Histori

Tapeti Gobelins i Ali Pashë Tepelenës

Nga: Dorian Koçi

Në fundin e shekullit të XVIII dhe fillimin e shekullit të XIX, formacioni shtetëror i themeluar nga Ali Pasha Tepelena dhe i njohur me emrin Pashallëku i Janinës u vizitua nga shumë udhëtarë të huaj, diplomatë, ushtarakë e piktorë. Konflikti i luftërave Napoloniane në Europë kish trokitur edhe në Dalmaci, ishujt Jonianë, bregdetin përballë tyre, Epir e More. Rusia, Franca e Anglia do të ishin fqinj të afërt me Pashallëkun e Janinës e për rrjedhojë dhe idetë e reja të tyre rreth shtetndërtimit e qeverisjes, por edhe modës, veshjes dhe mobilimit të ndërtesave do të influenconin në godinat e ndërtimet e reja që ndërmori Ali Pasha Tepelena në gjithë territoret që sundonte.

Gjatë kohës kur qeverisi Ali Pasha Tepelena në Pashallëkun e Janinës në gjithë Shqipërinë u realizuan, si asnjëherë më parë, vepra të rëndësishme publike, të karakterit ushtarak e civil, si kështjella, rrugë, ura, banja (hamame), hane, ujësjellësa, çezma publike dhe godina administrative. Sipas Pouqueville, me porosi të Ali Pashë Tepelenës, arkitekti shqiptar Petro Korçari, ndërtoi në Epir më shumë kala se ç’rrënoi qytete në kohë të tij konsulli romak Paul Emili.

Një rëndësi të veçantë Ali Pasha Tepelena i kushtoi dhe dekorimit të pallateve të tij nga brenda duke pajtuar arkitektë të huaj për t’i përshtatur ambientet e brendshme sipas modës europiane.  Ali Pasha kishte sjellë nga Viena, rreth vitit 1812, një specialist të çmuar, Frejvaldin, që ishte kryearkitekt civil i Moravisë dhe që i shërbeu atij për pak vjet, bashkë me një stukator, ky i fundit për zbukurimet në punime allçie të pallateve. Por në të njëjtën kohë ai ka shfrytëzuar edhe punën e mjeshtrave popullorë vendas shqiptarë, ku binin në sy mjeshtrat e Oparit dhe të Lunxhërisë, të krahinave të Korçës, Përmetit, Gjirokastrës e Janinës por edhe të ndonjë krahine të veriut të Shqipërisë, ku ndihej ndikimi dhe influenca e tij si krahina e Dibrës. Po kështu sipas Pouqeuville, në ndërtimet e tij ai ka përdorur dhe punën e mjeshtrave   grekë dhe vllehë siç ishte rasti i mjeshtërve të Meçovës.

Një objekt i veçantë që bënte një përshtypje të madhe tek vizitorët europianë ishte tapeti i madh i firmës Gobelins që zbukuronte sallën e audiencave të Ali Pashë Tepelenës. Konsulli i Francës Pouqeuville shkruante se holli kryesor i audiencës së pallatit të Litharicës ishte i zbukuruar me tapetin e madh Gobelins që i përkiste dhomës më të madhe të pallatit të Versajës. Jehona e qilimit Gobelins të famshëm vazhdonte edhe 10 vjet pas rënies së Ali Pasha Tepelenës, kur Disraeli vizitoi Janinën në 1832. Në letrën dërguar të atit ai shkruan se ishte pritur në audiencë në sallën që sipas tij ishte ndërtuar nga Ali Pasha Tepelena për të nxënë tapetin më të madh Gobelins që ishte prodhuar ndonjëherë dhe që ai e kishte blerë në ankand gjatë kohës kur kish shpërthyer Revolucioni Francez. Për të pasur një ide sesa i madh mund të ketë qenë tapeti Gobelins mund të shikohet në pikturën e Captain George de la Poer Beresford, Twelve Sketches in double tinted Lithography of Scenes in Southern Albania, London, Day and Son, 1855, që paraqet sallën e audiencës së Ali Pasha Tepelenës por pa tapetin Gobelins.

Qilimat dhe tapetet Gobelin zbukuronin gjithë sallat mbretërore të Europës. Ato e kishin fituar vlerat e tyre si vepra të mirëfillta arti që në vitin 1662, kur punishtet në Saint-Marcel të Faubourg-ut dhe përqark u blenë nga Jean-Baptiste Colbert në emër të Louis-it të XIV-të dhe u shndërruan në një punishte të përgjithshme tapicerie, me emrin Fabrika Gobelins. Gobelins ishte emri i një familje punëtorësh ngjyrimi që me gjasë origjinën e kanë nga Reims-i dhe të cilët në mes të shekullit të 15-të u vendosën në Saint-Marcel të Parisit në brigjet e Bièvre-së. Udhëheqësi i parë i firmës quhej Jehan (1476). Ai zbuloi një lloj të veçantë të ngjyrës së kuqe të ndezur dhe shpenzoi aq shumë para në themelimin e firmës, saqë mori nofkën “i çmenduri Gobelins” nga populli i thjeshtë.   

Në shekullin e 16-të veprave të ngjyrosjes iu shtua një fabrikë tapicerie. Pasuria e familjes u rrit aq shpejt sa në brezin e tretë ose të katërt disa prej tyre braktisën tregtinë për tituj fisnikërie. Disa prej tyre zotëronin edhe poste qeveritare, midis tyre Balthasar, i cili më pas u emërua përgjegjës i thesarit për ushtrinë, i thesarit të jashtëzakonshëm të luftës, sekretar i këshillit të mbretit, kancelar i thesarit, këshilltar i shtetit dhe kryetar i dhomës së llogarive, dhe në vitin 1601 mori nga Henry i IV-t tokat dhe zotërime të Brie-Comte-Robert-it. Ai vdiq në vitin 1603. Emri i Gobelins si punëtorë ngjyrimi nuk mund të gjendet më vonë se nga fundi i shekullit të 17-të.

Fabrika e Gobelins tashmë është një fabrikë tapicerie e vendosur në Paris, Francë, në 42 Avenue des Gobelins, pranë stacionit te metrosë Les Gobelins në rajonin e 13-të. Ajo njihej më shumë në të kaluarën si një fabrikë mbretërore që furnizonte Pallatin e mbretërve francezë që nga Luigi i XIV-të dhe tani drejtohet nga Administrata e përgjithshme e Mobilierëve dhe Prodhuesve kombëtarë të qilimave dhe tapicerive të Ministrisë së Kulturës Franceze.

Fabrika është e hapur për vizita disa pasdite në javë me takim si dhe për vizita të rastësishme çdo ditë përveç të hënave dhe disa festave në veçanti. Galeria e Gobelins merret me ekspozita të përkohshme të tapicerisë nga prodhues francezë dhe mobilie nga Mobilieria kombëtare të ndërtuar në kopshte nga Auguste Perret në vitin 1937.

Për fat të keq nuk kemi ndonjë pikturë të atyre viteve për të parë sesi ishte në paraqitje tapeti Gobelins dhe se çfarë skenash ishin të pasqyruara në të. Fakti që tapeti Gobelins i përkiste dhomës më të madhe të audiencës së Pallatit të Versajës e që në atë kohë rryma kryesore e artit që mbizotëronte ishte Neoklasicizmi, na shtyn të mendojmë se mund të paraqiste skena nga mitologjia greko-romake. Intensifikimi i marrëdhënieve diplomatike të Ali Pashait në periudhën 1797-1811 me Francën, Rusinë dhe Anglinë shënon një kthesë thelbësore në evolucionin që e çoi Aliun në shkëputjen nga Perandoria Osmane dhe nga mekanizmat e tij të pushtetit, dhe bëri që ai t’i kthehej,sakaq, një modeli më perëndimor të bazuar në parimet e statizmit dhe nacionalizmit. Vetë pashai ishte i ndikuar nga idetë e “reja” evropiane si shteti, demokracia, laiciteti dhe kushtetuta. Aliu ishte shumë i interesuar ndaj këtyre aspekteve të kulturës evropiane dhe në një farë mënyre filloi ti japë vetes formë në përputhje me to.

Pas rënies së Ali Pasha Tepelenës, tapetit Gobelins nuk i dihet fati. Ai mund të jetë rrëmbyer si plaçkë lufte nga trupat osmane që pushtuan Janinën, ashtu si dhe disa objekte të tjera personale të Ali Pashë Tepelenës që ia kishin rritur atij famën dhe lavdinë në shënimet dhe librat e shumtë të udhëtimit që u botuan nga udhëtarët e diplomatët europiane. Sot ruhen shumë pak objekte personale të tij, kryesisht armë të shpërndara në disa muzeume nëpër botë.

Burimi: doriankoci.blogspot.com