Disa të vërteta mbi fenë e shqiptarëve
- Nga: BESMIR TOÇILA
Shqiptarët kanë një vlerë të madhe, ata kanë tolerancë fetare. Kjo është një shprehje të cilën e kemi hasur shpeshherë në ligjërime publike dhe tekste shkollore. Si kemi arritur deri këtu?
Shqiptarët e pranuan krishtërimin të fundit fare nga perandoria bizantine dhe me një mënyrë “shqiptare”, përderisa ruajtën një sërë adhurimesh të tyre për Diellin, zanat, orët, ditët e javës e krahas ikonave të krishtera dhe basorelieveve vinin dhe simbolet e adhurimit të tyre të lashtë, siç treguan shumë zbulime arkeologjike të arkeologëve shqiptarë[1].
Me vdekjen e Skënderbeut dhe rënien nën zgjedhën turke të pjesës më të madhe të territoreve shqiptare, shqiptarët u përballën me Kuranin dhe muslimanizmin me mënyrën e mëposhtme:
“Sulltan Murati IV, lëshoi një urdhër ku thuhej: “Sa romakë (të krishterë) kanë feude nëse turqizohen (muslimanizohen) do t’i marrin ato, në rast të kundërt do t’i humbin”. Por nuk ishte vetëm kjo. Sipas Kuranit të Sulltanit, ata që nuk besonin islamin, përveç pasurisë u hiqej dhe liria. Kështu shqiptarët duhej të zgjidhnin midis krishtërimit dhe lirisë. Shumë popuj të Bizantit preferuan të ruanin fenë e tyre dhe të humbisnin Lirinë.
Shumë shqiptarë të gjendur në dilema të tilla parapëlqyen lirinë dhe pasurinë, e cila e siguronte akoma më tepër të parën. Ky urdhër i Muratit IV ishte gjah i mirë për fenë islame, por gjithashtu dhe një rast i mirë për shqiptarët, duke qenë se nuk bëhej fjalë për ndonjë shkelje të besimeve të tyre, aq më tepër që dhe vetë tradita e lashtë si dhe karakteri i tyre nuk shkonte fare përshtat me fenë e krishterë. E në të vërtetë thotë Bakaloupulos, shqiptari sypatrembur, krenar, egoist dhe grindavec nuk mund të konceptonte përulje, shprehje “duajeni armikun tuaj”, e të tjera si këto që janë për shpirtra të varfër dhe të nënshtruar, ndaj as që kishte durim të priste për të marrë atë që i përkiste, në një jetë qiellore te pasigurt. Përveç gjithë këtyre, as që kishte ndër mend t’i kthente dhe faqen e majtë atij që do të guxonte ta godiste tek e djathta.(siç konstatoi dhe Myleri).[2] Feja e krishterë mbështetet tek mëshira. Shqiptari nuk do mëshirën, por admirimin. Kështu mund të themi se ndryshimet e feve nga ana e shqiptarëve kanë si shkak interesin ekonomik për të pasurit dhe karakterin e traditën e lashtë për të varfërit. Por pjesa dërrmuese e shqiptarëve ishin gjithnjë të varfër, ishin gjithmonë popullorë! Ata nuk u morën me tregëtira, arte, bakallëqe dhe matrapazllëqe. Nga i nxirrnin paratë? Me “artin” më të bukur – Shpatën dhe Dyfekun.
Rryma e ndërruesve të fesë ishte e tillë, saqë i shqetësoi dhe vetë turqit, që shihnin se shqiptarët nuk bëheshin muslimanë, ngaqë besonin në fenë e turqve, por sepse shqiptarët që ndërronin fe, së pari nuk paguanin taksa dhe së dyti kishin të drejta të barabarta me të tyret dhe një dinamizëm, i cili e mbyste turkun. Së treti, e shihnin qartë urrejtjen e shqiptarëve ndaj turqve, e cila nuk ishte më e vogël se ajo e popujve të feve të krishtera.
Gjeografo-etnologu austriak i gadishullit, Ëaldkampf, shkroi më 1887: “Shqiptarët e mohojnë fanatizmin fetar të otomanëve dhe të të krishterëve, deri në atë pikë që të mos ta shpërfillin fare, megjithëse janë të po kësaj feje. Shumica e fshatrave shqiptare nuk kanë xhami dhe besimtarët e kësaj feje nuk ngurrojnë të bashkëfestojnë Pashkën me të krishterët, gjithashtu dhe ortodoksët marrin pjesë me dëshirë në festën e Bajramit. Shqiptarët nuk kanë asnjë vështirësi të bëjnë martesa brenda shoqërisë së tyre pavarësisht nga besimet fetare. Të gjithë shqiptarët, qoftë të krishterë qoftë muslimanë i urrejnë turqit...”[3]
Këto janë të vërtetat mbi shqiptarët. Që shqiptarët vinin mbi çdo lloj besimi fetar të tyre, Lirinë, Dinjitetin dhe një sërë idesh të tjera.
Edith Durham, e cila gjatë luftrave ballkanike kaloi në gadishull arriti të konstatonte pikërisht këtë:
Kur kaloja në Rumeli pyesja njerëzit:
- Ç’je ti?
- Katolik,- përgjigjej njëri.- Protestant,-tjetri.
Në Bullgari pyesja: - Ç’je ti?
- Ortodoks.
Në Jugosllavi: Ç’je ti?
- Protestant.
Secili në havanë e vet. Kështu ishin mbytur të tërë nga dogmat idiote të njerëzve dhe duke hyrë në Shqipëri pyeta:
- Çfarë jeni ju këtu?
- Shqiptarë, - mu përgjigjën prerë e qartë.[4]
Më në fund,- thashë. - U çlirova këtu nga fanatikët dhe zotkrijuesit.
Referencat:
[1] Pollo, Stefanaq; Puto, Arben (1981). “Historia e Shqipërisë”).
[2] A.Bakalopulos, Historia e Helenizmit të ri, Athinë, f.156
[3] Revista Besa, nr.19, Athinë, 1992
[4] Edith Durham, Brenga e Ballkanit, Tiranë: Argeta LMG, 2009, f.200











