Histori

Vrasja e Presidentit Kenedi, dështim i shërbimeve sekrete amerikane - Nga Albana Lifschin

Duke hedhur një vështrim në të kaluarën, dështimin më të madh Shërbimi sekret amerikan e pati më 22 Nëntor 1963, kur nuk arriti të parandalonte atentatin kundër presidentit Xhon Kenedi, në Teksas. Si kishte ndodhur kjo? Gjatë hetimit, agjentët e Shërbimit sekret u përpoqën të shfajësoheshin duke gënjyer. Madje, ç’ishte më e keqja, ata ia vunë fajin vetë presidentit. E habitshme, e pabesueshme, por e vërtetë.

* * *

Brenda disa orëve nga vrasja e Kenedit, agjenti i shërbimit sekret, Roi Kellerman, i cili kishte qënë ulur në limuzinën e presidentit, e siguroi FBI-në që “… masat për vizitën e Kenedit në Dallas kishin qenë nga më rigorozet që ishin marrë ndonjëherë për vizitën e një presidenti në një qytet amerikan”.

Agjenti tjetër, Grir, që bënte punën e shoferit, qe fare pa përvojë (madje as në ngarjen e makinës). Procedura e shërbimit sekret nuk e lejonte atë të merrte inisiativën për veprime të shpejta evasive. Ndërsa kishte kthyer kokën dy herë nga presidenti gjatë të shtënave, ai ende priste urdhër nga Kellermani, në krah të tij. Gjatë hetimit të çeshtjes, Grir hezitoi të pohonte që pas krismës së parë, ai nuk e rriti shpejtësinë e makinës. Në të kundërt, limuizina vazhdoi rrugën me ngadalësinë e një kërmilli dhe qëndroi në vend, duke e kthyer presidentin në shenjestër të palëvizshme për snajperin. Që nga goditja e parë, agjentët sekret kishin 6 deri 7 sekonda për të bërë diçka, qoftë edhe për të evituar goditjen e dytë, që i mori jetën Kenedit. Sipas mjekëve ekspertë, nëqoftëse në intervalin midis të shtënës së parë dhe të fundit, që e goditi Kenedin në kokë, limuizina do të kishte shtuar shpejtësinë, do të ishte evituar goditja vdekjeprurëse.

Dejv Pauers, mik i hershëm i presidentit Kenedi dhe anëtar i stafit të Shtëpisë së Bardhë, që ndodhej në limuzinën e dytë, me të cilën udhëtonte zëvendëspresidenti Lindon Xhonson, rikujtonte: “Pas goditjes së parë vura re që trupi i presidentit lëvizi nga krahu i djathtë ku qe ulur, në ekstremin tjetër. Në të shtënën e dytë, guvernatori i Teksasit, Kanëlli, (Connally), që ishte ulur një sedile përpara tij, “u zhduk” nga pamja (qe plagosur - A.L.) dhe në të shtënën e tretë pashë që plumbi ndau kafkën e kokës së presidentit...”

Agjentët sekretë, gjatë 6-7 sekondave, ngrinë. Vetëm Klint Hill u hodh, duke kapërcyer në limuzinën e presidentit Kenedi. Një pjesë e kafkës së presidentit, me gjithë flokë, kishte rënë në sedile dhe gjaku qe shpërndarë gjithandej. Ai e mbuloi me xhaketën e tij kafkën e thyer dhe gjakun. Nga ajo ditë, agjenti sekret 31 vjeçar, Klint Hill, shembull i kurajos dhe guximit, nuk ishte më ai që kish qënë më parë. Ai moment jashtëzakonisht tronditës do ta shoqëronte gjithë jetën. Në vitin 1975, në një intervistë televizive dhënë gazetarit Majk Uallas (Mike Wallace), Hill shpërtheu disa herë në lotë, duke u ndjerë fajtor, ngaqë, sipas tij, nuk mundi të reagonte më shpejt, me të dëgjuar krismën e parë.

Reagimi i vonuar i agjentëve të shërbimit sekret për mbrojtjen e presidentit qe një e vërtetë e tmerrshme dhe e pamohueshme. Por gjatë kësaj ngjarje tragjike u zbuluan difekte të tjera të dukshme në punën e shërbimit sekret amerikan.

Së pari, agjentët nuk kishin trajnimin e duhur. Dy nga ata i kishin marrë të shtënat e para për krisma fishekzjarresh. Zonja Kenedi, e cila shoqëronte të shoqin, në dëshminë e vet përmendi njërin nga agjentët e shërbimit sekret, që nuk reagoi në momentin vendimtar (pas krismës së parë). Ishte fjala për “shoferin” Grir. “Duhet të zgjedhësh një shofer të mirë, që të mos të të ndodhë gjë”, qe shprehur më pas ajo.

Por gabimet e agjentëve kishin filluar më herët. Një natë më parë, në mbrëmjen e 21 Nëntorit, nëntë nga agjentët me detyrë për mbrojtjen e presidentit Kenedi ndodheshin në një lokal, duke pirë deri në orët e para të mëngjesit të 22 Nëntorit. Sipas rregullores, gjatë periudhës së udhëtimit të presidentit, agjentët e sigurimit e kishin rreptësisht të ndaluar pirjen e alkolit dhe nëse thyhej rregullorja, ata pushoheshin nga puna. Por në këtë rast fatal, kjo nuk ndodhi. Asnjë nga agjentët nuk u pushua. Shefi i tyre, Xhejms Rolli, i mbrojti ata, duke thënë se agjentët, të ndërgjegjshëm për seriozitetin e detyrës së tyre, premtuan se… “nuk do ta bënin më”.

Shefi i shërbimit sekret raportoi para komisionit hetimor dhe Kongresit se “pavarësisht nga fakti që kishin pirë, të nesërmen, më 22 Nëntor, të nëntë agjentët ishin paraqitur në punë në orën e caktuar, me kapacitet të plotë mendor e fizik dhe e kryen detyrën në mënyrë të kënaqshme”(!)

E vërteta ishte se të nesërmen në mëngjes asnjëri nuk kishte vënë re që autokolona e presidentit nuk ishte në formacionin e duhur. Të dy krahët e limuizinës së presidentit ishin lënë pa motorrë shoqërues, pra limuizina e tij qe e zbuluar nga të dy anët.

Shërbimi sekret nuk kishte bërë asnjë përpjekje për ta mbajtur të fshehtë itinerarin e presidentit. Në të kundërt, rruga që do të ndiqte autokolona qe botuar në gazetën lokale Times Herald, dhe madje, tre ditë para vizitës së presidentit në Dallas qe dhënë në mënyrë më preçize.

Agjentët sekretë në makinën pas limuzinës së presidentit ishin udhëzuar që të shikonin për ndonjë shenjë shqetësuese, jo vetëm nëpër turmën e popullit, që kishte dalë për të përshëndetur presidentin, por edhe në rrugët, dritaret e çatitë e godinave, si edhe kryqëzimet e mbikalimet. Edhe kjo detyrë nuk u krye.

Fillimisht, duke udhëtuar drejt Main Street, çdo gjë u duk se shkoi mbarë. Presidenti ndaloi në dy raste për të shtrënguar duart me banorët, që kishin dalë ta përshëndesnin, si dhe me një grup fëmijësh të vegjël. Turma e njerëzve ishte e qetë. Pikërisht në momentin kur limuizina mori kthesën në rrugën Elms (ku ndodhi atentati), guvernatori i Teksasit qe kthyer nga presidenti Kenedi, duke i thënë: “Zoti president, ju nuk mund të thoni se Dallasi nuk ju do”.

Në fare pak çaste, u dëgjua e shtëna e parë mbi autokolonë dhe presidenti mbërtheu fytin me të dy duart. Agjenti Kellerman, që ishte në sedilen e parë, pranë shoferit, dëshmoi se kishte dëgjuar fjalët e tij: “O Zot, më qëlluan!” ( Pikërisht ai Kellerman që raportoi se ishin marrë masat më strikte për vizitën e presidentit në qytet).

Sipas versionit zyrtar, përshkruar nga shërbimi sekret, Li Harvi Osvald shtiu nga dritarja e katit të gjashtë të godinës së magazinës së teksteve shkollore. Asnjë nga agjentët sekretë, që kishin detyrë mbrojtjen e presidentit, nuk e vuri re snajperin, ndërkohë që atë e kishin parë disa persona të zakonshëm. Fotografi Bobi Xhekson dëshmoi se kishte parë snajperin me armë në dritaren e katit të gjashtë të godinës së magazinës së librave për shkollat. Shërbimi sekret duhej ta kishte “skanuar” këtë vend, ku godinat shumëkatëshe vinin në krah të njera tjetrës dhe ku prej çdonjerës prej tyre shikohej si në pëllëmbë të dorës rruga Elm, në të cilën do të kalonte autokolona e presidentit.

Për vrasjen e presidentit Kenedi, shërbimi sekret ia vuri fajin vetë presidentit, për mosvënien e kupolës së limuzinës, e cila do ta kishte mbrojtur. Mirëpo, kupola e makinës së presidentit nuk ishte antiplumb, prandaj edhe sikur të qe vendosur, ishte njëlloj sikur plumbi ta qëllonte presidentin përmes xhamit të dritares. Gjithsesi, fakti që presidenti udhëtonte me limuzinë të hapur, u shfrytëzua për të fajësuar vetë presidentin, i cili “ia kishte bërë vetes”, duke qënë neglizhent në mbrojtjen e tij.

U bë e modës për njerëzit që dinin pak ose aspak për procedurën e mbrojtjes së presidentit nga agjentët sekretë, që të bënin biseda rreth tipit të pakujdesshëm të Xhon Kenedit. Shërbimi sekret nuk reagoi t’i hidhte poshtë këto mendime. Për të, ky opinion shërbente si një re tymi rreth asaj që ndodhi në të vërtetë në Dallas, më 22 Nëntor 1963. Madje, perceptimet për presidentin, si neglizhent, i pakujdeshëm etj., u përhapën publikisht kaq shumë, sa qe edhe më pas, në vitin 1979, në një mbledhje me përfaqësues të komisionit të zgjedhur për atentatet, u tha se “Presidenti Kenedi përbënte problem për shërbimin sekret, për shkak të stilit të tij. Ai udhëtonte më shumë se paraardhësit dhe i pëlqente takimi me turmat e popullit”.

* * *

Një fakt tjetër. Për shkak të kordinimit të keq midis Shërbimit sekret, FBI-së dhe Policisë së Dallasit, agjentët sekretë as nuk e kishin idenë, që një bandë disidentësh nga Kuba, të quajtur Alfa 66, kishin kërcënuar jetën e Kenedit. Kubanezët e Alfa 66 ishin të egërsuar me Kenedin, sepse gjatë invazionit në “Bay of Pigs”, ai kishte refuzuar t’i mbulonte ata me sulme ajrore. Alfa 66 e bënte presidentin personalisht përgjegjës për humbjen shkatërrimtare prej ushtrisë së Kastros. Ky grup kishte disa javë që bënte mbledhje në një shtëpi në Dallas, përpara vizitës së Kenedit. Vetëm një ditë pas atentatit, policia e Dallasit informoi shërbimin sekret, se ato kohë kishte qenë duke vëzhguar Li Harvi Osvaldin, i cili qe takuar me një grup kubanezësh. Shërbimi inteligjent nuk e kishte fare në listën e të dyshuarve Li Harvin. Detektivët e Dallasit paraqitën një listë me 400 emra të dyshuarish, por Li Harvi, i vetëquajturi marksist, megjithëse i pasqyruar në shtypin lokal edhe për arratisjen e tij në Bashkimin Sovjetik, nuk qe përfshirë në atë listë. Kështu, shërbimit inteligjent i humbi një shans për ta kapur Li Harvin.

Gabimi tjetër i Shërbimit sekret ishte që presidenti Kenedi dhe zëvendëspresidenti Lindon Xhonson ishin të dy bashkë në atë udhëtim, në të njejtën rrugë, në limuzina të hapura, vetëm pak metra njëra nga tjetra. Asnjëherë më, qysh nga ajo ditë, presidenti amerikan dhe zëvendësi i tij nuk u lanë më në të njejtin vend.

* * *

Skena tragjike e vrasjes së presidentit Kenedi në Dallas la vragë të thella në të gjithë kombin amerikan. Shërbimi sekret, mënyra e mbrojtjes së presidentit, duhej reformuar. Numri i agjentëve për mbrojtjen e presidentit u shtua, si dhe u perfeksionua trajnimi agjentëve të veçantë.

U rrit bashkëpunimi në mes Shërbimit sekret dhe agjencive të tjera. E megjithatë, kjo nuk mund të shmangte ndodhitë tragjike që erdhën më pas.

Botuar së pari tek gazeta “Tirana Observer”

Titulli është i Redaksisë së Flasshqip.ca