Trajtimi i tribuve indiane nga qeveria amerikane - Nga Albana Lifschin

Albana Lifschin
Në Evropë kur vinte fjala tek indianët e Amerikës njerëzit bënin pyetje të çuditëshme, si: A ishin vërtet si të gjithë njerëzit e tjerë, apo afronin më shumë me kafshët? Nëse pranonin se indianët e Amerikës ishin si gjithë njerëzit e tjerë, atëhere atyre u takonin po ato të drejta si evropianëve. Përfundimisht edhe pse u pranua që ata ishin si të gjithë njerëzit, evropianët nuk mundën t'i konsideronin ata të barabartë me veten e tyre. Si veproi qeveria e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me indianët?
Deri në kohën që po flasim, banorët e bardhë kishin vrarë aq shumë indianë sa mbijetesa e tribuve qe bërë e vështirë. Xhorxh Uashingtoni besonte se me kalimin e kohës eventualisht indianët do ta shisnin tokën e do të lëviznin në vende më të sigurta e të qeta për veten e tyre.
Presidenti dhe ministri i tij i Luftës, Henri Noks, (Henry Knox) shpresuan t'i bindnin që ata ta shisnin tokën dhe të lëviznin në perëndim. Ligji i vitit 1787, për organizimin e veriperëndimit u shkruajt me termat e mirëkuptimit, paqes dhe respektit për ta. Sipas tij, qytetarët amerikanë këshilloheshin të silleshin në mënyrë të ndershme me indianët, t'u paguanin atyre drejtësisht për tokat që u blenin. Një sjellje e tillë dinjitoze do të nderonte kombin. Ndërkohë nënkuptohej se kultura superiore amerikane mund t'i bindte indianët të shtroheshin e tranformoheshin në fermerë duke u futur në rrjedhën e përgjithshme pa qënë nevoja për të bërë luftë me ta.

Idea e "civilizimit" të indianëve u bë ide udhëheqëse në marrëdhëniet me indianët deri në shekullin e XX-të. Por njerëzit nuk u treguan të duruar siç i këshillonte qeveria e re dhe presidenti. E drejta për t'u vendosur aty ku të dëshironin u dukej amerikanëve një e drejtë e natyrshme dhe ky çpengim çoi në përplasje e luftra me indianët vëndas.
Kur Presidenti Xheferson autorizoi blerjen e territorit të Luizianës, akti i blerjes solli me vete edhe shqetësimin e një përplasjeje të mundshme me indianët që jetonin në atë territor. Deri atë kohë, qeveria kishte vazhduar politikën e bashkëegzistencës paqësore me indianët. Në këto momente lindi debat i madh midis dy palëve opozitare rreth këtij problemi.
Njëra palë ishte për politikën e asimilimit të indianëve në shoqërinë amerikane përmes konvertimit të tyre në kristianë. Pala tjetër ishte për t'i dërguar indianët të jetonin në vënde të egra të rezervuara për ta në Perëndimin e largët. Mendohej që tributë indiane të jetonin në perëndim të lumit Misisipi dhe banorët amerikanë në lindje të tij. Mirëpo midis fiseve indiane kishte edhe nga ata që ishin të civilizuar, si p.sh. Çerokis (Cherokees). Ata i dërgonin fëmijët e tyre në shkolla ku flitej anglisht. Kishin shtëpi dhe disa madje edhe plantacione në të cilat punonin skllevërit. Për më tepër këto fise kishin edhe Kushtetutën e tyre që i deklaronte qytetarët e saj të pavarur.
Xhefersoni nuk donte luftë me këto tribu. Në të kundërtën ai lidhi traktate paqeje me to. Sidoqoftë, në këto traktate parashikohej edhe shitja me këste e tokës nga indianët Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mirëpo në vitin 1810, një numër tribush u mblodhën në Veriperëndim nën udhëheqjen e Tenskwatawa dhe vëllait të tij Tecumsech dhe deklaruan se shitja e tokës i kishte degraduar e hedhur ata në varfëri. Kryetarët e tribuve i bënë thirje popullit për t’u bashkuar me qëllim që të ndalonin avancimin e të bardhëve në tokat e tyre.

Në vitin 1811 në betejën e Tippecanoe indianët u thyen keq dhe u shpërndanë. Një vit më pas, me fillimin e luftës midis SHBA dhe Anglisë (1812) indianët mbajtën anën e Anglisë duke ndihmuar forcat britanike në sulmet e tyre kundër amerikanëve. Qeveria amerikane kërkoi që indianët të linin vëndbanimet e tyre e të shtyheshin në Perëndim. Territorin indian e zunë banorët amerikanë.
Në vitin 1924 popullsisë indiane iu njoh shtetësia amerikane. Gjatë viteve 60-të të shekullit të kaluar, të influencuar nga lëvizja për të drejtat civile të popullsisë me ngjyrë, indianët u organizuan dhe dolën në demonstrata për të shprehur edhe ata pakënaqësitë e kërkesat e e tyre. Madje në Tetor të vitit 1969 indianët pushtuan ishullin e Alkatrazit.
Në vitin 1970 presidenti Nikson propozoi politikën e re të "vetvendosjes" duke u dhënë tribuve indiane më shumë kontroll mbi jetën e tyre. Megjithatë, edhe pas 200 vjetëve qëkurse qeveria e parë amerikane hartoi politikën e saj ndaj indianëve, ata vazhdojnë të jetojnë në varfëri. Roli i qeverisë amerikane në jetën e tribuve indiane mbetet ende i pakonsoliduar.
Nga libri "Udhëtim në Historinë e Amerikës"












