Histori

Pellazgët sipas Homerit - Nga Sulejman Mato

Koha në të cilën filluan të shkatërrohen pellazgët është afërsisht brezi i dytë pas luftërave trojane dhe vazhdoi edhe pas këtyre luftërave, derisa fisi i pellazgëve u pakësua fare.

Për pellazgët janë bërë interpretime të ndryshme. Kjo ka ndodhur edhe për shkak të dëshmive të pakta që na japin historianët e lashtësisë. Homeri quan pellazgë fiset kufitare me kilikët në Trojë. “Hipothou i udhëhoqi këto fise pellazgësh, nga të cilët disa banonin në Larisën pjellore”.

Efori pretendon se Peloponezi mbante dikur emrin Pellazgjia dhe Euripidi në “Anhelau” thotë “Danau, i ati i pesëdhjetë vajzave, si erdhi në Argo, u vendos në qytetin Inah dhe urdhëroi që pellazgët të linin emrin e tyre të vjetër dhe të quheshin danaj”.

Dionis Halikarnasi thotë: “Pellazgu ishte i biri i Zeusit dhe i Niobës, që ishte gruaja e parë e vdekshme”. Emrin e morën prej mbretit pellazg. Në brezin e gjashtë pellazgët lanë Peloponezin dhe emigruan në Thesali. Ja disa nga dëshmitë:

Herodoti (historian i shek. V para Krishtit, libri I, kap. 57) thotë:

“...Se ç’gjuhë flisnin pellazgët, nuk mund ta them me saktësi...Po të jetë nevoja të flasim për të arritur në një përfundim në bazë të këtyre, pellazgët flisnin një gjuhë barbare.”

Straboni thotë: “Emri i pellazgëve mbizotëronte në gjithë Greqinë”. Më poshtë ai shton dhe këtë të dhënë: “Pelopi e solli popullin në vendin e quajtur Pelopones nga Frigjia, kurse Danai nga Egjipti”. Pelopi është quajtur si pellazgu i parë.

Fiset parahelene kanë qenë: karasit, lelegët, tyrsenët, pelazgët. Ky ishte popull me një gjuhë tjetër.

Për “PELAGËT KRANAI”” fiset aigialeas dhe danas ishin pasardhës të tyre. (Enciklopedi e madhe greke II f. 44)

Homeri te “Iliada”, (kap. I vargu 681) thotë: “Pellazgët janë fqinj të trojanëve. Zeusi adhurohej në Dodonë të Epirit.” Ndërsa te “Odiseu” (kap. XIX.v. 177) thuhet: “Në Kretë banonin pellazgë”.

Herodoti: “Pellazgët ishin jonët dhe eolët; degë e të cilëve ishin akejtë, helenët, doriejtë” (këto fise greke erdhën pas fiseve të gjetura pellazge).

Andre Lëfevrë, te “Origjina helenike” (viti 1883), thotë:

“Përballë disa sulmeve...pjesa më e fuqishme e pellazgëve shkoi drejt Dodonës. Pastaj...e lanë vëndin. Një profeci e orakullit, nga ana tjetër, i rekomandonte të shtinin në dorë Italinë.”

N. P. Elefteriadhis (“Greqia pellazgjike”, faqe 124) thotë: “Një popull pellazgjik që banonte dikur në Peloponez dhe u zhvendos pastaj vazhdimisht në vende të ndryshme, duke bërë kështu, pandërprerë, një jetë prej endacaku”.

Në një vend tjetër ai thotë: “Kështu, greqishtja u formua në pjesën më të madhe, gati e tëra nga gjuha pellazge…shumë e pasur...”

Nga këto të dhëna mund të nxjerrim disa përfundime:

-Pellazgët nuk janë popullsi imagjinare. Ata kanë ekzistuar realisht.

-Për gjuhën e tyre nuk dihet gjë me saktësi. Dihet që flisnin një gjuhë barbare (grekët me “barbare” quanin çdo gjuhë tjetër që nuk i ngjante greqishtes).

-Pellazgët ndoshta ishin arianët e parë, zotëruesit e hekurit. Me “pellazgë” duhet kuptuar popullsia autoktone. Fiset: karas, tyrsenë, lelegë, kush, kam… ishin popullsi pellazge. Ndërsa “aigialeas” dhe “danaas” ishin grekë, pasardhës apo gjak me ta.

-Kamët dhe kushët janë të ardhur nga Palestina. Këto fise në Kretë quheshin pelestë.

Para këtyre lëvizjeve kemi lëvizjen e argonautëve, nga Perëndimi në Lindje. Janë përsëri “argët”apo “pelargët,”(lëkurëbardhët), të cilët, pas shtegtimit drejt Lindjes, kthehen përsëri, valë-valë (2900 vjet para Krishtit).

S. Konda, duke iu referuar historianëve të antikitetit, nënvizon se një degë pellazge u shkëput dhe u hodh në kontinentin tjetër, fillimisht në brigjet e Nilit, për të përfunduar në trojet palestineze. Toponimin “Palestinë” Konda e nxjerr të prejardhur nga fjala “pelestin”.

Sipas Biblës, filistinët u përzunë nga Palestina; disa në drejtim të Egjiptit, në Kretë dhe Thesali të Greqisë, të tjerë në drejtim të panjohur...?

Danaitë u hodhën në Cikladë (në 7 ishujt), të tjerët zbritën nga Veriu në Greqinë e sotme. Endjet e tyre nuk morën fund. Erdhën fise më të fuqishme dhe e përzunë këtë popullsi paqedashëse në ishuj.

Cilat ishin fiset që u ngjitën më në veri, rreth tempullit të Dodonës? Për ta nuk thuhet asgjë.

Sipas historianëve, do të kenë qenë: jonët, kamët, kushët, lelegët, aingialeas etj.  “Pellazgët kranai” jetonin pranë ujërave të ëmbla, pranë liqeneve dhe burimeve. Kulti i gjarprit, (i ngjalës së ujërave të ëmbla) kulti ilir i gjarpërit, duhet të jetë i trashguar nga fiset pellazge. Ky kult gjendet tek enkeleasit ilirë që jetonin pranë liqeneve të Ohrit dhe të Prespës së sotme si dhe përgjatë Drinit të zi.

Se çfarë lëvizjesh mund të ketë pasur në këtë trevë, çfarë përzierje popullsish kanë ndodhur në rrjedhën e shekujve në këto treva, nuk mund ta përcaktojmë me hamendje.

Ka pasur dikur një qendër, një mbretëri dodonase?  Në shekullin XIII, para luftërave greko-trojane ka pasur një mbretëri pellazge me qendër në Dodonë. Mbretin e kësaj mbretërie, Aidonaun, e përmend Homeri:

“Perrebejtë dhe enianët që shkuan në luftë përkrah Agamemnonit, mbretit të akejve”.

“Tezeu iku në Epir, tek e bija e Aidonaut, mbretit të pellazgëve”.

Në një variant tjetër thuhet se Odiseun e priti mbreti i thesprotëve, Feidoni.

“Mbreti i thesprotëve, Feidoni, ka përgatitur për Odiseun dhurata të shumta, të çmuara, me të cilat do ta dërgojë në atdhe”.

 (“Odiseu”, XIV, vargu 224)

“Sapo Odiseu të kthehet ngaa orakulli i Dodonës, ku ka vajtur për t’u këshilluar se në ç’mënyrë mund të kthehet në atdhe (vargu 327-333), me një anije që kaloi rastësisht nga Thesprotia tek Akasti, mbret i Dulikiut”.

Të dhëna të tilla kontradiktore hapin probleme për unitetin dhe autorësinë e veprës “Odiseu”.

Përsa i përket orakullit të Dodonës, ai vërtetohet nga të gjithë historianët se ndodhet në Epir; është një kult paragrek në territorin e fisit të thesprotëve, një kult pagan i përbashkët, tek i cili shkonin jo vetem fiset epirote dhe greke, por “aty vinin nga e gjithë Europa”.

Tek “Iliada”, kap. II vargjet 233-34, thuhet:

“Zeus, perëndi e Dodonës pellazgjike që banon larg,

Zot i Dodonës, rrahur prej stuhive. Dhe rreth janë selët.”

Skylaks Karyandeus, te përmbledhja e Gjeografisë së vjetër, faqe 31-32, thotë:

“…prej këtej (Ambrakisë) fillon pandërprerë Greqia, gjer në lumin Penicias”.

Straboni, duke përmëndur Eforin (kap. 327.10.I-5), thotë:

“U zhduk edhe faltorja e Dodonës si të tjerat që, siç thotë Efori, është ndërtuar prej pellazgëve”.

Hesiodi, kur përmend Strabonin, thotë: “Dodona dhe dushku ishin banesa pellazge”.

Straboni (kap 221.5-10) thotë: “Shumë i quajnë pellazgjike kombet epirote. Fiset epirote arrinin gjer në katërmbëdhjetë dhe ishin: kasiopejtë, amfilokët, mollosët, atamanët, aitikët, tymfejtë, orestët, parorejtë, atintanët, perrevejtë, enianet... ainianët, euritanët...” Homeri (“Iliada” II.v.748-750) thotë: “Perrebejtë dhe enianët ishin pellazgë në Epir.”

Guneusi prej Kyfos thotë: “Perrevejtë banonin rreth Dodonës rrahur stuhish”.

Sipas studiuesit S. Konda (“Pellazgët” f. 155), dialekti dorik quhej “apeirios”.

Nitzche me Epir “kupton një vend të panjohur që ndodhej në Veri të Greqisë.”

Ameis quan Epir “një vend mitologjik të paidentifikuar.”

Pindari (“Carmina. Lipsia”), e përcakton më saktë territorin epirot.

“Ftia: Neoptolemi me Apirien e gjerë, ku shtrihen sheshe që fillojnë nga Dodona  gjer në detin Jon”.

Straboni i përcakton epirotët në kufi me ilirët:

“Epiri dhe gjithë Iliria kanë pasur burra të mirë.”

Dhamë vetëm disa dëshmi historianësh të lashtë për të argumentuar se qendra e mëvonshme e pellazgëve u ngjit më në veri të Greqisë. Ndoshta edhe pellazgët mund ta kenë gjetur aty orakullin e Dodonës.

Për pellazgët ne mund të themi vetëm ato çfarë janë thënë nga historianët e antikitetit, por na jepet e drejta të nxjerrim edhe ndonjë përfundim rreth këtyre të dhënave.

Lëvizjet e shumta në këto treva të Jugut nuk përjashtojnë ardhje-ikje të shumta popullsish, por as nuk mohojnë dot se populli shqiptar është vazhdimësi e asaj popullsie të lashtë dhe e atij qytetërimi prehistorik të mbretërisë dodonase.

Grekët sollën në Mesdhe qytetërim dhe kulturë, por edhe përfituan nga qytetërimi dodonas. Në kulturën europiane kanë kontribuar shumë popuj, të njohur e të panjohur, të gjallë dhe të vdekur.

Në “Iliadë” thuhet: “Dodonin e lindi i pari Zeusi rembledhës (kap XX.V.215).

“Enianët” ishin banorë të Dodonës dimërkeqe, kishin themeluar shtëpitë rreth Dodonës” (kap.II.V.749).

Disa nga autorët e antikitetit, kur përmendin Dodonën, kujtojnë se rreth tyre jetonin selët. Po kështu, ata japin dëshmi që rreth Dodonës banonin fiset e enienëve të cilët ishin fqinjë me perrevejtë... Ja ç'thuhet te “Iliada”.:  “Pas tij (Gyneut prej Qifit) vinin enienët e mënishëm dhe perrebejtë, të cilët i kishin themeluar shtëpitë rreth Dodonës dimërashpër”. Sipas kësaj dëshmie na lind dyshimi që Dodona homerike të ketë qenë më në thellësi të maleve dhe pikërisht në trojet ku jetonin enienët në fqinjësi me dryopët.

Për fjalën “Dodon” nuk kemi mundur të gjejmë ndonjë shpjegim. Të jetë vallë emër i trashguar? Mundet të lidhet me tingëllimin e enës së bronztë e cila, sipas të thënave, “zgjaste sa të numëroje gjer në katërqind”. Kjo enë ishte sjellë nga Korkyra:

Emri “dodonë” mund të ketë lidhje me emrin e mbretit AIDON...

Homeri tregon për njëlloj afrie të trojanëve me fiset lykas dhe dardanë.

“Trojanë, lykas dhe dardanë që luftojnë nga afër” (“Iliada”, VIII.v.1739).

“Dardanëve u printe djali trim i Ankizit” (“Iliada”, I.v.819).

Tragjediani i madh grek, Eskili, për kufijtë e pellazgëve na jep këtë të dhënë:

“Në perëndim unë sundoj  kam në kufi tokën e Perrebit, tokat që janë matanë Pindit, tokën Paonia edhe Dodonën me malet e saja”.

Nga kjo e dhënë, kufiri pellazg saktësohet i ndarë nga malet e Gramozit gjer në bregdet. Një qytetërim i ri u ngrit mbi mendësinë pellazge. Pellazgët u përzunë me forcë nga trojet e veta.

N. P. Elefteriadhis (“Greqia pellazgjike, f. 124) shkruan:

“Kështu greqishtja, në pjesën më të madhe, u formua gati e tëra nga gjuha pellazge” (faqe 133).

Sidoqoftë, flitet për një valë barbare që vërshon drejt kultit dodonian dhe popullsisë vendase. Dodonianët marrin rrugën e mërgimit, duke u hedhur fillimisht matanë detit e pastaj, valë valë, duke u shtrirë në Jug, në Greqi, në ishuj, në Azinë e Vogël e gjer në Palestinë, ndërsa në Perëndim, në Itali, Spanjë, Francë, Skoci e gjetkë. Fillimisht, ata i quanin “dushkët”, për shkak të dushkut, që ishte druri i tyre i shenjtë dhe simbolizonte zonën plot dushqe nga e cila ishin larguar, më vonë i quajtën “tuskë”, prej nga mori emrin e gjithë krahina e Toskanës. Mirëpo, pas largimit të tyre nga Italia për në Spanjë e më pas në shtegtimin e tyre pa fund në Angli, Skoci...Amerikë (në pesëqindvjetëshin e fundit) dushkët lanë gjurmë kudo, por humbën gjuhën, kultet, kulturën, zakonet dhe identitetin. Ka shumë mundësi që toponimi “Albani” të jetë rezultat i trajektores mijëravjeçare të shtegtimit të “albanëve primitivë”, nga Kaukazi gjer në Amerikë.      

Pellazgët që kishin marrë rrugën e moskthimit iu kthyen përsëri Europës, racës së vet ariane, prej nga ishin nisur dikur stërgjyshërit e tyre mitikë.

Për të pasur një përfytyrim më të qartë për pellazgët duhet ta nisim historinë qysh me të ashtuquajturit “hiperboreanë” ose qysh te përmbytja katastrofike, te “Miti i Deukalinon”, një legjendë pa kohë.

Tek ky emër gjejmë rrënjët e fjalëve pellazge: “Dhe” dhe “kall”, fjalë të cilat edhe sot gjejnë përdorim në gjuhën shqipe. Në Veri kjo fjalë ruhet me kuptimin “djeg” dhe “ndez”. Ndërsa në Jug, fjala “kall” ka kuptimin: “varros”.  “E kallëm në dhe të gjallë…”

Sidoqoftë, vështrimi duhet hedhur larg, tek një kohë prehistorike, kohë ku në kontinentin tonë duhet të ketë ndodhur ndonjë përmbytje, ndonjë tërmet ose lëvizje gjeologjike e pasuar me një katastrofë njerëzore. Pas kësaj kohe nis zanafilla e një populli që mbijetoi fillimisht në male, që u rrit dhe u zmadhua e që shekuj më vonë zbriti në fusha për t’i tharë e për t’i punuar ato.

Këtej lind edhe zanafilla e asaj që Aristidh Kola e quan: “të barabartë me zotin, që mbiu nga malet pyjedendur ose në tokën e zezë, për të qenë lindësi i të gjithë sojit njerëzor.”

Një tjetër legjendë i quan pellazgët “të lindur para Hënës”. Kjo legjendë vjen pa koment, por, sidoqoftë, të gjithë historianët e lashtësisë, kur flasin për pellazgët, i konsiderojnë ata si popullsia autoktone e cila ose u asimilua, ose u degëzua në familje me emërtime të reja: si ilirë, epirotë, helenë etj. Në mite, Pellazgu përmendet si “mbret i popullit të lashtë arkadian.”

Pellazgu i parë, sipas tyre nuk ishte bir njeriu, por bir perëndie. Homeri i tregon pellazgët si njerëz me origjinë hyjnore, të lindur para Hënës. Akili, i cili në Epir kishte troje të trashguara, ishte me origjinë hyjnore. Ai mund të vritej vetëm nëse e qëllonin në thembër.

Për sa i përket gjuhës që flisnin pellazgët, Herodoti jep këtë përgjigje: “Kjo është një çështje  për të cilën nuk mund të them asgjë...” Dikur ata kanë qenë fqinjë të dorëve të sotëm, që dikur banonin në tokën e quajtur Thesali. Në qoftë se këtyre pellazgëve u shtohen ata që kanë themeluar Plakienë dhe Skylakenë në Helespont dhe që kanë banuar dikur me athinasit, dhe banorët e qyteteve të tjera pellazge, emri i të cilëve është ndryshuar, del se pellazgët kanë pasur një gjuhë barbare. Pra, në qoftë se gjuha e pellazgëve ishte e tillë, del se popullsia e Atikës, me prejardhje pellazge, harroi të folmen e saj dhe u kthye në helene.

Po nga Herodoti kemi këtë dëshmi: “Pellazgët kishin zakon t'u flijonin perëndive çdo gjë. Perënditë nuk i thërrisnin me emër. I thërrisnin në përgjithësi, si perëndi. Ata arritën t'i njohin emrat e perëndive kur ua sollën nga Egjipti. Pellazgët njihnin vetëm orakullin e Dodonës i cili ishte më i lashti në këtë vend. E pyetën orakullin nëse mund t'u vinin emrat e perëndive dhe ai u tha, po”.

***

Është e çuditshme përse në të njëjtën kohë, pas zbritjes së dorëve nga Veriu në trojet e ilirëve, mori emrin e saj edhe Iliria; banorët e së cilës tani e tutje do të quheshin ilirë. Po t’i referohemi përsëri Homerit, para këtij emërtimi banorët e këtyre viseve quheshin peonë, dardanë, helopë etj.

Homeri nuk e përmend fare emri Iliri. Sipas tij, në Azi të vogël kemi qytetin Ilion të dardanëve, të themeluar prej trojanit Ili. Eshtë fjala për një qytet të pasur të fisit dardan, në Dardanele, me emrin karakteristik “ILION” i cili ka në rrënjë të fjalës emrin Yll.

Ka dhe një legjendë tjetër që flet për emigrimin e popullsisë “IAP” nga India. Ajo ndalon në Kaukaz (albanët e Kaukazit) e më pas mbërrin në Europë. Flitet edhe për një shtegtim tjetër në kundërtën e vet: shtegtimi i argonautëve nga Europa në Kaukaz, gjer në brigjet idiane të lumit Gang…

Ky shtegtim mund të ketë qenë shtegtimi i “pelargëve” (lëkurëbardhëve) nga Europa për në Azi, duke kaluar përgjatë jugut të Kaspikut gjer në Indi.

Një gjë pranohet nga të gjithë; që pellazgët quhen parailirë dhe parahelenë dhe se Greqia dikur quhej “Pelazgji”. “Në kohët e vjetra Greqia quhej Pellazgji.” (Herodoti II, 56)

Kola, në veprën e vet “Arvanitasit” thotë: “Pellazgët përbëjnë një kujtim të largët, legjende dhe tradite”.

Isiodi gjendet në mëdyshje; duke kërkuar në një popull që nuk “ekziston”.

Herodoti quante pellazgë të gjitha fiset, si: jonët, dorët dhe eolët.

Homeri flet për një popull aleat të trojanëve; popullin e Trakës, të cilin ai e quan pellazg.

Me sa duket flitet për një popull parailir dhe parahelen, të shpërndarë në trojet heleno-ilire, në Azinë e vogël dhe në qendër të Gadishullit Italik. Edhe muri më i lashtë i Akropolit quhej mur pellazgjik. Mendimi më i saktë gjendet në veprën e Platonit, “Kratilo”: “Çdo gjë që sot nuk e kuptojmë dhe nuk e njohim në gjuhë, ka të ngjarë të jetë barbare, por ka të ngjarë të jetë dhe të duket e tillë për shkak të vjetërsisë.”

Herodoti i konsideron molosët dhe thesprotët “helenë”, ndërsa Tukididi këto fise i quan “barbare.” Ndoshta kjo është koha kur këto fise fqinje me gjakësi dhe gjuhë të përbashkët kishin filluar ndasitë. Është koha e lëvizjeve dhe e emërtimeve të reja, ku një fis mund të emërtonte dhe fiset e tjera. Është koha kur nënëmadhja (Pellazgjia) vdes dhe përjetohet në fëmijët e vet.

E rëndësishme është të themi që, si zhvillimi ashtu dhe pjesëzimi kanë ndodhur paqësisht, pa ndonjë konflikt që të ketë lënë gjurmë në histori.

Në kohët e mëvonshme emri pellazg hesht së ekzistuari, ndërkohë që përmenden një sërë popujsh të tjerë si: lelejët, karët, jadët, kadmët, minianët, avadët, akejtë, danajtë, arkadët, atamanët, biotët, perrebët, enianët, flegët etj. Fiset e fundit i kemi parë edhe si fise epirote. Asokohe nuk duhet të ketë pasur kufij të prerë gjuhësorë dhe territorialë midis Epirit dhe Greqisë, pasi konsideroheshin ende territore gjeografike të Pellazgjisë. Fitimtari shkruan historinë. Fiset iliro-pellazge mbetën në male, në mbrojtje të lirisë, të traditave, të kulturës dhe të gjuhës së tyre të lashtë.  Po ç’gjuhë kanë folur pellazgët?

Përgjigjen për këtë na e jep Dh. Maroniti: (I.57, 58)

“Se ç’gjuhë flisnin pellazgët nuk mund ta themi me siguri. Por, nëse duhet të them mendimin tim, bazuar në pellazgët që ende jetojnë në qytetet Kristona…Plakia…dhe Skilaki…pellazgët flisnin barbarisht.”

©Sulejman Mato