In Memoriam: Ali Oseku, artisti që mbeti në fushën e ngjyrave - Nga Luan Rama
Atelieri i Ali Osekut ishte një uverturë muzikale. Patjetër që do të dëgjoje muzikë: sonata, suita, koncerte ku bashkëjetonin në harmoni mes tyre Mozart, Hendel, Schubert, muzikë e “shenjtë” (“sacrée”) apo Vivaldi. Dhe mbi të gjitha ngjyrat. Paleta e tij ishte gjithnjë e ngrohtë, herë-herë përvëluese, ngjyrat prisnin ngjizjen e tyre në telajon që qëndronte përballë si për të hedhur mbi të ngjyrat e botës. Dhe kjo me një dorë mjeshtri, me një shpirt mjeshtri, pasi shpirti i këtij piktori kishte gjak dhe ngjyra, dhembje dhe ngjyrë, ekstazë dhe ngjyrë. Dhe gjithnjë në këtë atmosferë ku tablotë zëvendësonin njëra-tjetrën, ato të kujtonin poezitë e simbolistëve dhe mbi të gjitha zanoret (voyelles) e Rembosë: “A… e zezë, E… e bardhë, I… e kuqe, U… jeshile, O… blu…” Veçse vargjet e Rembosë varionin me ritmin e tablove që ai ekspozonte para nesh. Tani artisti ka shkuar, e braktisi atelierin, vendin e krijimit dhe të prehjes së tij. Një dorë e mori e megjithatë fryma ka mbetur. Vetëm fryma e një artisti nuk mund të shuhet.
Para disa vitesh isha në atelierin e mikut tim Oseku me një mik francez, produktor filmash, Jean-Pierre Guerin, që ka prodhuar mjaft filma me Gerard Depardieu “and company”. Kishte dëshirë të shikonte veprat e një piktori shqiptar dhe bashkë me të ne ngjitëm shkallët për në atelierin e tij si në një shkallare qiellore, pasi sytë e tij shohin gjatë gjithë ditës qiell dhe male, si dhe konturet e një kryeqyteti në “ébullition” (në vlim).
Kur Aliu na tregoi tablotë e para, mu kujtua një frazë apo një përcaktim i kritikut të artit amerikan Clement Greenberg kur shkruante për piktorin hebre, emigrant në Amerikë, Max Rothko dhe pikturën e tij në një “fushë ngjyrash”, “peinture en champs de couleurs”. Mendoj se Ali Oseku e ka zbuluar Rothko-n plotësisht në Amerikë gjatë qëndrimit të tij shumë vite më parë, por sidoqoftë unë mendova se kështu Van Gogh kishte zbuluar Millet në Fontainebleu, apo Bacon, El Greco-n në Madrid, etj. Mendova për atë “fushë ngjyrash” ku piktori shqiptar kishte hedhur penelatat e tij dhe ishte harruar në ngjyrat, pa menduar për figura, portrete, sy, buzë të pulpta… harruar në ngjyra kromatike, në një, dy apo tri ngjyra. Madje janë piktura “monochrome”, njëngjyrëshe, para së cilës nuk mund të qëndrosh indiferent dhe ku brenda së cilës mund të udhëtosh në një fushë ngjyrash, ndjesi që provon një fëmijë (ah, unë dehesha nga kjo) kur futet në një fushë plot me lulëkuqe, apo një fushë e përmbytur nga ngjyra violet e livandos, tulipanët blu apo të verdhë, mavi apo të kuq…
Ka një lloj ngazëllimi edhe bota njëngjyrëshe, ka entusiazëm, dhembje, ekstazë. Provoni të rrethoheni nga një ngjyrë e vetme, e kuqe veniciane, kramoisi, ekarlatë, vermeil… Sigurisht, ndokush që i do shumë portretet, peizazhet, apo kompozicionet, artin impresionist, etj., mund të qëndrojë një çast indiferent ndaj një tabloje me një apo dy ngjyra. A nuk thoshte Kandinsky në esenë e tij “Mbi spiritualitetin në art” se “në përgjithësi ngjyra është një mjet për të influencuar drejtpërdrejt mbi shpirtin?”
Një ditë shëtisja në Paris me një mikun tim piktor në Rue de la Seine dhe në një galeri i thashë se pikërisht aty ishte hapur një ekspozitë e titulluar: “E zeza është një ngjyrë…” Po, e zeza është një ngjyrë. Thuajse gjashtëdhjetë vjet më parë, Matisi kishte deklaruar plot zhurmë: “E zeza është një ngjyrë” (Le noir est une couleur!) ... Sigurisht, s’kishte si të mos ishte ndryshe. Dhe ai, bashkë me Braque dhe Bonard, në galerinë e famshme Maeght në Paris, kishte hapur ekspozitën me titullin “E zeza është një ngjyrë”… (Ja pse miku im Omer Kaleshi në Paris e kishte të zezën një ngjyrë fetish, ashtu siç kishte dhe të kuqen).
Ali Osekut i pëlqente t’ua tregonte tablotë e tij atyre që e vlerësonin dhe e kuptonin pikturën në gjithë ndjesitë e veta. Një tablo, dy, dhjetë, njëzetë… tablotë e tij ishin të panumërta në atë atelier, pasi ai pak interes kishte të rendëte pas tregut të pikturës dhe ku rendjet e para e lodhën dhe e dëshpëruan, duke iu kthyer pastaj atelierit, telajove të tij dhe duke u harruar në botën e ngjyrave, në stinët e tij pikturale, nga portretet e para, në kompozicionet, peizazhet dhe ja, në “fushën e ngjyrave”, gjithnjë në kërkim. Dhe kështu, para atyre tablove, asaj fushe ngjyrash, kishe dëshirë të qëndroje për një kohë të gjatë, pasi në disa tablo që vijonin, piktori na shfaqte në atë fushë silueta pemësh të drithëruara në erë dhe forma të një peizazhi që kishe dëshirë të depërtoje dhe ta zbuloje. Lule apo pemë që nuk ekzistojnë, por që i krijon ai. Mjafton t’u vinte një emër që të shënoheshin në librat e “fleuriste”-ve, luleshitësve.
Sigurisht, nëse Rothko tablonë e tij “Orange, red, yellow” e shiti 87 milionë dollarë dhe tablonë tjetër “Yellow and bleue” 46,5 milionë dollarë, nuk është ky i vetmi tregues i pikturës. Megjithatë kërkimi në “fushën e ngjyrës” është një art më vete. Për ta arritur harmoninë brenda ngjyrës, për të kaluar nga një ton në tjetrin, duhet të zotërosh ngjyrën vetë. Kur Malevitch krijoi tablonë e tij në të zezë “Carré noir sur fond blanc” në vitin 1915, kjo tablo hyri në historinë e pikturës moderne e pikërisht për aventurën eksploruese në botën e ngjyrës dhe krijimin e kontrasteve që u krijon syve njerëzorë atë çka ne e quajmë ngazëllim. Kuptohet, gjithçka është një alkimi e fshehtë, por që miku im Oseku ka ditur ta rikrijojë në tablo pa tituj.
Fusha e ngjyrave mbetet ende një vend për eksploratorët, një zonë minerare me variacione ngjyrash, zinku, kobalti, emerodë e rubinë, ku mungon e bardha, pasi e bardha mesa duket nuk është një ngjyrë, është suport… Në vitin 1810, Gëte shkruante studimin “Traktati i ngjyrave” me idenë aristoteliane se “ngjyrat janë një produkt i përzierjes së dritës dhe hijes” dhe gjashtë vjet më vonë, ishte Shopenhaueri, i cili dhe ai i entusiazmuar nga ngjyrat, shkroi esenë “Mbi pamjen dhe ngjyrat”. Më pas, ishte filozofi Ludwig Wittgenstein që do të botonte studimin e tij “Shënime mbi ngjyrat” dhe që atëherë, nga Kandinsky apo Kupka, eksplorimi në fushën e ngjyrave vazhdon. Shoh të kuqen e Osekut dhe menjëherë imagjinoj zjarrin e flakën. Madje Abraham në hebraisht do të thotë e “kuqe”.
Atje në katin e fundit, ku sipër tij nderej vetëm qielli, Oseku vazhdonte aventurën e tij të ngjyrave… vazhdonte, deri atë ditë që Luçi, gruaja e tij e mrekullueshme shkoi për të mos u kthyer më në këtë botë. Dhe artisti e ndjeu që diçka e tmerrshme ndodhi në jetën e tij : bota e ngjyrave filloi të shuhej, të zvetënohej deri sa ato nuk do t’i shihte më. Kështu kishte ndodhur me Matisin. Unë e ngacmoja gjithnjë dhe i thërrisja Matis. E ai qeshte, qeshte...
Ali Osekun nuk do ta kemi më në takimet tona e megjithatë kujtimet dhe vepra e tij do të mbeten gjithnjë midis nesh. Artisti mbeti atje, përhumbur në fushën e tij të ngjyrave për mos tu kthyer më…
© Luan Rama