Histori

Historia e Eduard Leedskalnin ose fuqia e pabesueshme e shpirtit njerëzor - Nga Albana Lifschin

Nga: Albana Lifschin

Kemi dëgjuar që njerëzit në momente të rënda dëshpërimi kanë arritur deri në vetëvrasje. Por a mundet që dëshpërimi, gjithashtu, të çlirojë energji pozitive, të fuqishme, duke prodhuar realitete të pabesueshme? E gjitha kjo histori ngjan si një përallë deri në momentin që gjëndesh përballë saj.

Zanafilla nisi në Lituani, ditën e kurorëzimit në martesë të dy të rinjve të dashuruar. Ndryshe nga ç'e priste, për Eduardin 26 vjeçar, ajo qe dita e zhgënjimit të madh. Vajza e braktisi para altarit, për dikë tjetër. Një rrufe e papritur kishte çarë tejpërtej qiellin e kaltër.

Ishte viti 1921, kur Eduard Leedskalnin la vendin e tij të lindjes, Lituaninë, për të “kapërcyer” Atlantikun. Pas tronditjes që pësoi, djali kishte vendosur të ikte larg, sa më larg syve të botës, për të jetuar përfundimisht diku, në vetminë e tij.

Arriti në Kaliforni, ku ndenji disa muaj. Pastaj shkoi në Teksas dhe prej aty në Florida. Në “shtetin e diellit” u vendos në skajin më jugor të tij. Pasi eksploroi këtë vend me pamje marramendëse, fillimisht ndërtoi një kabinë druri për veten. Aty mblodhi mendimet dhe zhvilloi fantazinë e tij. Ç'do të bënte më tej?

Një kështjellë e madhe dhe e veçantë me gurë korali, ndryshe nga çdo tjetër mori formë në imagjinatën e tij. Ajo ishte kështjella e ëndrrave të tij dhe, sa kohë që gjithçka varej vetëm nga ai, nuk do të kishte forcë që ta ndalte në rrugën e realizimit.

Rruga qe e gjatë, 25 vjet punë artistike. Për një çerek shekulli, askush nuk e dinte se çfarë bëhej në atë skaj të botës.

Kështjella e ngritur sipas imagjinatës së tij, u rrethua nga mure të lartë, deri në 7 metra, të ndërtuar nga blloqe të mëdhenj gurësh korali. Secili prej tyre peshonte disa ton. Vetëm kulla e kështjellës përmbante në vetvete gurë të tillë të mëdhenj korali, që të gjithë së bashku kishin një peshë prej 160 tonësh. Pas mureve të kështjellës së koralit, vizitori zbulon një ambient banimi, ku çdo objekt është punuar me mjeshtëri të hollë, nga duart e një njeriu të vetëm, Eduardit.

Të gjitha “mobiljet” e shtëpisë-kështjellë, janë të ndërtuara nga gurë korali. Shikon shtretër, tavolina e karrige të gjithë llojeve, masave e formave. Në mes tyre është një tavolinë e madhe korale në formën e shtetit të Floridës dhe një tjetër në formën e zemrës. Karriget relaksuese (“rocking chairs”) e çdo “karrige” korale që peshon rëndë, çuditërisht mund të lëvizen me nje prekje të lehtë të dorës për të ardhur sërish në balancën e vet po ashtu.

Hyrja brenda kështjellës së Eduard Leedskalin bëhet nëpërmjet një porte prej guri, që peshon tre ton, por që rrotullohet lehtësisht, duke të dhënë mundësinë e hyrjes brenda keshtjellës.

Një teleskop i gdhendur nga gurë korale lartësohet deri në 8 metra. Nëpërmjet këtij teleskopi, ai bënte studimet e tij astronomike natën, në qiellin e Floridës.

Si në çdo kështjellë edhe këtu ka një pus, nëpër të cilin zbret një shkallë spirale korale, e gdhendur deri poshtë, në ujë.

Në parkun e kështjellës korale ka gjithashtu një shkallë hekuri, nga maja e së së cilës mund të shikosh tërë pamjen e mrekullueshme përreth.

A thua, duke u marrë me këtë punë gjigande dhe artistike njëkohësisht, mjeshtri e harroi të dashurën e tij, që e pat quajtur “sweet sixteen” (e dashura qe 16 vjeçe)? A mos ndoshta e gjithë kjo kështjellë e jashtëzakonshme u ndërtua duke pasur pikërisht atë ndër mend? Këto pyetje të lindin tek shikon shtratin për dy vetë, shtretër të vegjël fëmijësh, si edhe një djep korali. Po ashtu, edhe një shesh për të luajtur fëmijët…

Ndoshta, kjo ishte jeta që pat ëndërruar ai…

Eduard Leedskalnin nuk u martua kurrë. Ai zgjodhi jetën e një eremiti, që ndjente pulsin e ëndrrës familjare në këtë kështjellë të madhe që ndërtoi për të.

Pyetja e fundit, që dikë mund ta zgjojë nga magjia e kësaj përalle: Si mundet një njeri i vetëm të ketë përballuar fizikisht ndërtimin më këta gurë shumëtonësh, pa patur asnjë mjet modern pune? Cili qe sekreti i tij? Kur e pyetën për këtë, ai u përgjigj se “… dinte sekretin e ndërtimit të piramidave të Egjyptit”.

Cili qe ai sekret? Eduard Leedskalnin e mori e me vete kur vdiq, në dhjetor të vitit 1951, në një spital të Majamit.

Nju Jork, 2015

(Përmbledhur në librin "Perëndimi Mistik" - publicistikë letrare, 2016)