Histori

Pellazgët, një popull hyjnor - Nga Sulejman Mato

Le ta nisim kërkimin qysh te legjenda e gjenezës së krijimit të botës.

Sipas Empedoklit (495.p.K.), fillimisht ishte kaosi, pastaj u identifikuan katër elementet bazë, si: uji, toka, zjarri dhe ajri. Të katër këto elemente identifikoheshin me perëndite e tyre që ishin: Dhemetra, Poseidoni, Zeusi dhe Hera. Me kohë, perëndia e gjithëfuqishme u bë Zeusi.

Këtë hyjni pellazgët e identifikonin me rrufenë dhe bubullimën. Si popull besimtar, pellazgët kërkonin t’u jepnin një shpjegim dukurive atmosferike. Ata mendonin se pas fuqive të panjohura fshihej perëndia e gjithëfuqishme, Zeusi.

Kuptimin e tij në shqip do ta gjejmë në bashkimin e dy fjalëve: “zë” dhe “ushtimë”.

Në gjuhën greke kjo fjalë si dhe shumë të tjera nuk zbërthehen, ndërsa në gjuhën shqipe zbërthen konceptin primitiv të zotit, i cili shfaqej përmes vetëtimës dhe bubullimës. Te “Libri i Shenjtë”, Jehovai ishte i padukshëm, ai shfaqej përmes vetëtimave dhe bubullimave.

Me kalimin e kohës, lindën edhe perëndi të tjera, por vendin e Zeusit olimpik nuk e zuri askush.

Hesiodi, perëndi të parë përmend Qiellin, i cili greqisht quhet: “Ouranos”. Por para tij kemi Kronin, të atin figurativ të Zeusit, i cili lindi 50 fëmijë (prej tyre shpëtoi vetëm Zeusi). Shumica e mitologëve e konsiderojnë Kronosin personifikim të kohës: “Kroni i ka të zeza qimet e mjekrës.” Ai e shpërfill pleqërinë dhe kohën. Kronosi është i pakohë. Gjuhëtari J. G. Hanhn emrin e Kronos-it e lidh me fjalën shqipe “kron” (krua) që do të thotë: burim, rrjedhë uji, së cilës i korrespondon në greqisht fjala “krunos” dhe “krini”.

Decharm këtë fjalë e nxjerr nga një “kranan”, perëndi krijuese. Ndërsa Rean, si perëndi të lindjes. Sidoqoftë, ka shumë mundësi që Kroni të përfaqësojë kohën e, në kuptim më të gjerë, dukuritë atmosferike. Rea personifikon shiun.

Ajo që të bën përshtypje këtu është mënyra e thjeshtë me të cilën pellazgët emërtonin kultet apo heronjtë e lashtësisë, sipas dukurive. Këtu nuk ka asgjë profetike. Përkundrazi, e panjohura emërtohet sipas funksionit që luan.

 Le të marrim një tjetër perëndi: Afërditën. Pellazgët kishin si hyjni kryesore Diellin dhe yjet. Ata e quanin veten të lindurit para Hënës. Besimi tek Dielli dhe yjet gjenden dhe në figurina të ndryshme të veshjeve apo të armëve të luftëtarëve.

Afërdita është emërtim pellazg i hyjneshës Afërditë, një kompozitë dyfjalëshe e gjuhës shqipe: “afër” dhe “dita”. Bëhet fjalë për yllin e Afërditës. Ylli i ndritur që afron agimin. Greqisht “eos foros”. Etruskët Afërditën e quanin “Apru” domethënë “afro”.

Nga kjo fjalë ka rrjedhur edhe fjala “prill”. Perëndeshën ata e quanin “Turan”, që do të thotë “zonjë”. Që Afërdita quhej bija e Uranit, kjo pajtohet me mendimin e shumë historianëve të lashtësisë. Ka mendime që emri i kësaj perëndeshe e ka prejardhjen nga fenikasit. Sidoqoftë, ne duhet ta kërkojmë këtë emër edhe para kalimit të saj si perëndi fenikase apo si e lindur në Qipro, pra, te lëvizjet pellazgjike. 

 Mund të përmendim dhe emra hyjnish të tjera, si: HERA, REJA, KRONOS, DEMETRA, POSEIDON, TETI, BOREA, ATHINA, apo heronj të lashtësisë greke, si: AKILI (sipas R. d’Angeli: Akulli, zemërakulli). Sipas arvanitasit A. Kola, “Akil” ka në rrënjë një “Akh”, që tregon ujin dhe kjo në përgjithësi pranohet, pasi Akili simbolizonte ujërat e lumenjve që derdheshin në det. Nëna e Akilit, sipas legjendës, ishte Teti “deti”.

PROMETHEU (para me dheun);

PRIAMI (pari jam)

AJAKSI (a gjakësi),

AGAMEMNON (ai që mënon (R. d’Angeli).

PENELOPI (“pen e la pa prishur... mbaruar, e rinisi nga fillimi, R d’Angeli).

Sipas legjendës, ajo u premtoi mëtuesve se do të martohej me njërin prej tyre kur të mbaronte tjerrjen e perit) etj. Një mendim i cili nuk duket fort bindës.

ATHINA (a thëna). Ka mendime që emri i saj rrjedh nga fjala “fatthëna”, ndaj e kanë shpjeguar si “a thëna” (e thëna). Sipas Schvartz, Athina është hyjnesha e vetëtimës dhe vjen nga sanskritishtishtja, “ahana”, që do të thotë “flakëron” ose “ajo që djeg”. Kjo fjalë haset vetëm një herë te Veddat, siç e përmend dhe Mulleri. (“Shkenca dhe gjuha” V. II f. 252) Mirëpo, në sanskritishtisht, gjendet edhe fjala tjetër, emri i perëndeshës “Atharva = Vetëtimë”, e cila na duket shumë e largët nga e para.

Greqisht ajo do të kishte kuptimet “aithir” (eter) apo “anthos” (lule).

Të gjithë gjuhëtarët shqiptarë, përfshi këtu dhe rilindasit, janë të mendimit se Athina ka lidhje me fjalën shqipe “E thëna”. Legjenda tregon për Athinanë se ajo lindi nga truri i Zeusit, nga koka e Zeusit lindi dija. Ky variant i afrohet mendimit të rilindasve tanë dhe përforcon faktin që Athina, para së gjithash është perëndesha e dijes, e mendjes, e artit dhe e qytetërimit.

Mitologjia greke paraqet edhe një variant tjetër: “Athina” më parë quhej “qyteti Kranaon”. Kran quhet dhe druri i thanës, një dru i ashpër. Aristidh Kola, për emrin “Krania”, thotë se kjo është fjalë arbëreshe: “thanë”. Pra emri “Atena” mund të jetë diçka më e thjeshtë nga sa mendohet, mund të lidhet me emrin e drurit të thanës, dru i përhapur në gjithë territorin në fjalë. Sidoqoftë, emri Athina është më i vjetër se “krana” dhe i përket qytetërimit pellazg. “Qytetit nuk i mungonin faltoret dhe ceremonitë fetare...”  S. P. LLambru. “Komunikacioni me detin zhduku monotoninë e jetës baritore të pellazgëve në tërë Atikën që banohej e ndarë në katunde...” G. D. Kapsoli.

Të gjithë duhet të biem dakord me mendimin e pelazgologut A. Konda, i cili thotë: “Emri Athina i përket qytetërimit pellazg.” “Pellazgët, - thotë ai, - nuk i pritën grekët që të vinin për t’i emërtuar qytetin e tyre”.

 Athina është quajtur dhe “Palada”, pasi mundi në dyluftim gjigantin Palas, gjigantin me bisht të gjatë.

Në qoftë se kompozita e parë mund të shpjegohet, e dyta ka mbetur e errët. Për mendimin tim, e dyta ndriçon të parën, ndërsa e para mbështet të dytën. Nëse do t’i pranonin të dyja këto fjalë me origjinë të gjuhës pellazge, ka të ngjarë t’u jepnim një shpjegim të tillë: ATHINAIA (e thiniura-E thinjura) dhe PALAS (Bala)

“Bala” është një përcaktor i përhapur në gjuhën shqipe, për të treguar shenjën e bardhë që ka në ballë apo në flokë një njeri apo një kafshë.

“E thinjura” dhe “bala” janë e njëjta gjë, përforcojnë dhe ndriçojnë njëra-tjetrën.

Sipas mitologjisë, Athinaja ishte bija e Zeusit, e cila lindi nga Mitis. Kur u lind Athinaja, Zeusi kishte ndier një dhembje koke të madhe. Vullkani mori një sëpatë dhe e goditi në kokë. Në çast, prej kokës së tij u lind Athinaia, krejt e veshur, duke lëshuar britma gëzimi. Në gjuhën greke ka një epitet për të: “trito”. Disa studiues, emrin “tritogjenia” e lidhin me fjalën shqipe, “trutë”, dhe e shpjegojnë: si “e lindur nga truri”. Një ide që pak a shumë përputhet me legjendën. Edhe gjuha greke e ka fjalën “trito”(rrënja “tru”) “e lindur nga koka”.

Kulti i Athinasë në Greqi është shumë më i lashtë nga sa parashikohet. Legjendat janë legjenda. Ato nuk shpjegojnë të vërtetën. Sekretin e së vërtetës e ndryn brenda vetes vetëm gjuha. Athinaja konsiderohet perëndesha mbrojtëse e shumë qyteteve të Greqisë së lashtë.  Perëndeshës Athina i flijoheshin mëshqerra dhe dema, por kurrë dhi. Kjo vjen nga që dhia ishte totem i pellazgëve. Brirët e saj i mbanin si simbole luftëtarët. Këtu do ta kërkojmë edhe origjinën e përkrenares se Pirros, apo, më vonë, origjinën e përkrenares së Gjergj Kastriotit.

Kjo fjalë mund të ketë lidhje me epitetin “e thinia”, që nënkupton: “flokëbardha” dhe përligj një hyjneshë, një fatthënë, një profete të moshuar. Pellazgët hyjneshën e vet e kanë konceptuar grua të urtë, me flokë të thinjur apo me “një shenjë në ballë”. Mbrojtësja e qytetit të Athinës duhej të ishte, pa dyshim, një profeteshë e moshuar, një fatthënë e qytetit, një shëmbëlltyrë e peleasve (plakave) e ngjashme me fatthënën e Tomorit.

Me largpamësinë e vet, ajo do të mbronte qytetet nga çdo e pa pritur, nga luftërat, uria, malarja, nga dukuritë atmosferike, nga sëmundjet dhe epidemitë e ndryshme.

Athinaia kishte disa epitete:

PROMAHOS, PARTENOS (parthena), POTIBIA, LEMNIA, (e lerë, e lindjes) ERGANE (ergjeria), FRATRIA, NIKEA, HYGIA, POLIA (polli, pjell), TRITOGENIA (truri), APATURIA, HIPIA.

Nga të gjithë këta epitete, vetëm epiteti i parë është parësor dhe ka një kuptim, pasi i përshtatet si epitet emrit Athina: “e thëna”.

Nga epitetet e përmendura të bëjnë përshtypje “partenos” dhe “tritogenia”, të cilët mund t’i shpjegojmë, si: “parthëna” dhe “trutogjinia”. Siç vihet re, të gjithë epitetet, ndonëse japin karakteristika të veçanta të kësaj perëndeshe, përputhen me figurën e një profeteje, me seli në Parthenon, vend i shenjtë, ku grekët vinin të mësonin prej thënieve të saj për të ardhmen, për fatin e vet e të dhëna të tjera. 

E parë në këtë këndvështrim, vëmë re se kemi të bëjmë me një Dodonë të qytetit, e cila më vonë do të merrte emrin ATHINA.

DEMETRA është një tjetër perëndeshë. Etimologjia e saj, siç e kanë cilësuar gjuhëtarë të ndryshëm, rrjedh nga dy fjalë të gjuhës shqipe: “dhe” dhe “motër”. Motër rrjedh nga një fjalë më e lashtë pellazge, “mitër”. Me kohë ky emërtim kaloi në disa popuj mesdhetarë dhe të tjerë, në kuptimin “nënë”.

Vetëm shqipja ruajti kuptimin e periudhës se matriarkatit: “motër”. Si “motër”, ashtu edhe “mater”, lidhen me fjalën shqipe “mitër”, dhe në kuptim më të përgjithshëm, me lindjen e njeriut.

Legjendat shpesh nuk duhet marrë më seriozisht se kuptimi gjuhësor, pasi ka disa perëndi të cilat ndryshe i njohim në zanafillën e vet, ndryshe paraqiten gjatë proceseve evoluese.

HERMESIN grekët e njohin si perëndinë e tregtisë. Mirëpo, para kësaj ai identifikohet me erën e vrullshme, apo si perëndi përcjellëse e të vdekurve, apo edhe si perëndi e gjumit dhe si orakull, shpjegues i ëndrrave. Decharm që e ka studiuar këtë fenomen, e quan atë perëndi të erës. A. Kola na tregon se në tabelat e shkrimit atë e gjejmë “ER-MA-A”. Por, vetia e tij më e hershme është ajo e cila e identifikon atë me perëndinë fekonduese pellazge (me organe gjenitale të ngritura). Fjala pellazge “Ermaa”, - thotë Kola, - e cila fillimisht kuptohej si ER MADHE, në fjalën shqipe shndërrohet në “herdhmadh”, e cila nënkupton pikërisht dukurinë e fekondimit. Por me fjalën “ermadh-e” kuptojmë edhe dukurinë e fekondimit natyror, përmes shpërdarjes së polenit nga era. Hermesi u bë shpjegues i fjalës së shenjtë. Kjo ndikoi te grekët, që emrin e tij ta lidhin me fjalën greke “ermines” (shpjegoj). Sa interpetime vetëm për një fjalë…dhe në sa labirinte mund të futemi vetëm duke u nisur nga dukuria që përfaqëson një perëndi e lashtë.       

***

Te ne ka shumë persona të cilët janë dyshues ndaj faktit që shqipja është gjuha e cila ndryn brenda vetes sekretet e emrave të disa perëndive.

Mirëpo, me sa na afrojnë faktet gjuhësore, kjo është një e vërtetë e cila, për shkak të kohës së largët dhe evoluimit të gjuhëve, ka mbetur disi e mjegulluar. Në shumë prej këtyre emrave përputhet legjenda me bërthamën semantike të emrave të perëndive:

Prometheu - sanskritishtisht: “pramanthes”, perëndia që u mori zjarrin perëndive dhe ua solli njerëzve.

Dhemetra – “dhemater”, “dei mitër” perëndia e Tokës.

Kroni - sanskritishtisht: “krana” (perëndia krijuese) greqisht: “Krunos” i ati i Zeusit,

Hera - sanskritishtisht: “Ira”, “aira”, “era”; lat: “terra”; gjermanisht: “erde” koha dhe lëvizja. Gruaja e Kronit.

Zeusi - sanskritisht: “devah”; greqisht: “deu”, “thea”, perëndia e gjithfuqishme e qiellit, biri i Kronit.

Poseidoni - sanskritishtisht: “Potideon”. “Potidan”, perëndi e detit dhe e ujërave, ai që shpërndan ujërat.

Apoloni - sanskritisht: “Apelon”, djali i Zeusit, perëndia etnike e dorienjve.

Persefoni - sanskritisht: “Persefata”, mbretëresha e nëntokës.

Me një kalim të shpejtë që mund t’u bëjmë këtyre emrave, vihet re se emërtimet janë të bartura nga popujt më të lashtë të Mesdheut, përmes legjendave. Legjendat janë krijime naive që pasqyrojnë njohjen e botës në kohët foshnjore të njerëzimit. Ja një shembull: Poseidoni e ndjek Demetrën për ta përdhunuar. Demetra, për t’i shpëtuar dhunimit të tij, trasformohet në pelë. Poseidoni e kupton dhe, ai vetë, trasformohet në kalë, që të futet në kopenë e pelave ku ndodhej Demetra… Kjo ndodhi fantastike i përket kohës mitike të mbretit Ojijo (13,000 vjet më pare, koha e përmbytjeve ujore).

Nga një vëzhgim i ngjarjeve fantastike të legjendave, një gjë është e dukshme, tek emrat e perëndive gjejmë konceptin primitiv rreth fuqive kryesore që sundojnë botën njerëzore.

Nëse në këto fjalë gjejmë rrënjë të fjalëve të gjuhës shqipe, kjo ka ndodhur pasi shqipja në vijë lineare mbart fjalë të lashta të gjuhës pellazge. Rrënjët e tyre i gjejmë edhe në disa gjuhë të tjera, të njohura për lashtësinë e tyre. Nga kjo pikëpamje ne nuk mund të themi që shqipja është gjuha e vetme që zbërthen mitet e lashtësisë, por kemi të drejtë të themi se shqipja, duke qenë degë e pellazgjishtes, ajo mbart emrat e perëndive të atyre popujve që kanë banuar dikur rreth detit Mesdhe.

Le të marrim një perëndi tjetër, siç është, p.sh., REJA. Atë e gjejmë në disa gjuhë:

Në greqisht, në formën: vrenon, në kuptimin “vetëtin, gjëmon”.

Në sanskritisht, në formën: varunah, perëndia e qiellit dhe e natës.

Në shqip, në formën:  vreret, së bashku me format “vran”, “uvran” e cila sigurisht ka dhënë emrin e njohur të perëndisë “Uran”. Në greqisht “Ouranos” i thonë qiellit.

Dhashë disa forma të sanskritishtes, duke pasur parasysh mendimin e gjuhëtarit të shquar gjerman, Franc Bop (1791- 1867) i cili, duke e studiuar në themel gjuhën shqipe, sheh afri më të shumta të gjuhës shqipe me gjuhën sanskritishte, sesa me gjuhën greke. Ai shkruan: “Ajo (gjuha shqipe) gjen me ndihmën e sanskritishtes një pikë ndërmjetësimi më lehtë dhe pa shtrënguar sesa me atë të greqishtes”. Për sa u përket emërtimeve të perëndive, ato, në mos janë të bartura drejtpërdrejt nga gjuha pellazge, ka një arsye që të mos kenë hyrë në shqip përmes greqishtes.

Unë mendoj se “Uran” e gjen kuptimin e vet në gjuhën shqipe dhe përbëhet nga rrënjët e fjalëve: “ou” (ujë) dhe “vran”, formë të cilën e gjejmë edhe sot e kësaj dite në Veri. Prapashtesat “is” dhe “os” janë të mëvonshme dhe u përkasin gjuhës greke.

Ourean-os do të thotë: ai që përbëhet prej uji. Edhe “oqean” është një kompozitë e gjuhës shqipe, e përbërë prej: “ouk” (ujë) dhe “an” (hapësirë e pamatë) dhe ka kuptimin: “Ai që përbëhet prej ujit”. Edhe në greqisht kemi rrënjën “ak” e cila ka kuptimin « ujë »

Edhe emri “Akil” ka lidhje me ujin; “ak” dhe “il” e gjen kuptimin “ylli i ujit”. Duke ditur kuptimin e rrënjës “ak”, mund ta shtyjmë më tej kërkimin e kuptimeve edhe për fjalë të tjera të mitologjisë greke, si: “Akeron”, lumi që mbartëte të vdekurit gjer te porta e Hadesit, si dhe “Karont”, varkëtari që çonte të vdekurit në botën e nëndheshme.

Për sa i përket emrit “Apolon”, rrënja “ap” është shpjeguar me greqishten: “prapë, përsëri”. Duke pasur parasysh që Apoloni ishte perëndia e dritës dhe e ndikimit të tij mbi njerëzit, vetvetiu mendimi të çon te kompozita: “hap” dhe “yll”. Kuptimet e tjera që gjenden në gjuhë të lashta, si: “shkatërroj”, “i vetmi” apo “shpëlaj”, nuk na duken shumë bindëse. Në këtë gjykim duhet të nisemi nga vetia kryesore që është ndriçimi, drita e një ylli që përhap dritën.

Eqrem Çabej e analizon qartë mënyrën e krijimit të fjalëve të vjetra, përmes përngjitjes së rrënjëve të fjalëve. Jani Vretoja ka qenë ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë, i cili qysh në vitin 1866, në librin “Gramatika e greqishtes së folur në gjuhën shqipe” shkruan se shqipja me të vërtetë mund të quhet një gjuhë që “duket shumë e vjetër”; është “gjuha e foshnjërisë së njerëzimit”, e afërt me helenikanë e vjetër, tezë kjo e Shlajherit, Shtirit dhe e Kamardës. Në këtë libër ai thotë:

“Kaq të afërt jemi ne me grekët, sa me një fjalë mund të quhemi degë e elinëve, pavarësisht se jemi tjetërsoj”. Me fjalën “tjetërsoj”, ai do të thotë që ne jemi degëzimi autentik i pellazgëve.

Për perëndinë e detit, Poseidonin, studiuesi i shquar i pellazgjishtes, Spiro Konda, ka ngritur hipotezën që kjo fjalë ka në bazë rrënjën “pus”, që do të thotë “ujë i thellë”. Ndoshta nuk është dhe aq bindëse, pasi emri Poseidon gjendet edhe në sanskritisht në formën “Idaspati”, në kuptimin sundimtar i ujërave.

 Aristidh Kola, rrënjën “pot”, e cila ka kuptimin “zotërues”, e shpjegon me foljen “pat-pata”, e kryer e plotë e foljes “kam”, e cila  në gjuhën shqipe ka kuptimin “zotëroj”.

Në një kuptim të përafërt, këtë fjalë e gjejmë edhe në gjuhën greke, te fjala “potamus”, që do të thotë “lumë”.

Edhe fjala tjetër e gjuhës greke, “potis”, ka kuptimin “ujis”.

Miti e paraqet Poseidonin të shndërruar në kalë. Sa për pjesën e dytë, “don”, me derivatet e saj: “deon - daon – dan”, ajo duket e larguar nga gjuha shqipe.

Në gjuhën greke fjalën perëndi e gjejmë në formën “deus”.

Si ka ndodhur që shqipja të ruajë në bërthamën e vet, të pandryshuar, emrat e perëndive?

Në lidhje me këtë do të jap një shembull: Shkrimtari gjerman Arnold fon Harff, i lindur nga një familje fisnike në Rinin e Poshtëm (1471-1505), kur ka ardhur në Durrës, në vitin 1497, ka shënuar në një bllok 26 fjalë të gjuhës shqipe. Këto fjalë mund të konsiderohen si dokumenti i parë i shkruar i gjuhës shqipe gjer më sot. Ja disa prej tyre, të shkruara në formën e tyre të vjetër:

Boike (bukë)

Oie (ujë)

Groua (grua)

Mish (mish)

Poyll (pulë)

Krup (krip)

Myr (mirë)

Kalë (kalë)

Elb (elb)

Pyshk (peshk)

Dua (dy)

Jast (Gjashtë)

Nant (nëntë)

Pije (pijneto)

Duke parë ndryshimet e këtyre fjalëve në hapësirën e pesëqind vjetëve, vihet re që shqipja është gjuhë konservatore. Eduard Shnajderi, studiues dhe udhëtar francez, qysh në fundin e shekullit të kaluar ka shkruar: “Shqiptarët janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të pellazgëve”.

Ndërsa gjeografi i njohur francez, Reklysi, qysh në vitin 1876 ka shkruar: “Qoftë gegët, qoftë toskët, e kanë prejardhjen nga pellazgët e lashtë dhe gjendja e tyre shoqërore, si: doket, zakonet, mënyra e të menduarit dhe e të vepruarit nuk kanë ndryshuar shumë nga ato të pellazgëve të para tre mijë vjetëve. Para imigrimeve barbare, shqiptarët popullonin gjithë pjesën perëndimore të gadishullit të Ballkanit, deri në Danub”.

A.Dymon ka shkruar: “Në Europë nuk ka racë më të vjetër se shqiptarët”.

Ndërsa Hobhauzi ka thënë: “Në Shqipëri mund të dallohen mbeturina të dukshme të një gjuhe të lashtë që nuk ekziston më”.

Sipas Kretçmerit: “Pas helenëve, u dyndën, po ashtu nga Veriu, edhe dy fise indoeuropiane: në Lindje trakët, në Perëndim ilirët, të cilët mbushën hapësirën e gjerë të Gadishullit Ballkanik. Imigrimi ndodhi në mijëvjeçarin e dytë para Krishtit. Dhe u krye valë-valë, siç pati ndodhur edhe me emigrimin helen».

Nga këto thënie të gjuhëtarëve, të historianëve dhe të gjeografëve mund të nxjerrim përfundimin që emrat e perëndive, si ne, edhe grekët, i kemi të bartura nga një popull edhe më i lashtë, që ka banuar në këto hapësira të Mesdheut. Cilët, pra, mund të ishin banorët e parë të Mesdheut përveç pellazgëve?

©Sulejman Mato