Histori

Shtëpia me 35 dhoma e Veli Pashës!

Nga: Dorian Koçi

Shtëpia me 35 dhoma e Veli Pashës, djalit të Ali Pashë Tepelenës, në Kalibet e Mëdha në Thesali.

Thesalia e Greqisë është një nga krahinat më pjellore të Ballkanit. Në të kultivoheshin përveç drithërave edhe bimë industriale si duhan dhe pambuk. Si një krahinë e pasur në fillim të shekullit të XIX ajo u gjend në qendër të lakmive territoriale të Ali Pashë Tepelenës. 

Pashallëku i Janinës sipas Aravatinoit, kishte  një shtrirje, që shkonte pak më në jug të Durrësit, vazhdonte në lindje pak më në veri të Ohrit, duke zbritur për në jug dhe duke përfshirë Follorinën, Verien, gjysmën e ishullit Eubea, si dhe duke lënë jashtë Thivën dhe Athinën, por duke përfshirë gjithë Morenë dhe tërësisht bregdetin Egjean, Jonian dhe të Adriatikut të këtyre territoreve (shih për më tepër Aravantinus. S. (2000) Ali pasha Tepelenliu. Athina: Dodoni, harta faqe 64).

Ali Pasha Tepelena i përkiste klasës së ajanëve muslimanë, pushteti i të cilëve bazohej në mbrothësinë e tyre si pronarë tokash apo tregtie dhe marrëdhëniet e veta me qeverinë qendrore (Charles&Barbara Jelavich: Themelimi i shteteve kombëtare të Ballkanit, 1804-1920. Dituria, Tiranë: 2004).

Në vitet e qeverisjes së tij ishte shumë evidente dhe ngritja e shtresës së tregtarëve të krishterë. Ky realitet i ri u pasqyrua dhe në një nga shtyllat e politikës së tij të brendshme, e cila ishte mbështetja e tregtisë me vepra zhvillimi (Nikos Bardhiabasis. “Antiprologu” Istorika Athinë Elefterotypia: 15 Mars 2001).

Tregtia me Evropën siguronte shpërblime të barabarta për tregtarin e krishterë dhe ajanin musliman. Ky i fundit furnizonte produktet bujqësore dhe mbronte tregtarin. Të dy grupet donin një sistem të lirë e të hapur tregtie brenda perandorisë dhe i kundërviheshin kontrollit dhe rregullave të qeverisë. (Charles&Barbara Jelavich: Themelimi i shteteve kombëtare të Ballkanit, 1804-1920. Dituria, Tiranë: 2004). 

Dr. Holland shkruante se në vitet 1820, artikujt kryesorë të eksportit nga Pashallëku i Janinës ishin drithi, lënda drusore, vaji, duhani, pambuku dhe leshi. Eksportet e drithit, sipas tij, shkonin drejt Italisë, ishujve Jonianë, Maltës e gjetkë. Pashai i Janinës zotëronte monopolin mbi shitjen e drithërave. Nga gjiri i Artës eksportohej gjithashtu lëndë drusore, për të cilën interesoheshin deri arsenalet e marinës në jug të Francës. Gjithnjë sipas Holland, nga Arta eksportoheshin sasira të konsiderueshme vaji, duhani, leshi e produktesh leshi, siç ishin gunat apo velenxat. (Dr. Henri Holland. ”Mjek te Ali Pasha”. Shtëpia botuese Migjeni, 2008).

Popullsia e Pashallëkut të Janinës ishte rreth 1.500.000 dhe u përkiste grupeve të ndryshme etnike, si shqiptarë, grekë, vllehë, hebrenj e ciganë. Shqiptarët ishin kryesisht elita ushtarake e Pashallëkut, zotërues të mëdhenj pronash, por edhe tregtarë, zakonisht ata të besimit të krishterë.  Grekët dhe vllehët ishin të ndarë në shtresat e larta si tregtarë dhe në raja banorë të fshatrave dhe çifligjeve. Një pjesë e vllehëve ishin barinj të lirë që shtegtonin sa nga malet drejt detit e anasjelltas. Ali Pasha Tepelena shquhej edhe për ndërtimin e vendbanimeve të reja në çifligjet e tij. Përveç kështjellave dhe godinave administrative, Ali Pasha zotëronte edhe një numër shtëpish pushimi, të cilat kishin paraqitjen e sarajeve të vogla që i gjejmë të banuara në vitet 1806-1809, sidomos në viset përreth Janinës, si në Muzhar, në Xhegelovë, Stravaq, Zicë, Delvinaq, në Artë, Kaciko-Pazar pranë Artës. Një e tillë ishte dhe themelimi i vendbanimit të Kalibeve të vogla në Thesali. Kalibja e madhe në kohën e Perandorisë Otomane ishte çiflig i Ali Pashë Tepelenës dhe më vonë i Veli Pashës, djalit të tij.  Qyteza e vogël u themelua në fillimet e shekullit të XIX nga gjashtë vendbanime të vogla të zonës me iniciativën e përfaqësuesit turk të Ali Pashës i cili qeveriste në atë kohë Thesalinë. Ka të ngjarë që vendi të kishte qenë më parë vendqendrim vllehësh, çka vërtetohet dhe nga fjala kalibe në vllahisht  që është kasollja tradicionale vllahe  për të banuar.  Veli Pasha për sa kohë sundonte krahinën ndërtoi aty banesën e tij, konakun  në qendër të fshatit. Konaku kishte 35 dhoma, me banja turke dhe tualete brenda saj. Pas vdekjes së Ali Pasha Tepelenës, Sulltani ia dhuroi fshatin gruas së Ismail Rahmi Pashës, djalit të Veli Pashës. Ismail Pasha administroi për një kohë të gjatë Thesalinë dhe la gjurmë të pashlyeshme në rajon. Për të Ismail Qemali, në kujtimet e tij dëshmon se ishte Guvernatori i Përgjithshëm i Thesalisë dhe ai vet punoi si shef i kabinetit të tij.  

Fshati u çlirua nga osmanët në gusht të vitit 1881 dhe iu shit Konstandin Zhapës nga pronarët shqiptarë ashtu si dhe shumë çifligje të zonës.  Konaku deri në vitin 1881, vit në të cilin Thesalia bashkohet me Greqinë, ishte gjithashtu banesa e Beut Osman dhe qendra administrative e zonës përreth, ndërsa pas bashkimit të Thesalisë me Greqinë u shndërrua në qendrën e pronarit të çifligut, Kostandin Zhapës, shqiptarit të pasur nga Labova që bleu Kaliben e Madhe dhe fshatra të tjerë në Thesali. Si administrator të këtyre çifligjeve ai vendosi nipin e vet Apostol Zhapën. Pronat e fshatit iu dhuruan shtetit grek në 1892 sipas testamentit të Konstandin Zhapës. Deri atëherë , pronat e çifligut iu jepeshin me qira banorëve. Ndërtesa ruhet edhe sot  dhe në në vitin 1995 u cilësua si godinë historike nga Ministria e Kulturës. Nga viti 1976 aty gjendet dhe Muzeu Folklorik i Kalibjes së Madhe dhe Shoqatës Kulturore të zonës.

Shqiptarët në Perandorinë Osmane kishin një rol që Noel Malcom në veprën e vet “Agjentët Perandorakë” e cilëson si amfibës kulturorë duke bërë të mundur shpesh herë komunikimet e ndërsjellta në diplomaci, tregti, pronësi midis shteteve perëndimorë dhe Perandorisë otomane. Ky rol u përforcua edhe në Krishterimin Lindor, ku komunitetet e krishtera shqiptare shpesh herë u shndërruan edhe në elita drejtuese në Greqi, Principatat Rumune, Odesa apo dhe në komunitetet e pasura të Kairos dhe Aleksandrisë. Familja Zhapa ishte pikërisht një e tillë që bënte të mundur falë statusit ekonomik që kish fituar në Vllahi, Epir dhe Greqi e Stamboll, transaksionet finaciare të shitjes dhe blerjes së pronës mes pronarëve shqiptarë muslimanë dhe përfitimit të drejtë për së drejtë prej këtyre transaksioneve. Çështja e pronave të shqiptarëve në Thesali u trajtua edhe gjatë Lidhjes së Prizrenit, ku dega jugore e saj në Gjirokastër, Prevezë dhe Frashër, kundërshtoi çdo ambicie greke në rajon. Pavarësisht kësaj, Fuqitë e Mëdha e aneksuan Thesalinë në gusht të vitit 1881 brenda Mbretërisë greke dhe u bindën për të mos bërë ndryshime territoriale në favor të Greqisë, në Epir. Shqiptarëve që kishin prona tokësore iu njoh e drejta e pronësisë por shumë shpejt për shkak të presioneve nga administrata greke ata u detyruan t’i shisnin tek familjet e krishtera shqiptare Zhapa dhe Zografot, që nga tregtarë të pasur u kthyen dhe në pronarë tokash sipas ndryshimeve të reja të dominimit të Thesalisë në rajon.