Tango - Nga Arenc Leka
Tango është një formë arti e pasur dhe komplekse që kombinon muzikën, kërcimin, poezinë dhe kulturën, një zhanër muzikor unik dhe kërcim që filloi të kultivohet nga fundi i shekullit XIX, në Amerikën e Jugut, kryesisht në Buenos Aires (Argjentinë) dhe Montevideo (Uruguaj) dhe më pas, në fillim të shekullit XX, u përhap në tërë botën Është gjithashtu një përzierje e ndikimeve të ndryshme kulturore, duke përfshirë muzikën dhe stilet e kërcimit afrikan, europian dhe vendas amerikano-jugor, ndaj dhe origjina e saktë e muzikës së Tangos është e vështirë të përcaktohet për shkak të zhvillimit të saj gjatë viteve dhe ndikimeve multikulturore. Megjithatë besohet se zanafilla është muzika e luajtur nga skllevërit afrikane në rajonin e Rio de la Plata. Me kalimin e kohës, ritmet dhe meloditë u përzjenë me muzikën evropiane të kërcimit, përfshirë polkën dhe valsin.
Tangoja fillimisht luhej në salla kërcimi dhe kafene nga muzikantë të panjohur, ndërsa më pas u bë një formë arti e sofistikuar duke u hapur rrugën kompozitorëve të mirëfilltë dhe krijimit të orkestrave të Tangos profesioniste. Midis shumë muzikantëve të njohur të Tangos përfshihen Carlos Gardel, Astor Piazzolla dhe Osvaldo Pugliese.
Sot, muzika dhe kërcimi i Tangos vazhdon të praktikohet dhe celebrohet në të gjithë botën, natyrisht me ndryshimet dhe adaptimet në kultura të ndryshme. Në thelb Tango, është një zhanër muzikor me ritëm dhe instrumente të veçantë. Ansambli tipik i Tangos përbëhet nga Bandoneon (lloj fizarmonike), kitarrë, piano, violinë dhe kontrabas.
Muzika e Tangos shquhet për ritmin e saj të sinkopuar, që krijon një ndjesi tensioni dhe në të njëjtën kohë çlirimi. Melodia shpesh është e kthjellët, shpuese dhe njëkohesisht melankolike, duke transmetuar thellësinë emocionale të teksteve, të cilët shpesh trajtojnë tema humbjeje dashurie dhe pritjeje. Struktura muzikore e Tangos bazohet në një seri frazash përsëritëse dhe ide muzikore të kombinuara në mënyra të ndryshme. Struktura e saj tipike përfshin, introduksionin, strofën, refrenin dhe harmonizimin e instrumentave.
Introduksioni përcakton llojin e muzikës që zakonisht përfshin një melodi të thjeshtë të luajtur nga një ose më shumë instrumente, shpesh me një model ostinato ritmik në sfond. Strofa është trupi kryesor i këngës dhe zakonisht përbën melodinë kryesore. Shpeshherë këndohet edhe me tekste që shprehin emocionet e këngës. Strofa mund të përsëritet disa herë me variacionet instrumentale, dinamike dhe harmonike për të krijuar një ndjenjë tensioni dhe çtensionimi njëkohësisht. Refreni zakonisht përfshin melodinë ose variacione të melodisë kryesore, të kënduar nga një kor ose këngëtar mbështetës. Shpesh refreni përdoret për të kontrastuar me strofën dhe për të dhënë një ndjesi çtensionimi nga tensioni i krijuar në strofë.
Pjesët instrumentale gjithashtu janë të zakonshme në muzikën Tango dhe ofrojnë një mundësi që muzikantët të tregojnë aftësitë dhe krijimtarinë e tyre. Këto pjesë zakonisht përfshijnë improvizime solo nga një ose më shumë instrumente, shpesh me një shoqërim ritmik ose harmonik në sfond. Në terma harmonikë, muzika Tango shpesh përdor progresione akordesh tradicionale dhe përfshin përdorimin e shpeshtë të kromatizmit dhe dizonancës, për të krijuar një ndjenjë tensionimi dhe çtensionimi. Ritmi i Tangos është gjithashtu tipik, ritëm që thekson notën e dytë dhe të katërt të masës 4/4.
Tango ka një kërcim që është ngushtësisht i lidhur me muzikën. Kërcimi është sensual dhe intim dhe kërkon një lidhje të fortë midis partnerëve. Karakterizohet nga koreografia e përsosur dhe lëvizjet dramatike, të cilat shpesh janë të improvizuara përgjatë të muzikës.
Përveç stilit tipik të Tangos “Ballo Argjentinase”, ka edhe stile të tjerë dhe variacione të Tangos që janë zhvilluar përgjatë kohës, siç janë Nuevo Tango, Milonga dhe Tango Vals. Çdo stil ka karakteristikat dhe historinë e vet të veçantë, por të gjithë kanë të përbashkët pasionin dhe intensitetin që është karakteristikë thelbësore e Tangos.
Nuevo Tango është një stil që u zhvillua në vitet '80 të shekullit XX dhe karakterizohet nga një perzierje e Tangos tradicionale me Jazz, muzikë klasike dhe muzikë elektronike. Nuevo Tango gjithashtu përmban koreografi më të larmishme dhe dinamike, duke përfshirë elementë akrobatikë dhe teatralë.
Një tjetër variant i Tangos është Milonga, që e ka origjinën në rajonin e Rio de la Plata dhe është më e shpejtë se Tango Argjentinase. Milonga kërcehet me muzikën e saj të veçantë, që gjithashtu quhet milonga dhe ka një ritëm dhe arranzhim pak më ndryshe nga Tango tradicionale.
Tango Vals, është një stil që kërcehet me ritëm valsi. U shpik në fillim të shekullit XX dhe u ndikua nga valsi shume i përhapur në atë kohë. Tango Vals karakterizohet nga lëvizjet e shpejta dhe të rrjedhshme dhe kërcimtarët në koreografinë e tyre shpesh bëjnë kthime, rrotullime dhe përkulje elegante.
Pavarësisht nëse është Tango Tradicionale Argjentinase apo Nuevo Tango, Tango mbetet një gjini kërcimi e dashur, që vazhdon të kaplojë dhe frymëzojë njerëzit në të gjithë botën.
© Arenc Leka - New York