Histori

Skandali i Uotërgejtit - Nga Albana Lifschin

Albana Lifschin

Kujtese nga historia e USA

Në 8 Gusht 1974, në orën 9:00 të darkës, Presidenti Nikson u shfaq në ekranin televiziv për të deklaruar dorëheqjen. Imazhi i fundit i presidentit mbeti përshëndetja e tij nga dera e helikopterit,duke i lënë lamtumirën stafit të Shtëpisë se Bardhë...

Në 17 Qershor të vitit 1972, një lajm i çuditshëm mbushi faqet e gazetave dhe programet televizive të lajmeve. Pesë veta ishin arrestuar në mes të natës në zyrat e Partisë Demokratike në apartamentet e Uotërgejtit në Uashington.

Njëra nga ato ishte zyra e Larry O’Brien, shefit të partisë. Vjedhje? Të arrestuarit nuk dukeshin si vjedhës oridinerë por ishin të veshur me kostume. Per më tepër ata nuk ishin kapur duke grabitur por duke instaluar aparate përgjimi. Pas konfiskimit te tyre policia kishte gjetur madje edhe një libër adresash me emrin e Howard Hunt, WH, që nënkuptonte "White House." Identiteti i tyre u zbulua të nesërmen pasi kaluan një natë në polici. Njëri prej tyre, McCord kishte punuar për CIA-n. Zgjedhjet presidenciale ishin vetëm pesë muaj larg. A thua presidenti kishte vënë përgjues ndaj partisë opozitare?

Ronald Ziegler, sekretari i shtypit i presidentit Nikson e quajti ngjarjen si një episod vjedhjeje të dorës se tretë. Pak ditë më pas, vetë presidenti Nikson në një konference shtypi në televizion tha se "përgjimi elektronik nuk ka vënd në proçesin tonë elektoral apo qeveritar"

U duk e çuditshme që shumë kanale televizive e kaluan këtë incident shkarazi. Asnjë rrjet informacioni nuk hyri më thellë në misterin e Uotërgejtit me përjashtim të gazetës "Washington Post" dhe gazetarëve të saj Bob Woodward dhe Karl Bernstein.

Ndërkohë lajmet kryesore në televizion dhe gazeta mbulonin fushatën e zgjedhjeve presidenciale. Partia Republikanë kishte riemëruar presidentin Nikson si kandidat për president edhe për katër vjet të tjera. Partia Demokratike kishte dhënë si kandidat të sajin, Z. McGovern.

Presidenti mbushte ekranet e kanaleve televizive me pritje e përcjellje delegacionesh nga bota. Mendohej që rizgjedhja e tij për herën e dytë në postin e presidentit ishte e padiskutushme.

Kishte qënë një vit i jashtëzakonshëm për presidentin dhe gjithë vëndin. Për herë të parë, pas një çerek shekulli lufte të ftohtë midis dy kampeve, një president amerikan kishte bërë vizitën e tij në një vënd komunist (në Kinë).

Vizita e presidentit qe shoqëruar me një ekipi të madh televiziv. Ngjarja kishte emocionin e zbritjes se njeriut në hënë. Transmetimi televiziv ishte një moment simbolik për të kapur vështrimin e gjithë botës. Dukej sikur çdo gjë qe e llogaritur, madje edhe vëndet ku u shkrepën aparatët fotografikë. Edhe koha e mbërritjes në atdhe e presidentit Nikson.

Aeroplani qëndroi për disa orë në Alaska për të arritur në Uashington pikërisht në "prime time” kohën e lajmeve kryesore. Tre muaj më vonë erdhi vizita në Moskë. Takimet me Brezhnjevin rezultuan me nënshkrimin e paktit për kufizimin armëve bërthamore. Përsëri buzëqeshje, shtrëngime duarsh. Vizita në Pekin dhe me pas në Moskë dha përshtypjen e zbutjes së tensionit me këto dy vënde. ''Një kohë e re" po lindte. Kundërshtaret e tij ishin neutralizuar e madje disa nga ata u bashkuan me presidentin.

Përdorimi i televizionit nga Presidenti ishte bërë me efektivitetin maksimal për imazhin e tij. Kulmi arriti në 1 Qershor, kur kamera e shoqëroi direkt Presidentin nga zbritja në bazën ajrore prej helikopterit për në Kongresin amerikan ku Presidenti raportoi për udhëtimin e tij në misionin për paqe. Ai nderpritej vazhdimisht nga duartrokitjet. Për shumë njerëz u bë e besueshme që konflikti me Vietnamin do të zgjidhej brënda konteksit të vullnetit të mirë të supërfuqisë botërore.

Udhëtimi televiziv kishte ndërtuar përfundimisht imazhin e fitores së Presidentit në zgjedhjet presidenciale që po afronin.

Nëse shumëkush ishte i sigurtë për këtë, vetë Presidenti kishte marrë të gjitha masat për të siguruar fitoren e tij, madje duke përdorur edhe mënyra klandestine spiunazhi e sabotazhi kundër opozitës.

Ndërkohë gazetarët e Uashington Postit vazhdonin hetimin e "incidentit" të Uotërgejtit duke deklaruar së fundi se incidenti i çonte direkt në "Shtëpinë e Bardhë."

Sidoqoftë zgjedhjet presidenciale erdhën dhe Riçard Niksoni korri një fitore të madhe: 49 shtete kishin votuar për të.

Në 27 Janar 1973, në Paris, firmosej marrëveshja që "i jepte fund luftës në Vietnam dhe restauronte paqen." Prestigji i Presidentit amerikan në botë qe rritur si asnjëherë.

Por tabloja filloi të ndryshojë kur Senati amerikan mori vendim për ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen e Uotërgejtit. Kryetar i këtij komisioni u zgjodh senatori Sem Ervin nga Karolina e Veriut.

Dëgjimet, dhënia e dëshmive, për skandalin do të bëheshin nëpërmjet televizionit. Televizioni publik vendosi t'i jepte ato çdo ditë, direkt. Efekti qe i jashtëzakonshëm. Ashtu si dikur në kohën e senator Makarthit, televizioni bëri "një transfuzion gjaku" duke rrëzuar një imazh e në proces duke ndërtuar një tjetër për presidentin.

Kryetari i komisionit Sam Ervin me aforizmat e citimet nga Bibla u bë shumë popullor. Siç po zbuloheshin ngjarjet njëra pas tjetrës njerëzit po shikonin një administratë të korruptuar ku ndërthureshin ryshfetet, sabotazhi, spiunazhi, vjedhjet e dëshmitë e rreme. Implikimi i presidentit në të tëra këto ishte I pakundërshtueshëm.

Sipas sondazheve që u bënë vlerësimi i presidentit nga populli amerikan ra njëherësh, nga 68 përqind në 31 përqind.

Gjatë procesit të dëgjimit të dëshmitareve, një ndihmës i tij deklaroi që një system aparatesh përgjimi ishte vendosur edhe në Kemp Dejvid që në 1971. Këtë fakt e dinin vetëm pak njerëz. U kërkuan menjëherë shiritat ku qe bërë regjistrimii bisedave. Presidenti Nikson refuzoi kërkesën nën preteksin e mbrojtjes "së sekretit konfidencial të presidentit" dhe sigurimit kombëtar.

Ai dorëzoi vetëm disa nga ato, njëra prej të cilave kishte një “segment” të fshirë prej 18 minutash. Në të njëjtën kohë të reja të tjera të pakënaqshme ekspozoheshin në lajme. Zëvëndëspresidenti Spiro Agnju akuzohej nga Prokurori i Përgjithshëm E. Riçardson për rryshfetet që kishte marrë që nga koha kur qe Guvernator i shtetit të Merilendit e në vazhdim, si edhe për mospagimin e taksave shtetërore. Duke pranuar fajësinë e tij, Zëvëndëspresidenti u detyrua të jepte dorëheqjen në tetor 1973.  Spiro Agnju ka qënë i vetmi Zëvëndëspresident, në historinë e Amerikës që ka qënë i detyruar të jepte dorëheqjen për shkelje ligjore.

“Të mirat” po ktheheshin në të kundërtën e tyre me shpejtësi. Presidenti Nikson bëri disa dalje në ekran për të ndalur vrullin e së keqes. Në to ai e konsideroi veten viktimë të sulmeve keqdashëse, ndërkohë që ai ishte i fokusuar në çështje të rëndësishme. Interesat e tij ishin shumë më të mëdha, ishte Amerika, ishte Bota.

Ndërkohë që komisioni gjyqësor kishte vendosur të bënte deponimet e fundit të hapura në televizion kundër presidentit, Niksoni ndërmori edhe një udhëtim tjetër spektakolar nëpër botë, këtë radhë në Lindjen e Mesme. Edhe njëherë shikuesit shtangën duke pare turmat e njerzve që i uronin nxehtësisht mirseardhjen Presidentit amerikan, në Egjypt, Siri, Israel dhe me pas përsëri në Moskë.

Edhe një herë ai i dha botës imazhin e një presidenti të suksesshëm të preokupuar për punën, pavarësisht nga fati i hidhur që e priste në vëndin e tij. Mjerisht aftësia e tij për të mbuluar dramën nuk mundi ta shpëtonte Presidentin Riçard Nikson nga rënia. Pas dëgjimit të dëshmive të fundit në ekran, dënimi i Presidenti nga Senati dukej i paevitueshëm. Një grup udhëheqësish republikanë i bënë një vizitë Presidentit për t'i komunikuar "vendimin": Ai duhej të lëshonte karriken!

Në 8 Gusht 1974, në orën 9:00 të darkës, Presidenti Nikson u shfaq në ekranin televiziv për të deklaruar dorëheqjen. Imazhi i fundit i Presidentit mbeti përshëndetja e tij me dorë nga dera e helikopterit,duke i lënë lamtumirën stafit të Shtëpisë se Bardhë, miqve e të njohurve dhe nëpërmjet ekranit gjithë popullit amerikan si President i diskredituar nga skandali i tij.

©Albana Lifschin

Nga libri "Udhëtim në Historinë e Amerikës"