Arte & Media

Koncerti i Tedi Papavramit dhe një histori nga koha e studimeve në SHBA - Nga Saimir Kadiu

Saimir Kadiu

25 vjet më parë, ndërsa studioja në New York University, fati më dha mundësine për të takuar njerez të profesioneve të ndryshme, disa prej të cileve kishin edhe ndikim në jetën e New York-ut. Kuptohet që nuk kisha kohe për “dashurine” për artin dhe kinemanë në përgjithësi, por mundohesha të “thithja” çdo informacion lidhur me aktivitetet kulturore në qytetin më të rëndesishëm të botës.

Një ditë një profesor i imi më foli me superlativa për një violinist të ri nga Ballkani, që kishte filluar të studionte në Julliard School, një nga shkollat më të famshme elitare të botës, për muzikën, kërcimin dhe dramaturgjinë. Motra e tij ishte profesoreshë në atë shkollë. Talenti nga Ballkani quhej Stefan Milenkoviç, një 20 vjeçar, serb nga i jati dhe me rrënjë italianë nga e ëma.

Kisha dëgjuar për këtë talent të madh që vinte nga ish-Jugosllavia. Vendi i tij kishte bërë të pamundurën për krijimin e mundësive për ta promovuar në nivelin më të lartë botëror të violinës. Milenkoviç kishte performuar që fëmijë përpara Reganit (1987) dhe Gorbaçovit (1988) në koncerte që kishin patur jehonë botërore.

Të nesërmen per t’i bere “sfide” profesorit tim si “ballkanas” që isha, i dhurova një CD të sapo dale, me muzikë të Prokofiev, interpretuar nga violinisti ynë i talentuar Tedi Papavrami (Prokofiev, Tedi Papavrami, Polish National Radio Symphony Orchestra, Antoni Wit - Violin Concertos Nos. 1 and 2 Sonata for Solo Violin).

Profesori im nuk e kuptoi qëllimin e dhuratës. Më falenderoi të nesërmen. E kishte pelqyer shumë, por e mendoi Papavramin si francez (në CD ku jepej informacion për pjesët e luajtura të Prokofiev, Papavrami përmendej si violinist francez).

“Edhe ne shqiptarët e kemi Milenkoviç-in tonë” - i thashë…I tregova historine e tij, dërgimin në Francë në kohën e Enver Hoxhës, arratisjen e familjes së tij, si dhe tragjedinë e pjesës së mbetur të familjes në Shqipëri…ku i internuan gjyshin 80-vjecar...dhe i shemben edhe shtëpinë ku kishte lindur...por Shqipërinë nuk ia shkulën dot nga zemra...

Qasja e dy regjimeve në Tirane dhe Beograd (megjithë diferencat që ekzistonin midis tyre) në ato kohëra ishte e njejtë... promovimi i talenteve të tilla për t’i përdorur më pas në shërbim të sistemit.

Tedi filloi “bashkëjetesën” me violinën qysh në moshën 4-vjecare. Talenti i tij u bë i njohur në Shqipëri shumë shpejt. Në shtator 1982, kur ai ishte vetëm 11 vjeç, falë flautistit Alain Marion, qeveria franceze i ofron një bursë studimi në Francë, ku nisi studimet pranë Conservatoire National Superieur de Musique në Paris, nën drejtimin e Pierre Amoyal (1949 -), një prej violinistëve më të mëdhenj të gjeneratës së tij.

Në vitin 1985 fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia, në 1986 fiton me unanimitet Çmimin e parë të Konservatorit të Parisit dhe në vitin 1987 merr diplomën e koncertistit në Konservatorin e Lozanës, Zvicër. Më pas ndjek perfeksionimin nën drejtimin e violinistit të shquar francez Zino Francescati (1902-1991) dhe talentit të madh të Konservatorit “Çaikovski” të Moskës, violinistes Viktoria Mullova (1959 -). Në vitin 1992 vlerësohet nga Sacem me çmimin “George Enescu” dhe në 1993 fitoi çmimin e parë dhe çmimin special të publikut në Konkursin ndërkombëtar “Sarasate” në Pamplona.

Për një profesor në New York, ajo që dëgjoi për dramen familjare të një gjeniu të tille ishte e pabesueshme. Psherëtiu dhe tha vetëm një fjalë... “Why? (“Përse?).

Sot përjetuam një koncert fantastik të Tedit... me një program të kombinuar me vepra të kompozitorëve Beethoven, Brahms dhe Franck, të shoqëruar në piano nga Philippe Bianconi.

Tedi vërtet është larguar fëmijë nga Shqiperia, por shpirtërisht është i lidhur me të. Përveç violinës, ai tashmë është “Jusuf Vrioni” junior në përkthimin e veprës së Ismail Kadaresë (ka përkthyer deri më sot 12 vepra të gjeniut tonë të letrave).

Nuk besoj që talenti serb Milenkoviç t'i jetë futur aventurës së përkthimit në frengjisht apo anglisht të veprës së Ivo Andriç apo Danilo Kishit...

Duhet të jemi shumë krenarë me Tedi Papavramin, këtë violinist dhe intelektual klasi që nderon kudo Shqipërinë.

©Saimir Kadiu