Arte & Media

Mbledhja e informacionit dhe raportimi i lajmit në epokën e Web-it - Nga Erget Cenolli

Erget Cenolli

Marrja dhe përcjellja e informacionit, për individin, për një komunitet të ngushtë apo për një publik të gjerë, kanë qenë qysh herët një domosdoshmëri për njeriun, të përafërta me ushqimin dhe gjësende të tjera të nevojshme e jetësore. Burimet e marrjes dhe mjetet e shpërndarjes kanë ndryshuar vazhdimisht duke kaluar nëpër shkallë dhe formate të ndryshme, por maji i 25 viteve më parë, kur një gazetë lokale amerikane, “San Jose Mercury News”, nxorri variantin e vet elektronik,ka qenë një hap i madh në digjitalizimin e informimit. Vetë drejtori i kësaj gazete, Robert Ingle, nuk ishte edhe aq optimist për vazhdimësinë e këtij version kur theksonte: “Nuk ma do mendja se një njeri me mend do ta përdorë këtë në vend të gazetës prej letre”, por pandehma e tij nuk doli e sakte.

Qysh atëhere, rruga nga marrja tek shpërndarja e lajmit filloi të lehtësohet mjaft, sidomos në fundin e shekullit të 20-të dhe fillimin e shekullit të 21-të, kur në përdorim hyri gjërësisht Interneti. Me daljen e Web-it (pra një hapësire në Internet e cila përdoret për të publikuar lajme, opinione, analiza etj.) filloi krijimi i websajteve informativë, të cilët i dhanë një hop të madh raportimit të lajmit. Web-i filloi të zbehte në një masë të madhe marrjen e informacionit nëpërmjet shtypit të printuar dhe formave të tjera tradicionale. Ai shkurtoi rrugën nga gazetari tek lexuesi. Për këtë arsye redaksitë filluan të ishin me një personel të zvogëluar në minimum, duke bërë të panevojshme shumë hallka të kalimit dhe shpërndarjes së informimit. Për këtë shkak vendet e punës në qendrat e fuqishme të informacionit filluan të shkurtohen me shpejtësi. Kështu p.sh. në vitin 2009, që mbahet edhe si vit i fillimit të shpërthimit të websajteve, Associated Press, shkurtoi 10 % të masës prej 4100 gazetarësh e punonjësish të tjerë.

Mënyrat tradicionale të rrëfimit të lajmit ranë, duke pësuar ndryshime rrënjësore. Të tregosh një ngjarje online ishte pak më e thjeshtë dhe me më pak fjalë se në shtypin e printuar. “Bëje të thjeshtë dhe të rëndomtë,” këshillon Rikardo Staliano, në librin e tij “Të merresh me informacion në kohën e internetit”. Tashmë nuk ishte redaktori apo politika e pronarit të gazetës ajo që përcaktonte se cilat lajme ishin të denja për publikun, por gazetarë të veçantë dhe shpesh edhe vetë publiku e bënte këtë nëpërmjet sajteve dhe forumeve të ndryshme online. Kritiku i medieve, Xhon Katz theksonte:“Përdoruesit e medieve të reja po e përdorin rrjetin si një lloj shpronësimi proletar të autoritetit kulturor të medieve tradicionale, duke sfiduar të drejtën e tyre ekskluzive për të përcaktuar se cilat lajme do të jenë të denja për publikun”.

Gazetarët shqpitarë, sidomos ata të terrenit, deri në daljen në masë të websajteve, kanë vuajtur shumë në gjetjen dhe sidomos në publikimin e informacionit. Shkaku ka qenë ajo që thamë më lart, pra politika e një gazete të caktuar e cila varej nga pronari i saj, që në më të shumtën e rasteve s’kishte të bënte fare me gazetarinë. Raporti, i cili ishte qëmtuar me mundim në terren, shpesh bëhej zero duke kaluar nëpër filtrat e redaksisë nga redaktori, te redaktori përgjegjës e mandej tek kryeredaktori.

Fjalëkalimi apo shmangia e filtrave

Në një sajt informativ problemi thjeshtëzohet tërësisht. Raportuesi i websajtit ka në dorë një fjalëkalim, me anë të të clit mund ta raportojë lajmin në çdo kohë direkt nga vendi i ngjarjes ose porsa bie në gjurmë të tij, pa u druajtur se dikush do t’ia korrektojë apo më keq se do t’ia hedhë në kosh me lloj lloj arsyesh të paarsyeshme. Në këtë mënyrë raportuesi vendos vetë për vlerën publike të lajmit a raportit. Përparësia është se në Web, raporti nuk kërkon fjalë të tepërta. Një lajm që në gazetën e printuar do të kërkonte 40 a 50-të fjalë në Web nuk kërkon më tepër se 10-12 fjalë. “Të shkruash me fjalë të tepërta apo të përdorësh figuracion në lajmin e Web-it, është aq e pazakontë sa hyrja e priftit në shtëpinë publike,” thotë Staliano në librin që cituam.

Burimet e informacionit

Është e qartë se burimi kryesor për informacionin, ashtu si edhe në shtypin e printuar, është prania e gazetarit në vendngjarje. Vëzhgimi i drejtpërdrejtë i bën informacionet më të besueshëm për publikun lexues, i cili në Web është ku e ku më i gjerë se ai i shtypit të printuar. Duke vëzhguar drejt për drejt në në terren, gazetari do të arrijë ta pasqyrojë lajmin në mënyrë të plotë.

Burimi i dytë janë rrjetet sociale. Në statuset e shkruara, fotot dhe videot e hedhura në këto rrjete, gazetari mund të gjejë shumë shpesh fillesën e një lajmi apo të një shkrimi problemor.

Në paraqitjen e lajmit në websajt gazetari duhet të jetë shumë më i përgjegjshëm dhe më skrupuloz se më pare, për arsyen se ndodhia është parë e vëzhguar nga shumë sy, që mund të jenë njerëz kureshtarë apo kalimtarë të rastit. Secili prej këtyre mund të ketë akses në internet dhe nëpërmjet një shënimi të shkurtër apo edhe pamjeve mund të përmbysë apo përgënjeshtrojë vërtetësinë e lajmit. Së dyti, vetë gazetari është redaktor dhe kryeredaktor, kështu që nuk ka asnjë mënyrë për t’u justifikuar nëse dikush tjetër ka future duart në lajmin e tij.

A do të na çojnë ndryshimet sasiore në ndryshime cilësore?

Dy a tre vitet e fundit, websajti ka marrë përmasat e një mode. Çdo gazetar apo opinionist ka një sajtin e vet në internet. Mendohet se në Shqipëri shpërndajnë lajme, analiza e opinione rreth 750 sajte. Në këtë mënyrë, për një lajm ka shumë më tepër sy e vesh se më parë. Nevoja për mbijetesë e këtyre websajteve, ka bërë që shpesh herë të kalohen kufijtë e etikës profesionale dhe etikës sociale në përgjithësi. Lajmi shpërndahet aq me shpejtësi dhe aq gjerësi, sa më pas është e zorshme të dallosh burimin real nga ai i stisur. Më optimistët thonë se, me kalimin e kohës diletantët do të shoshiten dhe në treg do të mbeten vetëm profesionistët. Ana tjetër e vështirë e problemit tek faqet shqiptare, qëndron tek burimet e financimit, pasi Google që është një prej burimeve kryesore të të ardhurave të websajteve ende nuk e njeh gjuhën shqipe si gjuhë që mund të financohet, në këtë aspekt, iu takon institucioneve shtetërore dhe organizmave të tjera të shoqërisë civile të punojnë të bëjnë të mundur njohjen nga Google.

Nga përvoja personale drejt përgjithësimit

Në gusht të vitit 2009, personalisht ndërmora nismën për hapjen e një websajti informativ të emërtuar korcanews. Qysh atëherë e deri më sot, kam vazhduar edhe me websajte të tjerë të përcjell informacionin oline, duke krijuar një përvojë të mirë në këtë fushë. Puna me websajtet më ka dhënë kënaqësinë e profesionit të zhvilluar nga një këndvështrim dhe këndpërdorim tjetër në anën formale, ndërsa në anë të përmbajtjes, gazetaria online kërkon angazhim të njëjtë me atë të gazetërisë së printuar. Lajmi duhet gjurmuar dhe problemi duhet investiguar me energji të njejta.

Gazetaria elektronike ka përparësi sidomos në arkiv, d.m.th. në burimet e ruajtura. Nëse në gazetarinë e printuar do të gërmoje në faqet e zverdhura të gazetave të shkuara apo në blloqet të cilat ke kohë që i ke mbyllur, në versionin elektronik të mjaftojnë ndonjëherë edhe disa sekonda për ta gjetur. Ana tjetër pozitive është “efekti mozaik”, pra komentet e lexuesve plotësojnë lajmin apo investigimin me të dhëna, që ty as të kishin shkuar ndër mend.

Nisur nga kjo një prej gazetarëve më të parë elektronikë, Mark Purdy thotë: “Mos ngurroni të dërgoni opinionet tuaja… Jam editorialist për mundësitë e barabarta dhe rrëmbej ide nga të gjithë”. Është e vërtetë se mënyra interaktive e të shkruarit dëmton disi anën profesionale, por nga ana tjetër hap thellësi e gjerësi të reja për problemin të cilin gazetari hulumton.

Në mbyllje dua të theksoj se, gazetaria online nëpërmjet websajteve të shumtë tani është e pranishme fuqimisht, asgjë nuk mund të kthehet më pas, ndaj edhe në këtë lëmë, duhet punuar fort për t’i dhënë kësaj gazetarie profesionalizmin e duhur. Nga kjo do të pëfitojnë të gjithë, pra edhe gazetarët, edhe vetë publiku.

©Erget Cenolli