Histori

30 maj 1913, njohja ndërkombëtare e Shqipërisë "Londineze" - Nga Saimir Kadiu

Saimir Kadiu

Traktati i Londrës u nënshkrua 108 vjet më parë më 30 Maj 1913 në vijim të Konferencës së Londrës 1912-1913.

Ky traktat lidhet me armëpushimin midis palëve pas Luftës se Parë Ballkanike dhe korrektimet territoriale në dëm të Perandorisë Osmane.

"Personazhet" e Traktatit të Londrës ishin Liga Ballkanike, që përbehej nga Serbia, Greqia, Mbretëria e Bullgarisë dhe Mali i Zi, Fuqitë e Mëdha (Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia) dhe Perandoria Osmane.

Austro-Hungaria dhe Italia mbështetën fuqishëm krijimin e një shteti të pavarur shqiptar. Rusia mbështeti pa rezerva Serbinë dhe Malin e Zi. Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar qëndruan neutrale.

Roli i Kontit Leopold Berchtold, Minister i Jashtem i Perandorisë Austro-Hungareze në këtë periudhë ishte vendimtar për njohjen e shtetit të ri shqiptar.

Busti i Kont Leopold Bertold në Shkodër

Është një turp i madh që në Tiranë ende nuk kemi një monument të tij. Jemi mjaftuar me një rruge në një zonë periferike të Tiranes që lidh "Brrylin" me rrugën "Ali Demi" (ky emertim u vu në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë) dhe me një bust në Shkodër.

Anëtarët e Ligës Ballkanike ishin kundër krijimit të një shteti të pavarur shqiptar dhe kërkonin ndarjen e territoreve shqiptare midis tyre.

Shqiptarët e kundërshtuan vendimin e Fuqive të Medha duke e quajtur këtë traktat një padrejtësi për kombin shqiptar, pasi 40% e popullatës dhe më shumë se gjysma e territorit mbeti jashtë kufijve të saj. Kosova, Çamëria, viset në Veri-Perëndim të Shqipërisë iu dhuruan Serbisë, Greqisë dhe Malit te Zi.

Si të mos mjaftonte kjo padrejtësi, përcaktimi i kufijve sipas Protokollit të Firences (17 Dhjetor 1913), u kundershtua nga popullsia minoritare greke në Jug të Shqipërisë e cila u ngrit në revoltë dhe me mbështetjen e plotë të Kryeministrit grek Elefteros Venizellos deklaroi Republikën Autonome të Epirit të Veriut, të kryesuar nga Jorgos Zografi, që u njoh si rajon autonom nën termat e Protokollit të Korfuzit (17 Maj 1914).

Por këta terma nuk u zbatuan kurrë si pasojë e fillimit të Luftes së Parë Botërore dhe u anulluan nga Konferenca e Ambasadorëve në vitin 1921.

Komunistët shqiptare në vitin 1945, si fitimtare të pasluftës, duke injoruar historinë, u lidhën ngushtësisht, ideologjikisht dhe ekonomikisht me shtetet sllave që kishin qenë historikisht kundër krijimit të një shteti të pavarur shqiptar.

Në vitin 1960, "vëllai i madh i popullit shqiptar" dhe "Qytetari  i Nderit i Tiranës", lideri sovjetik Nikita Hrushov, pasi ishte takuar me politikanin dhe ish-Kryeministrin grek Sofokli Venizellos, (të birin e Kryeministrit grek të përmendur me lart, Elefteros Venizellos) i kërkoi Enver Hoxhes që t’i jepte autonominë minoritetit grek…

Përfundimisht, Traktati i Londrës pavarësisht kundërshtive, njohu pavarësine e Shqiperise në kufijtë që kemi sot. Prandaj sot mund të themi që 30 Maji 1913 është Dita e Shqipërisë Londineze dhe njohja zyrtare ndërkombëtarisht e shtetit të pavarur shqiptar.

©Saimir Kadiu