Histori

Skënderbeu dhe fati i heroit autocentrik në shoqërinë alocentrike – Nga Ardian Muhaj

Inteligjenca shqiptare gjatë gjithë shekullit XX, e tash edhe përgjatë fillimit të shekullit XXI, në përgjithësi e ka parë atdheun si periferi e asaj Europe, në të cilën gjeografikisht zë një nga pozitat më qendrore e strategjike. Ky periferizim i sforcuar, aspak i natyrshëm, ka sjellë në një paradoks, ku një popull qendror gjeografikisht, me peshë të pamohueshme historike, është paraqitur nga vetë përfaqësuesit e vet si periferik, si i huaj në gjeografinë reale ku ndodhet. Kjo është një mënyrë perceptimi dhe paraqitje jo e panjohur në gjeografinë e tërësisë së mendimeve intelektuale të botës. Vende që ndodhen gjeografikisht larg vendeve të tjera, kryesisht të ndara nga deti, oqeani apo shkretëtirat e stepat, kanë dëshmuar jo rrallë këtë ndërgjegje periferike. Një alocentrizëm i tillë ka qenë i pranishëm veçanërisht në intelektualët e zonave periferike gjeografikisht si Islanda në mesjetë. Është i ndryshëm nga botëpamja e një kulture të izoluar siç është vërejtur nga antropologët. Kulturat e tilla të izoluara priren ta shohin veten si qendra e botës dhe kulturat e tjera si periferike.

Përballë këtij perceptimi të qendërzuar në një krahinë apo qytet, megjithëse i kufizuar por brenda tërësisë shoqërore, shtetërore apo kombëtare, qëndron perceptimi që e qendërzon vetveten, jashtë tërësisë shoqërore, shtetërore apo kombëtare. Kështu arrihet tek alocentrizmi, jashtëqendërzimi apo tjetërqendërzimi, ose perceptimi i një tërësie shoqërore, shtetërore apo kombëtare, të paqendërzuar në vetvete, por me një qendër jashtë vetës, tjetërkund. Menjëherë mbas viteve ‘90 alocentrizmi u përshfaq haptazi dhe në mënyrë radikale. Integrimi europian u shndërrua në një alibi për përshfaqjen e alocentrizmit më të thekshëm në historinë tonë moderne. Racionalizmit të prirjes dhe ndërgjegjësimit për integrimin europian, iu mbivendos gradualisht irracionalizmi i alocentrizmit të skajshëm. Ky alocentrizëm radikal nuk flet për vlera humane por për vlera europiane, jo për vlera njerëzore por perëndimore, duke i paraqitur të parat si pjesë e të dytave.

Ashtu si islandezët në mesjetë, shqiptarët e shekullit XXI përvetësuan një botëpamje që ngulmon se vetë shoqëria e tyre është margjinale dhe periferike. Pra, intelektualët alocentrikë kanë mundur të përcjellin, konceptin e përkatësisë në një tërësi më të madhe se sa vetë shoqëria së cilës i përkasin dhe e përfaqësojnë, por në të njëjtën kohë, duke krijuar idenë e të qenit margjinalisht të pozicionuar në tërësinë e kësaj njësie qytetëruese.

Skënderbeu është model i kundërt. Krejt jeta dhe vepra e tij dëshmon botëkuptimin autocentrik. Botëpamja e tij ishte nuk ishte e qendërzuar as në perëndim dhe as në lindje, por në vendlindje. Skënderbeu është i ngjashëm me rilindasit, prandaj rilindasit shqiptarë e kanë kuptuar Skënderbeun më mirë se ne, edhe pse ne sot kemi mundësi më të shumta në sajë të pasurisë dokumentare të cilën ata nuk e dispononin.

Në diskursin e sotëm Skënderbeu zhduket nga fushëdebati. Debatet për heroin zhvendosen në një diskurs dominant të miteve antemurale, sipas të cilëve ne jemi flijuar për të mbrojtur Evropën apo krishterimin. Madje, akoma edhe më tej, se ai ishte mbrojtësi i vetëm i Krishtërimit nga osmanët. Gara e ballkanikëve për ta paraqitur veten si antemurale christianitatis, ose mburojë e krishtërimit, është e hershme. Citimi i një pohimi të Papës që e quan heroin “athletis Christi”, është vërtet minimal për t’ia mveshur një fetarizim aq të qartë. Në fakt, janë me miliona ata që gjatë gjithë mesjetës janë konsideruar nga të tjerët, nga kisha, apo e kanë konsideruar veten si “milles Christi”, apo ushtarë të Krishtit. Të gjithë kryqtarët, kundër myslimanëve, kundër paganëve apo kundër të krishterëve janë konsiderur si “milles Christi”, një term edhe më luftarak dhe i theksuar se sa “athletis Christi”. Madje shumë nga këta “ushtarë e atletë”, janë vendosur përballë njëri-tjetrit në fushën e betejës, sidomos në kryqëzatat e shumta të të krishterëve europianë kundër paganëve europianoveriore apo edhe të krishterëve të tjerë europianë. Pjesë e alocentrizmit është edhe konceptimi monoheroik i historisë shqiptare, që e kemi ruajtur vetëm ne dhe Turqia.

Shqipëria nën pushtetin e Skënderbeut ishte në aspektin ekonomik dhe demografik më e vogla, nga Shqipëria nën sundimin venedikas, por edhe nga ajo nën sundimin osman dhe gjithashtu edhe nga ajo pjesë që ndodhej nën sundimin serb, por roli i kësaj njësie politike mbetet thelbësor dhe themelor për rëndësinë dhe pozitën e saj strategjike jo thjesht në aspektin ushtarak e luftarak por në aspektin ekonomik dhe tregtar. Një nga treguesit e tërthortë më të rëndësishëm të kahut zhvillimit ekonomik është stabiliteti politik. Aftësia për të mbajtur një pushtet të qëndrueshëm pikësëpari varej nga mundësia për të ushqyer, siguruar dhe shpërblyer mbështetësit, ndjekësit dhe nënshtetasit e tij. Në se Skënderbeu nuk do të kishte qenë në gjendje të garantonte sigurinë dhe jetesën e njerëzve nën pushtetin e tij, edhe pushteti i tij nuk do të kishte zgjatur aq shumë.

Tregues të tjerë të tërthortë por disi më konkretë të kësaj ekonomie me kah zhvillimi pozitiv ka mjaftueshëm. Mjafton të krahasojmë situatën e dëshpëruar të sundimtarëve të fundit paraosmanë të Vlorës, markezit serb Zharko dhe të shoqes Rugina Balshës që kërcënoheshin nga venedikasit me marrje peng të zotërimeve të tyre për shkak të borxheve që kishin marrë nga tregtarët venedikas, me situatën e Skënderbeut që kishte mundësinë të dërgonte ambasadorë përtej Adriatikut, përveçse në Raguzë. Po ashtu mjafton të krahasojmë raportet e vazhdueshme të funksionarëve venedikas që flasin vazhdimisht për gjendjen e mjeruar të kështjellave dhe për pamundësinë e sigurimit të fondeve për meremetimin dhe forcimin e tyre me përshkrimet që i bëhen nga po nga këta funksionarë e të vizitorë të tjerë kështjellës së Krujës, si e mirëmbajtur dhe e fortifikuar më së miri. Ajo që mund të thuhet është se përballë pretendimit se këto mjete monetare të konsiderueshme për vendin e kohën Skënderbu i siguronte përmes plaçkitjes së tregtarëve në territoret e veta ose në territoret e Shqipërive fqinje, e kundërta duket të jetë e vërtetë. Ishte siguria që Skënderbeu kishte arritur t’u garantonte tregtarëve që i bënte ata të vinin për të tregtuar, qoftë ata raguzanë, në rrugët detare, qoftë shqiptarë në rrugë tokësore, duke sfiduar dhe shmangur kështu monopolin venedikas. Ndërtimi i fortesës së Rodonit ishte një hap i mirëmenduar për të mbrojtur skelën e Shufadasë nga piratët dhe venedikasit, përveçse një dritare komunikimi me bregun tjetër të Adriatikut.

Përfund, mund të thuhet që pavarësisht se në botëkuptimin alocentrik që mbizotëron sot synohet të paraqitet Skënderbeu si një shkatërrimtar i atdheut të tij, për të mbrojtur atdheun e Dantes nga rreziku që vinte nga atdheu i Mehmetit II, ai nuk e shkatërroi atë pjesë të atdheut ku ushtronte pushtetin e tij, por përkundrazi e zhvilloi dhe e mbrojti.