Histori

Si u ndërtua një pallat sporti

Nga: Gavrosh Levonja

Askush në Shqipërinë e fillimviteve 60-të nuk e kishte çuar nëpër mend që vendi, në radhë të parë Tirana si kryeqytet po edhe si qendër kryesore e aktiviteteve sportive duhej të kishte një pallat sporti, me një fjalë, një sallë të mbyllur për zhvillimin e aktiviteteve sportive të tilla si lojërat me dorë, boksi apo mundja, pingpongu, etj. Ndërtimi i një pallati sporti në Tiranë erdhi i imponuar nga rrethana të tjera që më së shumti kishin të bënin me politikën se me sportin.

Dikur, në kulmin e lulëzimit të kampit socialist zhvilloheshin shumë aktivitete sportive me pjesëmarrjen e ekipeve nga vendet e Lindjes përfshi dhe Kinën, Korenë e Veriut e Vietnamin e Veriut. Ndër këto aktivitete, ishin dhe kampionatet midis ekipeve të ushtrive të vendeve socialiste, ku Shqipëria përfaqsohej nga “Partizani”. Turnetë me pjesëmarrjen e ekipeve të ushtrive të vendeve mike zhvilloheshin një herë në katër vjet.

Viti 1963 ishte viti kur i binte të zhvilloheshin kampionatet në futboll, basketboll e volejboll. Turneu i futbollit do të zhvillohej në Hanoi, Vietnam, ai i basketbollit në Pekin dhe i volejbollit në Tiranë. Ishte koha, kur Shqipërinë tashmë e kishin “çkishëruar” nga familja e madhe socialiste, megjithatë në disa sektorë marrëdhëniet vazhdonin, ndonëse ishin në atë fazën që zakonisht e cilësojnë si “tërhiq e mos e këput”. Një ndër këta sektorë ishte dhe sporti. Dhe, duke bërë fjalë për takimet midis ekipeve të ushtrive duhet marrë në konsideratë dhe fakti që Shqipëria megjithëse e “bërë lanet” vazhdonte të ishte antare e Traktatit të Varshavës.

Bashkimi Sovjetik, i cili i kishte prerë marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë një vit më parë, në vitin 1962, ishte i vendosur për të bojkotuar turneun e volejbollit i planifikuar të zhvillohej në Tiranë, duke mos dërguar ekipin ushtarak të CSKA. Natyrisht nën diktatin sovjetik, të njejtin qëndrim do të mbanin dhe vendet e tjera të kampit, me përjashtim të Kinës, Koresë së Veriut dhe Rumanisë. Duhet vënë në dukje se deri atëherë nuk kishte filluar praktikimi i budallallëqeve të refuzimit për të luajtur me ekipet e Bashkimit Sovjetik, SHBA, Gjermanisë Perëndimore, Izraelit...  Kështu basketbollistët e Partizanit luajtën në Pekin me CSKA të Moskës (ashtu siç do të luante tre vjet më pas po në Pekin Dinamo e Tiranës me Dinamon e Moskës) apo në Hanoi Partizani që do të zinte vendin e dytë, do të ndeshej normalisht me futbollistët sovjetikë.

Tani, duke i u kthyer historisë së ndërtimit të pallatit të sportit, sovjetikët dhe vendet satelite të Europës Lindore, për të justifikuar mospjesëmarrjen e tyre në turneun e volejbollit në Tiranë, nxorrën si pretekst faktin që Tirana nuk kishte një pallat sporti. Në të vërtetë të gjithë aktivitetet kombëtare e ndërkombëtare në lojërat me dorë zhvilloheshin në stadiumin Studenti, nën qiell të hapur.

Në këtë mënyrë, autoritetet e shtetit shqiptar u ndodhën përballë sfidës, të tërhiqeshin apo të ndërtonin me çdo kusht një pallat sporti, i cili do të përurohej pikërisht me kampionatin e ushtrive të “vendeve mike” në volejboll. Fitoi, alternativa e dytë; u vendos të ndërtohej një pallat sporti.

Për fat të mirë, tek fusha e aviacionit, ku deri në vitin 1959 ishte aeroporti i Tiranës, ndodhej një hangar avionësh i ndërtuar dikur nga italianët. Konstruksioni i tij metalik shërbeu si skeleti i pallatit të ardhshëm të sportit dhe me punën e reparteve të ushtrisë që punonin ditën dhe natën, përfundoi në një kohë rekord; rreth pesë a gjashtë muaj. Megjithatë, nuk u arrit që pallati i sportit të ishte gati ditën kur ishte planifikuar fillimi i aktivitetit, kështu që sovjetikët dhe shpura e satelitëve të tyre nuk erdhën. Në këtë mënyrë, ai kampionat u reduktua me pjesëmarrjen e vetëm katër ekipeve; “PAI” e Kinës, “I-Phal” e Koresë së Veriut, “Steaua-s” së Bukureshtit dhe Partizanit. Ndeshjet e turneut të shumëpritur filluan në stadiumin “Studenti”, në fushën me dhe të kuq, dhe vetëm ndeshjet e kthimit u luajtën në pallatin e sportit të sapondërtuar. Në shtator të 1963-shit aty do të zhvillohej kampionati i boksit që për ironinë e fatit do të ishte i fundit i periudhës së komunizmit dhe diku nga fundi i vitit do të ndeshej ekipi kombëtar i basketbollit i Kubës me ekipin kombëtar shqiptar.