Arte & Media

Omer Kaleshi dhe macja e zezë - Nga Luan Rama

Ishte udhëtimi i tij i fundit. Ishim nisur për në Honfleur të takonim dy miqtë tanë piktorë Artur Muharremi dhe Valdet Hamidi. Ishte një kohë e bukur dhe gjithçka ishte dehëse në sytë dhe shpirtin e tij. Të nesërmen në mbrëmje ishim në tryezën bujare të Valdetit, në atelierin e tij, kur papritur macja e zezë e shtëpisë kërceu pranë Omerit dhe qëndroi në tryezë krah tij. Omeri qeshi dhe ky imazh më pëlqeu dhe e fotografova menjëherë. Një ditë më vonë u kthyem.

Dy javë më vonë ndodhi tragjedia. Omerin e gjeta shtrirë mbi parketin e atelierit të tij në Paris. Një hemoragji cerebrale. Nuk fliste dot. Askush nuk e dinte se ç’kishte ndodhur dhe ku ndodhej Omeri. Një fqinj i tij që kishte dëgjuar një zhurmë të çuditshme i kishte thirrur, por Omeri nuk i ishte përgjigjur. Më pas më telefonoi dhe unë shkova menjëherë. Kisha një parandjenjë jo të mirë. Kur më pa diçka më pëshpëriti nëpër dhëmbë. E kuptova, donte ujë. Kishin kaluar dy ditë që nga mëngjesi që goditja cerebrale e kishte rrëzuar përdhe… Pastaj menjëherë në spital, të nesërmen në një klinikë. Nuk fliste, nuk lëvizte.

I shkoja çdo ditë. E ushqeja si fëmijë pasi s’donte të hante. Veç kësaj e zuri dhe kovidi. Shkoi gjer në prag të vdekjes, por dëshira për të pikturuar nuk e la të shkonte drejt errësirës së përjetshme. Prej kohësh më kishte kërkuar të shkruaja librin “Omer Kaleshi nga A në Z”, një libër ku do të përmblidhej jeta e tij, origjina, familja, udhëtimet nëpër botë, mendimet e tij, miqtë që e shoqëruan në këtë jetë, vendet e tij mitike, shkrimet dhe librat e autorëve të shumtë mbi të, fotografitë… Dhe unë doja ta mbaja premtimin pasi ma kërkonte gjithnjë. Një ditë vjeshte ia çova bashkë me miken e tij, poeten Laure Cambau. Një libër i botuar me aq shumë dashuri nga botuesja dhe poetja e njohur Rita Petro. Pikturat e tij ishin tashmë në shtëpinë e saj. Sapo e pa librin nuk po besonte. Më së fundi!... E mori dhe e pështolli me duart që i dridheshin. E mbajti mbi gjoks. Ishte i lumturuar. Sigurisht e fotografova ashtu në shtrat, por ajo foto është për mua, një kujtim i fundit.

Një javë më vonë e ndihmova për t’u kthyer në apartamentin e tij në Stamboll, pranë familjarëve të tij. Të nesërmen më kërkoi me telefon dhe e pashë përmes telefonit mes atyre njerëzve që ishin pranë tij… Sa shumë lumturi kishte në sytë e tij. Ishte udhëtimi i tij i fundit. Një javë më vonë shkoi përjetësisht pranë varreve të prindërve të duke lënë pas atelierin e tij të heshtur dhe atë autoportret, atë tablo të fundit mbi kavalet që më thoshte se donte një seancë të fundit. Ndërsa mua më mbeti fotografia e tij me macen e zezë ku ai qesh.

Ç’koinçidencë! Ka shumë që besojnë në supersticionin e maces së zezë, por unë jo… e po kështu besoj dhe Omeri!

© Luan Rama