Histori

Manastiri i Deçanit, monument kulti europian i stilit romaniko gotik - Nga Jahja Drançolli

 Jahja Drançolli

Fotodokument bardhezi nga viti 1926

Kompleksi i Manastirit (Kuvendit) të Deçanit i përket periudhës së hershme kristiane, ndërsa shpatet përreth janë të njohura me kisha dhe shpella eremite ose qeli, gjithashtu nga kjo periudhë.

Manastiri ndodhet mu në brigjet e Lumbardhit të Deçanit, 7 km në Juglindje të Pejës dhe konsiderohet si mauzole i mbretit Stefan Deçan (në fron 1322-1331), themelues i manastirit. Megjithëse u konvertua në katolicizëm, pas vdekjes së tij (1331), ai u varros në tempull.

Arkitektura, skulpturat dekorative dhe afresket që kanë mbijetuar deri në ditët tona konsiderohen të jenë vepër e arkitektit, Frat Vita, një arbër nga zona e Kotorrit, emri i të cilit ruhet në një mbishkrim të gdhendur në arkitraun e portalit jugor. Skulptori Miho Tivarasi, piktori Sergji dhe një tjetër krijues i arteve figurative ishin gjithashtu me origjinë vendase. Muratura e Deçanit u realizua në vitet (1327-1335), ndërsa pikturat afreske ne vitet (1343-1348). Manastiri u ndërtua kryesisht sipas stilit romanik dhe gotik të bregdetit të Adriatikut dhe duke u përmbledhur me stilin e arteve figurative të Kosovës.

Kompleksi i Manastirit të Deçanit konsiderohet të jetë objekti më i madhërishëm i shenjtë i rindërtuar dhe ndërtuar në shekullin XIV. Monumenti i kultit në fjalë ka formën e një bazilike pesëanijatëshe me kupolë; me disa reminishenca të Kryqit të përshkuar, veçanërisht në bazë; me narteksin dhe shenjtëroren trenefëshe. Është 36 m e gjatë, 24 m e gjerë dhe 29 m e lartë. Që nga viti 2004, Manastiri i Deçanit është në Listën e Trashëgimisë Kulturore të UNESCO-s.

©Jahja Drançolli