Arte & Media

Nostalgji për “Casablanca”-n apo...? - Nga Çapajev Gjokutaj

Çapajev Gjokutaj

Para disa netësh ripashë “Casablanca”, film që vjen nga viti i largët 1942. Kisha vite e vite pa e parë, por ndërkohë analiza e vlerësime për të kam hasur vazhdimisht. Dhe kjo është krejt e kuptueshme, shumë burime autoritare e kanë renditur “Casablanca”-n ndër filmat më të mirë të të gjitha kohëve, për të mos përmendur ndonjerin që kuturis e thotë se ka skenarin më të mirë të shkruar ndonjëherë, paçka se dëshmi të besueshme thonë se në kohën që xhirohej filmi skenari nuk kishte perfunduar tërësisht.

Në fakt titullin ia kisha ndeshur shpesh darkave të ngeshme kur, me predispozitën për diçka klasike, kërkoja të zgjidhja ndonjë film. Herë tjetër, thoshja me vete sa herë e ndeshja dhe thellë vetes ndjeja se kjo shtyrje për “tjetër here” i kishte rrënjët edhe tek ndruajtja se mund të më linte indiferent a, akoma më keq, mund të më bezdiste. Vepër tejet e vjetër, dyzoja, krijuar në agimet e filmit me zë, me teknologji të stërvjetëruar.

Përkundër gjithë këtyre “Casablanca” më shijoi, madje në ditët që pasuan e kapja veten më se një herë duke menduar për detaje, batuta, situata dramatike e imazhe metaforike. Nga përvoja e di se janë dëshmi vlerash rastet kur prej vetiu i kthehesh dhe i rikthehesh një vepre ditë pasi e ke parë a lexuar.

Vështirë të thuash me siguri përse vepra të llojit “Casablanca” vazhdojnë të të joshin sot e kësaj dite paçka se teknologjia e realizimit të tyre ngjan gati primitive. Po ta krahasoje me teknologjinë dhe teknikat që kanë sot në dispozicion artistët e ekranit, do të duhet të pranëvije një kovaçanë, nga ato që përdornin kacekun për t’i fryrë qymyrit, me uzinat moderne e të telekomanduara.

Studiuesit që kanë analizuar në dekada këtë film janë rrekur të shpjegojnë edhe magjinë e tij. Për Umberto Eco-n p.sh. “Casablanca” është një film shumë mediokër e megjithatë vazhdon të na emocionojë e të pëlqehet.

Duke u rrekur të gjejë rrënjët e këtij paradoksi, semiologu i shquar përqëndrohet tek shumësia e arketipeve të përfshira në film, të tilla si sakrifica, dashuria e penguar, ëndrra për të fluturuar, synimi për tokën e premtuar, paraja si çelës që hap dyert e mundësive dhe shumë bërthama të tjera arketipore. Nëse në nje vepër përdoren një apo dy bërthama të tilla, vëren Eco, kemi të bëjmë me klishe e vepra kitsch, po kur përdoren shumë dhe të vena në dialog me njera-tjetrën, rezultati është një arkitekturë si Sagrada Familia e Antonio Gaudit në Barcelonë: vërshon një ndjenjë marramendjeje, një goditje madhështie.

Studjues të tjerë e kanë kërkuar burimin e joshjes nga “Casablanca” te magjia e narracionit. Sipas tyre shumica e filmave të sotëm vijnë të tejmbushur me efekte kompjuterike e teknologjike, kurse “Casablanca” mbështetet fuqishëm tek narracioni, një narracion i thjeshtë si rrëfenjat e qëmotit. Këtë e vinte re edhe Umberto Eco, kur thoshte se në të shpaloset fuqia e rrëfimit në gjëndjen e vet natyrore, në thellësitë homerike, pa ndërhyrjet e artit dhe të teknologjisë.

S’ka dyshim se në pëlqimin për filmat klasikë luan rol jo të vogël edhe seleksionimi. Filmat e sotëm vërshojnë drejt nesh lloje-lloje e nivele-nivele, kurse filmat klasikë vijnë të përzgjedhur në sitën e hollë të kohës. Shumicën e bashkëkohësve të “Casablanca”-s rrjedha e kohës i ka nxjerrë mënjanë dhe sot nuk mund t’i ndjekësh qoftë edhe dhjetë minuta.

Shumica e studiuesve i kanë gjetur burimet e sharmit të “Casablanca”-s edhe në mjeshtërinë e aktrimit në ansambël, por sidomos të Humphrey Bogart dhe Ingrid Bergman, dy personalitete me influencë të spikatur në historinë e hershme të kinematografisë.

Në vitet 1940 kinemaja, veçanërisht filmi me zë, ishin në hapat e parë, akoma nuk qenë shkëputur dukshëm nga drama e teatri, akoma nuk qenë specializuar tamam si art më vete, ndaj huanin nga teatri elementë tërheqës si dialogu i mprehtë, batutat mbresëlenëse, detajet simbolike e metaforike dhe të tjera mjete që teatri i përdor për të tejkaluar sadokudo kufizimet në kohë dhe në hapsirë që ka skena.

Bashkjetesa e fimit me teatrin në krijimet e kohës së “Casablanca”-s rezulton e pëlqyeshme për spektatorin e sotëm se i ngjall një lloj nostalgjie për kohët e kaluara, kur gjërat dhe njerëzit ishin më pranë njeri-tjetrit dhe jepnin e merrnin natyrshëm.

Në fakt nostalgjia që ngjallin filma si “Casablanca”, mund të jetë burimi kryesor i joshjes që ruajnë edhe sot e kësaj dite. Ngjyrat bardhë e zi, zëri i inçizuar në studio dhe jo në çastin e xhirimit siç ndodh sot, loja e aktorëve që mbart aq shumë elementë nga teatri, këto e të tjerë elementë ndikojnë mbi ty si spektator dhe, qoftë edhe në nënvetëdije, të ngjallin mall e nostalgji për fëmijërinë dhe rininë e hershme, kur filmi mbetej magji edhe për një arsye plus: ishte mysafir i rrallë. Mbase kjo lloj nostalgjie për të dikurshmen ka qenë një nga faktorët pse të gjitha përpjekjet për ta bërë “Casablancan”-n me ngjyra kanë dështuar. Me sa duket ngjall më shumë nostalgji ashtu bardh e zi dhe me elementë të tjerë që dëshmojnë vjetërsi.

Po ku ta dish se filmat klasikë të përmasave të “Casablanca”-s nuk na tërheqin edhe për një arsye tjetër, të natyrës ekstra artistike dhe thjesht psikologjike, arsye që nuk gjendet në indin e filmit, por në psikologjinë e spektatorit, sidomos të spektatorit të moshës së tretë.

Duke na kujtuar mënyrën se si i shihnim filmat dikur, vepra të tilla na bëjnë të udhëtojmë pas, jo te arti po te vetja e dikurshme. Se nostalgjia më shumë se kthim te gjërat e dikurshme, është kthim tek vetja e dikurshme. Tek vetja që, ashtu e ikur dhe e parritshme kurrë plotësisht, na ngjan më tërheqëse e më e bukur seç ka qenë realisht. Mesa duket rreze nga ky idealizim, i zhytur në përmallimin e të munguarës, venë e bien edhe mbi “Casablanca”-t dhe përjetime të tjera të asaj kohe, vepra arti a copa jete qofshin.

© Çapajev Gjokutaj