së saj, e një tjetër populli, një tjetër identiteti. Më vonë, si gjuhë e tretë për Omerin erdhi turqishtja, që e mësoi në emigracion bashkë me familjen e tij. E më pas hyri frëngjishtja, të cilën e ka folur tashmë mbi gjashtëdhjetë vjet.

Kështu, kulturat ndërhynë në identitetin e tij: ajo shqiptare, maqedonase, turke dhe ajo franceze. Themi piktor turk, edhe pse arti i tij është i lidhur me studimet pikturale në Stamboll. Një pjesë e mirë e ekspozitave të tij janë hapur në Stamboll dhe Turqia përbën një treg të rëndësishëm të tablove të tij. Por në pikturën e tij është dhe bota shqiptare, portretet dhe kësulat e tyre, është dhe ndikimi i Goya-s, Rembrandt-it…

Gjatë jetës së tij, Omeri veç është pasuruar nga këto shtegtime fizike, psikike, kulturore, gjuhësore, historike. Ai ka jetuar dhe jeton midis shumë historish dhe territoresh, midis shumë identiteteve. I ati i tij ishte hoxhë dhe kur Omeri nisi të pikturonte tablotë e tij, të atit nuk i erdhi mirë që i biri pikturonte fytyra njerëzore, pasi aktin e pikturimit të fytyrës e shihte si një lloj mëkati ndaj Zotit të tij.

Pikërisht kjo përzierje identitetesh, gjuhësh, kulturash e historish e kanë bërë atë një shembull të tolerancës, për ta parë fqinjin e identitetit tjetër të ngjashëm me të. Pra, të ketë një tjetër mendim për Tjetrin, në një kohë që çështjet e identitetit janë bërë tepër të ndjeshme në ditët tona. Ja pse ai ndien të njëjtat emocione kur pikturon dervishët e tij, ashtu siç adhuron dhe tablotë e piktorëve të Rilindjes europiane, artin e katedraleve etj., ashtu siç dhe “koka e prerë” e Gjon Pagëzorit në një ikonë qëndron në muret e atelierit të tij. Madje tek ai duket se përkatësia e identitetit të tij zhduket përballë artit dhe njeriut. Të ngjan se ky artist reflekton njëherësh brenda tij disa identitete të pazgjidhshme mes tyre. Ja pse atij i pëlqen më shumë termi apo përcaktimi “piktor ballkanik dhe europian”. Dhe kjo është më se e vërtetë.

Në kohën e sotme identitetet bëhen vrastare kur nacionalistët e një komuniteti kërkojnë të dominojnë mbi komunitetet e tjera përmes racizmit, dhunës, urrejtjes e deri te shfarosjet etnike, çka ne ishim dëshmitarë të luftrave në Ballkan në vitet 1990 me gjenocidet e shfarosjet në Bosnjë dhe në Kosovë.

Në fund të librit të tij Amin Maalouf “imagjinon se shumë e shumë vite më vonë, një ditë, nipi i tij i vogël do të zbulojë në ndonjë bibliotekë librin e tij ‘Identitetet vrastare’ dhe do të ngrejë supet me habi se si në kohën e gjyshit të tij njerëzit merreshin me çështje të tilla…” Një shpresë e bukur pa dyshim, por a do të arrijmë dot që pas dy dhe tri gjeneratash këto identitete të mos jenë vrastare, aq më tepër që, me ndryshimet klimatike, zhvendosjet e popullsive do të jenë edhe më të mëdha? Ç’do të ndodhë, vallë? Do të përplasen këto identitete, apo shoqëritë moderne do të arrijnë të gjejnë mekanizmat për t’i parandaluar këto përplasje “vrastare”?

Pa dyshim që veçse në regjime demokratike, të respektit të të drejtave të njeriut dhe të dinjitetit njerëzor, mund të arrijmë në tolerancën më të madhe, në atë siç e përjetojnë aktualisht studentët e Programit “Erasmus” të Europës së Bashkuar, të cilët lëvizin nëpër Europë duke e konsideruar atë si shtëpinë e tyre, një hapësirë pa kufij me njëri-tjetrin, por, sigurisht, pa e harruar përkatësinë historike të tyre.

Erasmusi nuk është thjesht një figurë simbolike e së kaluarës, por një ide e madhe që pikëtakoi Viktor Hygonë e shekullin XIX dhe Zhan Mone të shekullit XX. Sot, e ardhmja jonë është pa dyshim në dorën e humanistëve.

Gjenerata më vonë, publiku që do të jetë përballë tablove të Omerit në një muze të Tiranës, të Stambollit, të Shkupit, të Prishtinës apo të Parisit, nuk do të pyesë rreth përkatësisë si identitetit familjar dhe rrugëtimin e artistit, por së pari do të ndeshet me identitetin e tij si artist. Do të shohë personazhet e tij dhe botën njerëzore që piktori ka ofruar me artin e vet.

©Luan Rama