Histori

Si vendosa të shkruaj libër për Mbretin Zog - Nga Erald Kapri

Mëngjesi i 28 Nëntorit 2012 nuk ishte i zakonshëm në Londër. Në zyrat e Ministrisë së Jashtme Britanike organizohej një tryezë për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. U ftova të merrja pjesë në këtë nderim mes disa shqiptaro-britanikëve të njohur dhe mendimtarëve të huaj të çështjes shqiptare. Vështirë se mund të përshkruhet emocioni i një 25 vjeçari që gjendej në kryeqytet me bursë studimi nga “Foreign Office” tek ngjiste shkallët e zyrave më të rëndësishme të diplomacisë në shekuj.

Isha herët… Një nga krerët e Departamentit që mbulonte Shqipërinë më ftoi të hyja në sallë duke më ofruar një çaj. Në dhomën e lartë, tryezën e gjatë prej druri, ndodhej një oxhak e sipër tij një pikturë e dy zotërinjve të shekullit XIX të jetësuar në të njëjtin oxhak. Admirali Nelson dhe Duka i Uellingtonit, dy strategët ushtarakë që mposhtën Napoleonin, ishin takuar vetëm njëherë gjatë jetës së tyre, në atë dhomë, pranë atij oxhaku.

- A thua se pritën t’i ftonin në këto zyra që të njihnin njëri-tjetrin, thashë me zë të lartë. –Ndoshta, m’u përgjigj diplomati, ftesën s’mund ta refuzonin. Mbreti Zog e priti shumë vite, jetoi këtu afër, por nuk u ftua kurrë.

Vërtet! Zogu u strehua për 6 vite në Londër në kohën e luftës, por aktiviteti i tij ngjallte një lloj misteri. Këtu nisi iniciativa për të shkruar këtë libër, për të hedhur dritë mbi përpjekjen e Monarkut Shqiptar në vitet e Luftës së Dytë Botërore.

Mungon një botim mbi jetën e Zogut në mërgim, veçanërisht mbi luftën e tij të panjohur. Ky botim merr më shumë kuptim në 80 vjetorin e nisjes së luftës. Të shkruash për Mbretin mbetet ende e vështirë teksa emri i tij shkakton emocione të përziera, mes atyre që dënojnë largimin më 7 Prill dhe atyre që vlerësojnë përpjekjet tij në luftë.

Mbreti Zog nuk u njoh zyrtarisht nga aleatët si kreu në mërgim i shtetit shqiptar ndonëse ishte ndër aleatët e parë që kishte rënë viktimë e boshtit fashist. Pse italianët vendosën të pushtojnë Shqipërinë edhe pse kishin influencë të plotë mbi të? Si i rezistoi Zogu mësymjes italiane? Cila ishte pasuria e shumëpërfolur? Çfarë përpjekjesh bëri për t’u njohur si kreu legal i Shtetit Shqiptar? Pse aleatët nuk e njohën kurrë Zogun ndonëse nuk dyshuan asnjëherë në qendrimin e tij proaleat? Cilat ishin planet ushtarake që mund të rikthenin Zogun në fronin e luftës? Pse Zogu u mënjanua, dhe pse Shqipëria ra në influencën sovjetike? Ky botim u jep modestisht përgjigje këtyre pyetjeve dhe të tjerave.

Libri vjen ndryshe... Ai nis me momentin më të rëndësishëm e luftës, kur dy fituesit saj, Çërçilli dhe Stalini ndanë influencën në Ballkan përmes një “dokumenti të ndyrë”, siç e cilësonte Çërçilli që nisi të interesohej për Zogun.

Libri trajton gjithë përpjekjen e Zogut që nis me dasmën e tij me Konteshën Geraldinë Apony. Martesa simbolizonte kulmin e Zogut por shënoi rënien e tij, për faktin se italianët besonin se po humbnin influencën në Shqipëri pas bashkimit të Gjermanisë me Austrinë. Ky botim synon të vendosë Mbretin Zog në kontekstin e kohës, kur fuqitë Europiane nënshkruan Traktanin e Mynihut për të shmangur luftën, por lufta nisi me dy viktimat e para; Çekosllovakinë dhe Shqipërinë. Libri trajton Zogun në syrin e diplomatëve të kohës në përballjen e monarkut shqiptar me italianët, muajt e tensionuar të para pushtimit të Shqipërisë, ditët e fundit të Zogut në pushtet dhe pushtimin më 7 prill 1939.

Ky botim përmban një hulumtim të plotë të pasurisë së Zogut, nga ajo personale, llogaritë e fshehta bankare të Europë, bizhuteritë e çmuara të kurorës apo fondin e thesarit të shtetit që u mor me vete dhe mënyrën si u shpenzua.

Hulumtimi nxjerr Zogun pas dyerve të mbyllura të niveleve më të larta vendimmarrëse aleate, rrugëtimin në Europë të monarkut dhe vendosjen në Britaninë e madhe. Marrëdhënia me mërgatën shqiptare, Fan Nolin dhe Faik Konicën, lojën e aleatëve për të ardhmen e Shqipërisë, telashet me shtypin dhe jo vetëm, njohja e një qeverie në mërgim apo edhe planet ushtarake për ta rikthyer sërish në frontin e luftës, rrëfehen të gjitha në këtë libër. Rrjedha e luftës mund të ishte krejt ndryshe nëse Zogu do lejohej të kthehej në Shqipëri por një veto e Greqisë ndryshoi gjithçka.

Roli i Zogut në luftë është nënvlerësuar dhe kapitulli i tij mbyllej me 7 prillin. Përpjekja e tij për t’u rikthyer si protagonist rezulton konkrete dhe përtej kufizimeve, Zogu fitoi një admirim në zyrat ndikuese aleate. Gjatë gjithë rrugëtimit të tij, ai nuk gaboi politikisht dhe besoi se peshorja e luftës do anonte nga aleatët. Ndikimi i Zogut la gjurmë tek protagonistët e luftës, Çërçilli, Stalini, Ruzvelti. Por rikthimi nuk varej më prej tij por prej kushteve të tjera që trajtohen në këtë libër. Mbreti Shqiptar ishte i vetmi monark nga të ikurit që u përfshi në plane sekrete për të organizuar lëvizje ushtarake.

Burimi kryesor i këtij botimi janë disa mijëra faqe dokumente të marra në Arkivin Britanik në Londër, disa prej të cilave janë vërtetë befasuese. Dhjetëra dosje të arkivuara mbajnë emrin e Zogut. Më është dashur të studioj me kujdes dosjet nga Ministria e Jashtme Britanike, Ministria e Luftës, zyra e kryeministrit, zyra e Thesarit dhe zyrat sekrete të SOE-s dhe Seksionit D të ngritura nga Uinston Çërçill. Korenspondencat e diplomatëve britanike në shumë shtete që informonin mbi lëvizjet e Mbretit shqiptar dhe çështjen e komplikuar shqiptare, copëza gazetash të ruajtura me kujdes, letra të shumta të drejtuara zyrtarëve britanikë, janë pjesë e këtij botimi.

Përmbledhja e dokumenteve të Ministrisë së Jashtme Italiane janë një burim i madh për të kuptuar motivet e 7 Prillit. Arkivi Qendror i Shtetit Shqiptar, Arkivi Amerikan, Muzeu Imperial i Luftës, dorëshkrime, artikuj, gazeta, dhe libra të panjohur plotësojnë këtë kërkim.

Arkivi i Familjes Mbretërore Shqiptare ështe një zbulim më vete. Dhjetëra dokumente, korenspondenca, shënime të Mbretit Zog ruhen me kujdes nga Princi Leka, i cili nuk më kushtëzoi asnjë moment njohjen e tyre. Për këtë i detyrohem mirënjohje të thellë. Në libër, jepen edhe disa dokumente që botohen për herë të parë.

Shumë prej vendeve ku Zogu jetoi gjatë luftës, i shkela vetë. Hotelin “Ritz” i cili nuk ka ndryshuar shumë nga koha kur Zogu jetoi 10 muaj nën alarmet e shpeshta të bombardimeve gjermane. Emri i tij figuron në librin e klientëve të nderuar ndërsa punonjësit e hotelit tregojnë ende histori nga “koha e Zogut”, me valixhet të mbushura me ar që ruheshin në dhomën e gjumit, truprojat që patrullonin koridorin e gjatë, apo edhe ekzagjerime për lojëra të zgjatura pokeri me anglezë të pasur anonimë. Vizitova vilën “Parmoor” në periferi të Londrës e cila ka edhe një përmendore që nderon katër vitet e qendrimit të Zogut. Ajo administrohet nga një grup bamirësie besimtarësh anglikanë dhe mund të vizitohet lirisht.

Në fund të këtij libri u takon lexuesve të gjykojnë mbi përpjekjet e Mbretit Zog…