Histori

Haremi osman - Nga Klodi Stralla

Klodi Stralla

Dijenia popullore ka rreth Haremit një perceptim tejet të gabuar, shpesh të karakterit moral, i lidhur ngushte me traditën Lindore të poligamisë, në kontrast me monogaminë në qyteterimin Perëndimor.

Nuk do të merrja mundimin të shkruaja mbi këtë subjekt, nëse nuk do t’ju tregoja një aspekt krejt të ndryshëm të Haremit, që funksionoi në Perandorine Osmane për qindra vjet. Ai ishte një institucion me funksione të shumëllojta dhe të dobishme, duke qenë njëri prej faktorëve që përcaktoi ekzistencën jetëgjatë të vetë Perandorisë.

Problemi me i madh i çdo pushteti ka qenë problemi i vijimësisë së tij dhe për rrjedhojë, mënyra se si do të trashëgohet ai. Regjimet republikane e kanë zgjidhur nëpërmjet sistemit të zgjedhjeve periodike, duke iu dhënë pushtetareve një mandate qeverisës për një kohë të caktuar. Monarkitë përdorin sistemin e trashëgimisë, pra pasardhës do të jetë njëri prej fëmijëve të sundimtarit, duke e trajtuar pushtetin (fronin) si pronë vetjake. Por cili prej fëmijeve të tij do të qe pasardhësi?

Europa Perëndimore, qysh pas rënies së Perandorisë Romake në vitin 476 pas Krishtit, ka përdorur sistemin e “Majoratit” (vjetërsisë). Trashëgimtar i fronit ishte djali më i madh i sundimtarit dhe gjithë femijët e tjerë ishin princa dhe princesha. Ai trashëgonte jo vetëm pushtetin (imperiumin) por edhe pasuritë e familjes mbretërore.

Ligjërisht, mbreti kishte vetem nje grua, mbretëreshën. Më shumë se sa për bukurinë fizike apo mençurinë e saj, ajo ishte frut i përzgjedhjes sipas aleancave që bënte mbreti me mbretërit e tjere. Vetëm fëmija më i madh i saj mashkull do të trashëgonte pushtetin. Çdo fëmijë i lindur jashtë martese nga mbreti, nuk mund të ishte trashëgimtar i tij. Ndërsa përcaktimi paraprak i pasardhësit ishte i garantuar dhe kjo sillte stabilitet në momentin e vdekjes së sundimtarit. E meta themelore e këtij sistemi ishte që jo gjithmonë përputhej aftësia drejtuese dhe menaxhuese e pushtetit me djalin më të madh. Kjo sillte atë, që shpesh njerëz të ditur drejtonin në hije si “eminence grise” dhe mbreti nuk kishte pushtet real.

Në Perandorinë Osmane, Sulltani nuk kishte një grua të vetme. Aty nuk kishte mbretëreshe por Sulltanesha. Sipas traditës, në fushatat e shumta luftarake kapeshin si robina dhjetra apo qindra femra të reja, kryesisht kristiane. Prej tyre bëhej një seleksionim i imtë, duke përdorur si kritere bukurinë fizike, shëndetin, por edhe mënçurinë. Pas seleksionimit paraprak, fillonte trajnimi fizik dhe moral i tyre, duke iu mësuar shkrimin, leximin, muzikën dhe njohuri bazë të Kuranit. Këtë funksion të pareë përzgjedhës dhe edukues per femrat me të cilat do të çiftohej Sulltani e luante Haremi.

Sulltanët me këto vajza të reja lindnin shumë fëmijë, meshkujt prej të cilëve ligjërisht quheshin pasardhës, pra potencialisht të mundshëm për të trashëguar pushtetin, ndërsa nënat e tyre quheshin sulltanesha. Ato ishin skllave të Sulltanit në kuptimin ligjor. Pasardhësit i nënshtroheshin që fëmijë një edukimi të mirëmenduar, si në aspektin fizik, luftarak por edhë të dijeve. Ata mësonin histori, gjeografi, filozofi, veçanërisht Kuranin. Prodhimi i pasardhësve ishte funksioni i dytë i rëndësishem i Haremit.

Pasi mbrrinin në një moshë të caktuar dhe kishin marrë pjesë në disa beteja krahas të atit, sulltanit, pasardhësit caktoheshin si Sanxhakbejlerë, pra si administratorë të një njësie administrative, sanxhakut. Me vdekjen e Sulltanit, midis pasardhësve pretendentë fillonte një luftë e ashpër për pushtet. Ai nga pasardhësit që bënte për veëte Jeniçerët (garda e zgjedhur e Sulltanit), Vezirin e Madh (pushtetin administrativ), Valide Hanëmin (nënën e Sulltanit) apo Ulematë (funksionarët e lartë fetarë muslimanë), dilte fitimtar dhe shpallej Sulltan, duke eliminuar fizikisht gjithë pasardhësit e tjerë pretendentë. Pra trashëgimia e pushtetit osman i përgjante seleksionit natyror në botën e gjallë, duke prodhuar në mënyrën më të sukseshme Liderin.

©Klodi Stralla