Histori

Dy fjalë për Durrësin dhe tërmetet - Nga Ardian Muhaj

(Shkëputur nga libri në proces botimi “Nga Ballkani në Mesdhe. Shqiptarët prej Mesjetës në agimin e Kohës së Re”, botim i Institutit të Historisë, Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë)

Një rast i veçantë është ai i Durrësit. Tërmeti i tmerrshëm i vitit 1269 i paraprirë nga kryqëzata e katërt më 1204 shënon fazën e dekadencës, e cila ka vazhduar deri në shek. XX. Pahimeri na njofton se si një lëkundje e tmerrshme e tokës sjell një rrënim pothuaj të plotë demografik. Për më tepër ka të dhëna të një tërmeti tjetër të rëndë më 1273 që i shton efektet e tragjedisë së vitit 1269. Popullsia e qytetit u reduktua aq shumë saqë, vite më pas më 1278, Karli Anzhu bënte përpjekje për të joshur popullsinë e larguar deri në Berat duke u premtuar privilegje të rëndësishme për t’u rikthyer në Durrës, dhe pavarësisht përpjekjeve për riparimin e kriporeve, shtëpitë vazhdonin të ishin të rrënuara. Më vonë edhe një udhëtar anglez i shek. XIV na e bën të qartë se as këto masa nuk kishin pasur efekt, pasi ai e përshkruan Durrësin “me pamje fshati dhe të vockël”, pikërisht për shkak të katastrofës së gjysëm shekulli më parë. Përshkrimi i udhëtarit anglez është me të vërtetë interesant pasi na thotë se edhe pse muret e qytetit përfshijnë një sipërfaqe të madhe, banesat ishin tashmë rudimentare e të vogla dhe qyteti është i shpopulluar që nga koha e tërmetit që zuri në rrënojat e shtëpive, banorët e saj. [“Ipsa autem civitas est in murorum ambitus amplissima, et in edificis vilis et exigua, cuia quondam terrae motu fuerat funditus eversa, et in ejus eversione ditissimi ejus cives et inhabitatores propriis palatiis oppressi fuerant… nunc autem in populo est sterilis…”] Pra, në fakt në Durrës nuk kemi të bëjmë me një “pushtim” të tij nga shqiptarët e rrethinave, por përkundrazi me një pushtim të qytetit nga moçalishtet dhe me kënetëzimin e zonës e bashkë me të edhe me malarizimin e qytetit megjithë rrethina.

Prandaj, janë të pagjasa pohimet e pambështetura në dokumente e fakte për ekzistencën e një universiteti në Durrës në shek. XIV, kur shkretimi demografik që kishin sjellë tërmetet e përmendura dokumentohet gjerësisht. Akoma më i pagjasë është supozimi i ndonjë autori se Durrësi në shek. XV kishte 60 mijë banorë. Pra, sipas këtij supozimi të paargumentuar Durrësi kishte dyfishin e popullisë së qytetit më të madh gjerman Këlnit (30 mijë) dhe qytetit më të madh anglez, Londrës (32 mijë në vitin 1377), apo pothuaj popullsi të njëjtë me kryeqytetet e shteteve më të mëdha europiane si Parisi dhe Venecia, dhe për më tepër popullsi shumëfish më të madhe se sa Barcelona, Lisbona, Madridi, Sevilja, Roma, Brukseli, Lioni, Marseja, madje më shumë se dhe vetë Konstantinopoja. Kjo tregon dobësinë e theksuar të metodologjisë që shpërfill qasjen krahasimtare, pasi do të mjaftonte një krahasim i thjeshtë për të shmangur shifra të tilla të pasakta. Nëse nuk dëshmohen pasoja në qytete të tjera nga tërmetet që goditën Durrësin në vitet ’70 të shek. XIII, epidemitë e murtajës duket se nuk i kursyen qytetet shqiptare. Kështu shkretimit të tërmetit, disa dekada më pas iu shtuan pasojat katastrofike të murtajës.

Kaq shumë ishte venitur rëndësia e Durrësit saqë në fillim të shek. XVI, në prag të marrjes së tij nga osmanët, Senati venedikas ishte i gatshëm t’u propozonte osmanëve dhënien e Durrësit me territorin përreth në këmbim të mbajtjes së Santa Maurës në rast se Sulltani këmbëngulte për marrjen e kësaj të fundit. As osmanët nuk i dhanë rëndësi Durrësit si port, me sa duket për shkak të ambjentit moçalor dhe karakterit të hapur të vendit. Dokumentet zyrtare venedikase e japin qartë problemin e malarjes që kërcënonte gjithnjë banorët e Durrësit me rrethina.