Histori

Traditat e festave të fundvitit - Nga Kliti Kallamata

Pushimet, argëtimet, karnavalet, banketet, kolendrat, qirinjtë, kurorat e gjelbërta, poçkat, kumari dhe ashikët

Festa e Krishtlindjes është ndoshta festa më e gëzueshme e vitit. Njerëzit ndërpresin punën dhe bëhen gati të festojnë. Ata përgatisin bankete me ushqime e pije të shumta, bëjnë kolendra (figurina me brumë të pjekur, si biskota), blejnë e ndezin qirinj të veçantë, vishen me rroba plot ngjyra, varin kurora të gjelbërta në dyer e dritare, shkëmbejnë dhurata, blejnë figurina e poçe qeramike dhe shpesh në qoshe rrugësh apo rrugica sheh të rinj por edhe të rritur që luajnë kumar me zare. Por jo vetëm në rrugë, lojërat e kumarit luhen edhe nëpër familje dhe në këtë sezon festash ato duken krejt normale. Por ç’lidhje kanë banketet familjare, kurorat e gjelbërta, shkëmbimi i dhuratave, blerjet e figurinave apo poçeve prej qeramike dhe për më tepër lojrat e kumarit me ditëlindjen e Krishtit?

Asnjë.

Të gjitha këto i përkasin një tradite shumë më të vjetër se Krishterimi.

Në Romën antike ditët më të bukura të vitit ishin ato të fundvitit, kur festohej festa më popullore dhe më e dashur e romakëve - Saturnalia. Kjo festë i dedikohej perëndisë Saturn, që për romakët ishte pak a shumë ekuivalent i perëndisë greke Kronus. Saturni ishte perëndia e brezave, gjeneratave, bollëkut, pasurisë, bujqësisë, shpërbërjes, përtëritjes periodike dhe çlirimit.

Saturnalia lindi si një festival i fermerëve, të cilët festonin fundin e sezonit të mbjelljeve të vjeshtës për nder të perëndisë Saturnus. Livi thotë se festivali u krijua në vitin 496 para Krishtit, por të dhënat flasin se ai ka filluar shumë më herët. Fillimisht festivali festohej në një ditë të vetme, në ditën e 14-të para Kalendave të Janarit (19 Dhjetor me kalendarin e sotëm), por më vonë u zgjat në 3 ditë. Me reformën e Kalendarit Julian, Saturnalia festohej 16 ditë para Kalendave të Janarit (17 Dhjetor). Nga fundi i periudhës së Republikës festivali u bë aq popullor sa zgjaste një javë, deri në ditën e 10-të para Kalendave të Janarit (23 Dhjetor), duke u bashkuar kështu edhe me një festë tjetër të romakëve, që zhvillohej në ato ditë, të quajtur Sigilliaria.

Sigilliaria ishte një festival i lashtë i kukullave, që zhvillohej në ditën e solsticit dimëror, në 23 Dhjetor, ku prindërit u dhuronin fëmijëve të tyre kukulla. Më vonë filluan edhe të rriturit të shkëmbenin kësi dhuratash me njëri-tjetrin. Ata u bënin vizita miqve e të afërmve të tyre, shkëmbenin me ta fruta dhe arrat e sezonit, qirinj dylli, kukulla qeramike dhe brumi. Këto figurina romakët i quanin "sigilla", nga ku festivali mori edhe emrin “Sigilliaria”.

Festa e Saturnalias fillonte në 17 Dhjetor me sakrifikime në Tempullin e Saturnit (i cili qëndron ende sot në skajin perëndimor të Forumit Romak dhe mendohet të jetë tempulli më i vjetër romak që trashëgohet nga ajo periudhë). Më pas festa vazhdonte deri në 23 Dhjetor me bankete publike, karnavale dhe argëtime, gjatë së cilës njerëzit thërrisnin përshëndetjen karakteristike “Io Saturnalia”.

Gjatë festës së Saturnalias romakët zbukuronin shtëpitë e tyre me gjelbërime. Mbi dyer e dritare vendoseshin kurora me bimë të gjelbërta, nga ku vjen tradita e kurorave të gjelbërta që ne varim sot nëpër dyer e dritare me rastin e Krishtlindjes.

Si rregull gjatë Saturnalias mbylleshin të gjitha aktivitetet e punës të të rriturve si dhe shkollat për fëmijët dhe të gjithë i dedikoheshin argëtimit. Njerëzit hiqnin veshjet e përditshme dhe ato zyrtare dhe mundoheshin të visheshin sa më rehatshëm dhe me sa më shumë ngjyra. Në fillim të festës në çdo familje zgjidhej (me short) një “Princ i Saturnalias”, i cili mund të urdhëronte për çdo gjë dhe këdo e të gjithë duhet ti bindeshin. Kjo krijonte shpesh skena humori. Këtu e kanë origjinën veshjet dhe humori i karnavaleve që ne trashëgojmë sot (të cilat në Korçë zhvilloheshin gjithmone në prag të Krishtlindjes), si dhe shorti i parasë që vihet në tepsinë e bakllavasë, apo të byrekut.

Fëmijët gjithashtu merrnin lodra e dhurata të shumta, një traditë që vazhdon edhe sot.

Në banketet familjare, që zakonisht ishin të rënduara me ushqime të shumta, bashkoheshin edhe skllevërit. Gjatë këtyre ditëve përmbyseshin rolet shoqërore. Qytetarët e lirë mund të mbanin kësulat karakteristike të skllevërve, në mënyrë që të gjithë të ishin njesoj e të mos dalloheshin. Pronarët mund tu shërbenin skllevërve dhe të rriturit mund tu shërbenin më të vegjëlve (pasi këto ditë konsideroheshin ditë lirie). Horaci e quante këtë "liri e Dhjetorit". Liria shkonte deri aty sa skllevërit lejoheshin të mos i bindeshin edhe ndonjë urdhëri e të mos ndëshkoheshin për këtë. Në vend që të punonin, skllevërit mund të kalonin kohën e tyre duke pirë, duke festuar dhe duke shijuar kënaqësitë e tyre.

Madje ata mund të luanin edhe kumar sikurse edhe qytetarët e tjerë, pasi liria shtrihej edhe tek lojrat e kumarit, të cilat në Romën antike ishin të ndaluara me ligj. Vetëm gjatë Saturnalias njerëzit mund të luanin legalisht. Romakët luanin kryesisht me zare, të cilat ishin dy llojesh: të vogla ose të mëdha me faqe nga 1 deri në 6, siç i kemi edhe sot. Nga shekulli i dytë u përhapën edhe zaret me 20 faqe, të cilat luheshin në mbretërinë Ptolemaike të Egjyptit qysh në shekullin e 2-të para Krishtit.

Një lojë tjetër shumë e popullarizuar ishte edhe ajo me kockat e nyjeve të këmbëve të qingjave, deleve e dhive, të cilave sot korçarët u thonë “ashikë” dhe me to luante deri vonë i madh e i vogël. Këto kocka kanë dy anë të rrumbullta, ku nuk mund të qëndrojnë, dhe dy anë të sheshta. Kjo lojë është shumë e vjetër. Atë e përshkruan edhe Homeri tek Iliada dhe Odisea. Romakët e quanin 'tali' dhe kjo ishte një lojë shumë e përhapur sidomos për gratë e fëmijët. Fëmijët gjithashtu luanin me arra, një traditë kjo që ruhet edhe tek ne sot për Krishtlindje.

Dita e fundit e Saturnalias (23 Dhjetor) ishte festa e Sigilliarias, apo dita e dhurimit. Gjatë kësaj dite dhuroheshin apo shkëmbeheshin qirinj, figurina të vogla prej balte, dylli, qeramike si dhe figurina prej brumi. Këto të fundit ishin figurina që bëheshin me brumë e më pas piqeshin në formë biskotash. Format e tyre ishin të ndryshme dhe amvisat mundoheshin të përfaqësonin në to njerëz të ndryshëm, heronj, perëndi, kuçedra, etj. Pikërisht këtu e ka origjinën festivali famshëm i Kolendrave, që zhvillohet tradicionalisht në Korçë në 23 Dhjetor. Vetë fjala “kolendra” vjen nga “Kalenda” pasi ato zhvilloheshin 10 ditë para Kalendave të Janarit.

Gëzuar Krishtlindjen!