Përshkrimi nga Bajroni i valles suliote që zgjoi fantazinë e piktorëve britanikë - Nga Dorian Koçi

Dorian Koçi
Suliotët, si popullsi rebele e luftarake, kanë frymëzuar shumë autorë europianë, piktorë e shkrimtarë. Lord Bajroni, i përmend i pari në shënimet e poemës së mirënjohur të tij, "Shtegtimet e Çaljd Harold".
Ai përshkruan një vendqendrim në Lutraki në Greqi, kur i shoqëruar nga 50 trupa shqiptarësh dhe arvanitësh po udhëtonte drejt Tripolicës për të takuar Veli Pashën, djalin e Ali Pashë Tepelenës. Aty natën rreth zjarrit, pasi hëngrën dhe pinë verë, shoqëruesit shqiptarë u ngritën dhe ia morrën valles.

Bajroni në shënime shkruan: "Nata ishte e errët, por në flakëritjen e zjarrit të kapte syri një korije, ca shkëmbinj dhe një liqen, të cilët tok me pamjen e egër të valltarëve të ngjante me një tablo që mund të kishte qenë piktura më e bukur e ndonjë piktori të tipit të autorit të Misterit të Udalfit…".
Dhe ndërsa e mërmërisnin këtë këngë, vinin rrotull zjarrit, uleshin në gjunjë, hidheshin lart dhe vini rrotull, kurse kori përsëriste fjalët. Fëshfërima monotone e valëve mbi guralecë në buzë të detit, ku ishim ndarë në grupe, mbushte menjëherë intervalet e heshtjes së këngëve me butësi dhe thyente monotoninë e tingujve.
Më vonë, piktorët H. Waren dhe W. Finden autorët e ilustrimeve të poemës "Shtegtimet e Çajld Harold" në 1830, realizuan edhe këtë gravurë të luftëtarëve shqiptarë duke vallëzuar. Ata e quajtën "Vallja Suliote" duke dëshmuar se edhe pas kaq vitesh, imazhi romantik i suliotëve ende gjallonte në artin europian.
©Dorian Koçi











