Histori

Historia e shtrigave të Salemit, e vjetër dhe gjithnjë aktuale - Nga Albana Lifschin

Nga: Albana Lifschin

Nga kujtesa e fëminisë më kishte mbetur një imazh i papërcaktuar lidhur me "Shtrigat e Salemit".

Thjesht koncepti shtrigë për fëmijët është i frikshëm.

Sigurisht atëherë ne nuk e dinim që kjo ishte një histori reale dhe vendngjarja, Salemi, ndodhej në SHBA.

Gjuetia e shtrigave të Salemit ka tërhequr vëmendjen e historianëve, studiuesve e është përjetësuar në letërsi artistike, dokumentare dhe në kinematografi.

Kjo histori zuri fill në vitin 1692 në fshatin Salem (sot Danvers) Massachusets.

* * *

Jeta për banoret e Salemit ishte e vështirë. Pastrimi i tokës nga shkurret, ndërtimi i shtëpive e hapja e rrugëve, lufta kundër sulmeve të parreshtura të indianëve kërkonin kurajo e qëndresë heroike.

Në njerën anë vështirësitë e jetës në vendin ku kishin ardhur, në anën tjetër taksat që u kishte vënë Anglia, e kishin bërë edhe më të rëndë jetën e puritanëve në koloni. Jeta e tyre përmblidhej vetëm në punë dhe në kishë.

Manifestimi i gëzimit dhe kënaqësisë konsiderohej si diçka mëkatore e nuk shihej me sy te mirë nga besimtaret. Fëmijët e kishin të ndaluar të luanin me kukulla, pasi kukullat si kopje të vogla të qënieve njerëzore konsideroheshin të dëmshme.

Ato ishin objekte që i përdornin shtrigat. Puritanët mendonin përderisa besimi i tyre ishte më strikti dhe më i vërteti, djalli ishte i interesuar ta shkatërronte.

Nga kjo pikëpamje çdo puritan e shikonte djallin si një armik "personal".

Ata persekutonin këdo që nuk i konformohej besimit të tyre. Kjo bëri që disa njerëz të largoheshin nga Salemi. Të tjerë filluan të shkëpusnin lidhjet me kishën e tyre duke u bashkuar me kisha të tjera përreth.

Dimri vitit 1692 erdhi i trishtuar. Midis banoreve të Salemit kishin filluar grindjet. Grindje kishte edhe brenda familjeve, madje edhe brenda vetë kishës.

I vetmi prift i mbetur në kishë ishte Samuel Parris, i cili përpiqej të pajtonte banorët.

Problemet erdhën duke u mpleksur kaq keq sa klerikët për paudhësitë që po ndodhnin fajësonin djallin që kishte bërë vend në mes të njerëzve.

Prindërit, ishin të detyruar dy here në jave bashkë me fëmijët e tyre të shkonin në mbledhje ku prifti i kishës i këshillonte të ishin të kujdesshëm, të mos binin pre e djallit.

Megjithatë kjo nuk i pengoi një grup vajzash nga mosha 9 deri në 19 vjeç, midis të cilave edhe vajzën e zotit Parris, të mblidheshin pikërisht në shtëpinë e tij për të dëgjuar me kureshtje tregimet e skllaves indiane Tituba.

Në gjuhën e Titubës historitë e Biblës, Adamit dhe Evës tingëllonin intriguese. Për më tepër Tituba dinte t’u lexonte fatin në vijat e pëllëmbës së dorës.

Vajzat adoleshente të mbështjella në fantazitë joshëse të tregimeve të Titubës vazhdonin të takoheshin rregullisht megjithëse e ndjenin që diçka nuk shkonte.

Kështu vazhdoi kjo histori deri sa një ditë u vu re që vajzat po manifestonin sjellje të çuditshme. Ishin nervoze, bërtisnin, qanin pa arsye, flisnin në gjumë.

Më e vogla ndër to, Elisabeth Parris, vajza e priftit të kishës, rrinte me ore të tëra e heshtur dhe pastaj papritur bërtiste e trembur duke thenë se shihte fantazma pranë shtratit të saj. Mjeku i tha zotit Parris se të bijës i kishin bërë magji.

Lajmi u përhap shumë shpejt. Njerëzit besonin që në fshat kishte shtriga. Kur dëgjoi se çfarë i kishte ndodhur Elisabetës, shoqja e saj, An Putnam kishte thirrur e ishte plasur përdhe.

Në mbrëmje u përhapen fjalë që edhe atë kishte zënë magjia. Diagnoza e magjisë kishte ardhur si zgjidhja me fatlume që mund të bëhej për vajzat.

Kjo i vuri kapak shqetësimit të tyre se dikush mund t'i pyeste për shoqërinë me Tituban. Vajzat "e sëmura nga magjia" u shtuan njëra pas tjetrës.

Kur u thirrën në pyetje, se kush u kishte bërë magji, ato zunë të thërrisnin e përplaseshin në dysheme. Së fundi, me e reja nder vajzat përmendi emrin e Titubës.

Pas saj vajzat përmenden edhe emra të tjerë që s'kishin të bënin fare me to. Gjyqi i grave të akuzuara për magji u kthye në nje ngjarje të jashtëzakonshme për koloninë. Të tre gratë ishin të trembura e të konfuzuara.

Edhe pse u përbetuan se s'kishin të bënin me Djallin askush nuk i besoi ato. Vajzat e reja u thirrën si dëshmitare. Ato me të parë gratë zunë të thërrisnin, të flisnin përçart e alivanoseshin në dysheme.

Kjo vërtetoi fajësinë grave dhe ato u morën e u plasën përsëri në qeli. U përhap lajmi që në fshat kishte shtriga të tjera që s'ishin zbuluar akoma dhe njerëzit fillonin të shikonin përreth me dyshim.

Filloi histeria e gjuetisë së shtrigave, e cila u përhap si sëmundje ngjitëse edhe jashtë Salemit duke rritur numrin e të pafajshmëve me shpejtësi.

Brenda 5 muajve në koloni u burgosen 200 vetë.

Të akuzuarit që insistonin në pafajësinë e tyre, nuk bënin gjë tjetër veçse vulosnin dyshimin.

Në 22 Shtator 1692 u ekzekutuan me varje 20 veta të "implikuar me djallin".

Pas ekzekutimit të fundit në Gallows Hill, histeria e gjuetisë së shtrigave çuditërisht ra përnjëherësh.

Njerëzit filluan të reflektonin me gjakftohtësi për ato që kishin ndodhur ato 16 muaj. Veçanërisht ekzekutimi i Rebeka Nurse, gruas së respektuar që gëzonte një reputacion të madh për devotshmërinë e saj ndaj kishës, kishte lënë brengë tek të gjithë.

Gruaja e vjetër qe akuzuar se kishte vrarë dy fshatare nëpërmjet magjisë dhe thellë- thellë në shpirt njerëzit besonin që ajo ishte e pafajshme.

Në janar 1693, gjykata filloi të lironte të burgosurit që ishin arrestuar për lidhje me djallin. Në 1696, 12 burra që kishin bërë gjykimet lëshuan një dokument në të cilin kërkonin falje publike.

Për shumë vite më pas, njerëzit agjëronin një ditë në shenjë pendese për atë që kishte ndodhur.

Gjyqtari Samuel Sewall, personalisht e ndjente si ditë të poshtërimit të vetvetes. Në përgjithësi e gjithë kolonia vuante pasojën e gjuetisë së shtrigave.

Veç të ekzekutuarve me varje, shumë të tjerë të pafajshëm kishin vdekur në burg. Njerëz të ndershëm për t’u shmangur akuzave të padrejta ishin larguar nga kolonia dhe nuk kishin me dëshirë të ktheheshin. Pronat e tyre u shkatëruan e u konfiskuan.

Kujdesi për shtëpitë, të mbjellat, ishin lënë pas dore dhe prodhimet bujqësore ranë e mbuloi varfëria.

Njerëzit kishin qenë kaq të dhënë pas gjuetisë së shtrigave sa kishin harruar çdo gjë tjetër. Sipas dokumenteve vajzat që u bënë shkaktare për atë histori tragjike e mbyllën jetën në varfëri e diskreditim.

Fshati Salem gradualisht erdhi duke u rrënuar, shtëpitë, rrugët e gjithçka deri sa u zhduk fare. Në kujtesën e njerëzve mbeti vetëm historia e shtrigave.

(Shkëputur nga libri "Udhëtim në Historinë e Amerikës", 2003)