Histori

Kënga e Konstandinit dhe rrënjët bizantine të legjendës nën dritën e dokumentit të Trebizonde-s, shekulli X - Nga Luan Rama

Para disa vitesh një kineaste bullgare kishte bredhur nëpër Ballkan në kërkim të origjinës së një kënge që e këndojnë shumë popuj të Ballkanit: shqiptarët, grekët, serbët, bullgarët, turqit, etj. Gjatë këtij itinerari ballkanik, në Shqipëri asaj i thonin se origjina e kësaj kënge ishte shqiptare, në Greqi i thonin greke, e kështu bullgare, turke, serbe, malazeze etj. Askush nga këta banorë të Ballkanit nuk pranonte se kjo këngë ishte e një populli tjetër, pavarësisht se kineastja u demostronte se të tjerë popuj thonin se ishte e tyrja, çka ata i nervozonte, sikur t'u cënonte trashëgiminë e tyre. Dhe në fund të filmit ajo përsëri bënte pyetjen: e kujt është kjo këngë?

Ndryshe nga ajo këngë qytetare, “Kënga e Konstandinit” është padyshim një nga perlat e folklorit të Ballkanit dhe secili nga ne, që me tekstet e shkollave, është magjepsur me botën magjike dhe forcën e një krijimi që nuk mund të harrohet: është historia e fjalës së dhënë dhe e udhëtimit të një të vdekuri. I vdekuri ngjallet dhe kalëron, çka e kthen atë në një lloj miti. Kalërimi i tij na fut në një mitologji sa mesjetare aq dhe moderne njëkohësisht.

Gjatë shkrimit të librit për konsullin francez Auguste Dozon “Le consul français qui aimait les contes” apo në versionin shqip “Shqipëria e konsullit Auguste Dozon”, u njoha konkretisht me versionet e shumta të kësaj kënge në popujt e tjerë ballkanikë e nisa të kërkoj mbi origjinën e kësaj kënge. Ku ishin rrënjët e saj? Auguste Dozon ishte konsulli i Francës në Janinë të Shqipërisë në vitet 1869-1874 dhe pati rastin ta njohë shumë mirë foklorin shqiptar. Ai mblodhi gjithashtu rite të traditës zakonore, këngë, përralla e proverba shqiptare. Përrallat i botoi në librin “Contes albanais” (“Përralla shqiptare”) në Paris në vitin 1881, ndërkohë që kishte botuar në librin tjetër “Le manuel de la langue schipe” (Manual i gjuhës shqipe). Ai kishte lidhje me shumë nga rilindasit e parë shqiptarë si Mitko, Kamarda, Dora d’Istria, Sami dhe Naim Frashëri, Vangjel Meksi etj. Duke qenë diplomat, ai kishte shëtitur shumë nëpër Ballkan, ku ishte konsull në Beograd dhe Plovdiv të Bullgarisë. Studjues pasionant dhe njohës i gjuhëve sllave (serbisht, bullgarisht e rusisht) njëkohësisht dhe i shqipes e greqishtes, ai kishte studiuar traditën e këngëve, përrallave dhe legjendave ballkanike dhe kishte mundësinë të studionte variantet, nuancat e tyre duke bërë dhe përafrimet e disa këngëve të njohura, siç ishte dhe ajo e Konstandinit. Pra Dozoni, ishte i pari studjues i huaj që kërkoi të bënte një analizë të tillë krahasimore, çka nuk e kishin bërë albanistët e tjerë të huaj apo shqiptarë të shekullit XIX. Kështu “Këngën e Konstandinit” apo “Konstandini, i vdekuri që udhëton” (“Constantin, le mort voyageur” siç e quante Dozon) e kishin dhe popuj të tjerë. Ai u mbështet kryesisht në dy versione shqiptare: në atë të Thimi Mitkos botuar në revistën “Bleta shqiptare” (Abeille chkype) dhe përkthimin e kësaj kënge në librin që ai botoi “Përralla dhe këngë popullore” rreth versionit shqiptaro-italian (siç e quan ai) dhe krahasimi me versionin bullgar, serb, dhe grek. I nxitur nga ky studim m’u desh t’i drejtohesha rrënjëve të kësaj kënge deri në epopenë e Digenis Akritas, të cilës i janë referuar dhe Eqrem Çabej apo Kadareja në librin e tij “Autobiografia e popullit në vargje”, por pa përcaktuar ndonjë lidhje direkte me dokumentin e Trébizondes për të treguar origjinën e vërtetë të saj. Ku qëndronte kjo lidhje direkte me epikën bizantine dhe si konkretisht?

Duke punuar për librin rreth konsullit francez m’u desh të studioja dhe versione të tjera të ngjashme ballkanike si dhe krijimin e poetit gjerman Gottfried August Bürger, (1748-1794) “Ballada e Lenore-s”, përkthyer në frëngjisht nga Gérard de Nerval me titullin “Faust et le Second Faust”. Madje, që nga fundi i shekullit XVIII kjo legjendë mbahej si një krijim gjermanik pasi nuk ekzistonte asnjë botim ballkanik apo europian i saj. Sigurisht, poetët, shkrimtarët e artistët e tjerë kanë të drejtë të frymëzohen nga thesaret e krijimit gojor popullor, por në fushën e folkloristikës, është e nevojshme që të vihen gjithnjë në dukje variantet më të vjetra dhe që përbëjnë variantin fillestar dhe jo të përpunuar nga duar shkrimtarësh, siç ka ndodhur kjo me vëllezërit Grimm apo autorë të tjerë të përrallave e të legjendave popullore. Sidoqoftë, duke hyrë në botën e vetë legjendës, kupton se ashtu si dhe në përrallat e vjetra, ato kanë shtegtuar nga një popull në tjetrin, brenda sferës ballkanike, si kultura të përafërta, edhe pse me kolorite origjinale aty-këtu, duke marrë nga krijimet e njëri-tjetrit. Por le t’i kthehemi studimit të Dozon për të risjellë variantet e ndryshme të “Udhëtimit funebër” siç i ka mbledhur ai. Duhet të themi se për mbledhjen e trashëgimisë gojore shqiptare, Dozonin e ndihmuan veçanërisht Kristoforidhi dhe Naim Frashëri.

Versioni bullgar

Në librin e tij “Këngë të panjohura bullgare”, që Dozon i mblodhi në udhëtimet e tij në Bullgari, ai tregon se gjatë dy misioneve që ndërmori në kohën që ishte konsull në Plovdiv, një ndihmë i dha studjuesi autokton Verkoviç i cili kishte mbledhur nga bardët 20.000 vargje me këngë popullore. Dozoni na jep thelbin e kësaj kënge. “Një nënë kishte nëntë djem dhe një vajzë, Vekian. Vekia u rrit dhe dikush erdhi ta kërkojë grua për dikë, duke kaluar nëntë pyje, nëntë fshatra dhe arriti tek i dhjeti. Nëna nuk deshi ta japë Vekian aq larg. Por Dhimitri nguli këmbë dhe i tha se ne jemi nëntë vëllezër dhe do ta sjellim kur të duash. Dhe Vekian e dhanë. Por më pas një mjegull e errët ra në ato anë. Gjithë vëllezërit vdiqën e bashkë me ta dhe gratë e tyre. Mbeti vetëm nëna për të tundur nëntë djepe, për të ndezur qirinj dhe ujitur lulet në varre. Por vetëm tek varri i Dhimitrit nuk shkonte. Ajo vetëm mallkonte: “Kurrë mos paç varr, se ti ma martove Vekian aq larg”. Zoti u prek nga këto fjalë dhe bëri që Dhimitri të dalë nga varri. Ai shkoi tek Vekia. Kur e pa, ajo i puthi dorën dhe i tha: “Vëllai im, përse dora tënde vjen era shkurre dhe dheu të kuq?” - “Eja Vekia, do të çoj tek prindërit për vizitë”. Dhe ata u vunë në udhë. Kaluan një pllajë të madhe, arritën në pyllin e gjelbërt dhe atje në mes ishte një pemë e madhe e sipër tij një zog që cicëronte e thoshte: “Kurrë s’kemi parë e dëgjuar që një i gjallë të ecë me një të vdekur si Dhimitri me Vekian”. Vekia i thotë: “Im vëlla, pse zogu thotë kështu?” – “Zogu është gënjeshtar”, - iu përgjigj ai. Kështu ata iu afruan shtëpisë dhe Dhimitri i tha: “Po shkoj ti jap ujë kalit dhe do vij t’u gjej pas pak”. Vekia vazhdoi vetëm drejt shtëpisë dhe i ra portës: “Hape portën, dil nëna ime, eja ballë meje!” Kur nëna doli, e pa dhe i tha: “Kush të solli bija ime?” – “Dhimitri, nëna ime plakë!” Ato u përqafuan dhe ranë…

Cilët janë elementët e veçantë të versionit bullgar:

- Dhimitri kalon nëntë pyje të gjelbërta, përshkon nëntë fshatra. Bashkë me vëllezërit, kanë vdekur dhe nëntë nuset e tyre.

- Kënga thotë se një mjegull e errët ra në vendin e tyre. Nëna mbeti vetëm për të tundur nëntë djepe e për të ndezur qirinjtë në varre. Ajo shkonte të ujiste me verë lulet në varret e tyre por jo tek varri Dhimitrit.

- Kur dëgjon mallkimin e nënës mbi varrin e Dhimitrit, Zoti mallëngjehet dhe Dhimitri del nga varri e shkon tek e motra. Kur e pa Vekia i puth dorën. Vekia i thotë: Përse dora tënde mban erë dheu? - Sepse kam punuar për ndërtimin e nëntë shtëpive.

- Ai i thotë se do ta çojë të shohë prindërit (pra jo vetëm nënën).

- Kur i afrohen shtëpisë, Dhimitri thotë Vekias: “Shko përpara se do t’i jap ujë kalit dhe pastaj do të vij”. Pra disa elementë të tillë nuk i gjejmë në versionet e tjera ballkanike.

Versioni serb

Duke konsultuar këngën serbe me të njëjtën temë, mbledhur nga Dozon në Serbi, vëllezërit vdesin sepse në vend ka rënë murtaja. “Tre vjet kanë kaluar dhe Jelica është e martuar larg. E mërzitur, ajo pyet veten se ku janë vëllezërit e saj dhe pse nuk vijnë ta shohin. Atëherë, Zotit i vjen keq dhe i dërgon dy engjëj vëllait, i cili pranoi që motra të shkonte larg, t’i jepnin jetë. Dhe kështu, guri i varrit të Joanit u bë kalë, me dheun ai bëri ëmbëlsira për motrën e tij. Dhe kur shkoi ta marrë, ajo i tha: - Përse je i zbehtë, vëlla, sikur të kesh dalë nga dheu. Dhe vëllai iu përgjigj: - Sepse punova dhe ngrita kulla për vëllezërit e mi... Jelica atëherë përgatiti këmisha mëndafshi për vëllezërit e saj dhe ata u nisën. Kur iu afruan shtëpisë së nënës, ai i tha se do të ndalonte te kisha, sepse kur martohej i vëllai i kishte rënë unaza dhe se duhej ta kërkonte. Kështu ai shkoi dhe hyri në varr. Motra e priste, pastaj ajo e kërkoi dhe pa se rrotull kishës kishte varre, duke e kuptuar se ai ishte një i vdekur. Motra shkoi drejt shtëpisë, gjeti nënën, dhe i tha t’i hapte derën. - Ç’ke moj flamë e mallkuar, - i tha nga brenda e ëma. - Ti më vdiqe nëntë djemtë dhe ja tani do të marrësh plakën e gjorë. Por Jelica iu përgjigj: - Hape, nënë, nuk jam flama e Zotit, por jam vajza jote, Jelica!... Ajo hapi derën, rënkuan të dyja si qyqe, u përqafuan dhe ranë të vdekura në tokë”.

Elementë të veçantë të versionit serb:

- Në këtë version vëllezërit kanë vdekur nga murtaja.

- Jelica është martuar përtej detit.

- Kthimi i të vdekurit ndodh 3 vjet pas vdekjes. Tek motra ai qëndron 3 ditë, pra nuk kemi nrumrin 9 si në versionet e tjera.

- Eshtë Jelica që ankohet ndaj vëllezërve që nuk vijnë ta shohin. Ankohet se nuset e vëllezërve e urrejnë. Zoti preket nga dhimbja e saj dhe i dërgon dy ëngjëj: Zbrisni ju ëngjëj mbi varrin e Joanit. Jepini frymë, pllakën e varrit bëjani kalë, dheun përreth bëjeni ëmbëlsira, mblidhini me qefinin e tij për peshqeshet dhe dërgojeni tek e motra.

- Kur takohen, motra i thotë Joanit se përse e ka çehren e zbehtë. Dhe ai i përgjigjet se është nga lodhja e madhe, meqë i është dashur t’u shërbejë nuseve të vëllezërve të vdekur.

- Motra de të përgatisë dhurata për vëllezërit: këmisha mëndafshi për ta dhe unaza për nuset e tyre, por Joani e ndalon.

- Nuk flitet për udhëtimin, kalin, zogjtë. Veprimi kalon direkt kur mbërrijnë para kishës së bardhë të fshatit. Joani i thotë: Më prit sa të kërkoj unazën në kishë, pasi më ka humbur gjatë dasmës së një prej vëllezërve. Dhe ai hyn në varr.

- Jelica pret por më së fundi shkon të kërkojë rreth kishës por aty ka vetëm varre. E kupton se vëllai i saj ishte një i vdekur.

- Fundi është si në versionet e tjera ku vdesin menjëherë që të dyja. Versioni serb dhe bullgar kanë shumë ngjashmëri me njëri-tjetrin.

Versioni grek

Versionin grek, Dozoni e ka mbledhur në ishullin Hio, në shtëpinë e një fshatari.

“Nëna ka nëntë djem dhe një vajzë. Tetë vëllezërit nuk donin që e motra të martohej larg, por Kostandini kishte tjetër mendje: “Jepe, nënë, Aretën tonë në dhé të huaj, andej nga unë udhëtoj vazhdimisht që të kem një strehë dhe unë. - Po nëse na ndodh një vdekje, një gjëmë, kush do ma sjellë bijën time? - Të betohem para Zotit e shenjtorëve që, nëse ndodh gjë, unë do të shkoj ta marr dhe do të ta sjell.

Areta martohet, kolera bie në ato anë. Nëntë vëllezërit vdesin dhe nëna mbetet vetëm. Në tetë varret, ajo godet gjoksin nga dhimbja. Te i nënti, ajo ankohet dhe ngre pllakën e varrit të Konstandinit: Çohu, Konstandin, dhe më sill time bijë. Ti m’u betove para Zotit dhe shenjtëve që nëse do ketë zi apo gajret në shtëpi, ti do ta sillje. Ishte ky betim i bërë që e nxori atë nga varri. Reja u bë kalë, një yll iu bë shalë dhe hënën ai e mori si shoqëruese, duke lënë pas lugina e male. E gjeti motrën tek krihej në dritën e hënës. - Eja të shkojmë, Areta, se nëna kërkon të të shohë. - Po si të vishem, o im vëlla, për zi apo për dasmë? - Eja kështu siç je!

Rrugës nga shkonin ata dëgjonin zogjtë që këndonin: “Kush ka parë një të vdekur që ka pas vetes një vajzë të bukur? Më tutje, të tjerë zogj këndonin: “Oh, ç’dhimbje, një i gjallë që shkon me një të vdekur!” - Ç’thonë kështu këta zogj? - i thotë e motra. - Eh, zogj janë... - Kam frikë nga ty, im vëlla, se ti vjen erë temjani. - Dje ishim në kishën e Shën Joanit dhe prifti hodhi shumë temjan. Dhe ata vazhduan rrugën. Zogjtë këndonin: “Ç’gjë të çuditshme ke bërë, o Zot, një vajzë e bukur me një të vdekur shkon! ...” Dhe zemra e Aretës u plagos: - “A e dëgjon, Konstandin, se ç’thonë zogjtë? Thuamë, ku i ke flokët? Po mustaqen tënde të dendur, ku e ke?” – “Kam vuajtur motër, nga një sëmundje e rëndë dhe desh vdiqa. Flokët më ranë, e po kështu dhe mustaqet.”

Dhe ata e gjetën shtëpinë e nënës të mbyllur me kyç, ndërsa dritaret mbuluar nga merimangat. “Hapma derën, nëna ime, jam Areta!” – “Nëse je ti, Koron i vdekjes, vazhdo udhën tej, pasi s’kam më fëmijë. Areta ime e shkretë është në dhé të huaj.” - “Hape derën, nënë, jam unë, Konstandini. Isha betuar përpara Zotit dhe shenjtorëve që në zi apo gëzim motrën do ta merrja e do ta sillja. Por sapo nëna doli në prag të shtëpisë, ajo dha shpirt...”

Elementë të veçantë në versionin grek:

- Vemë re se Aretën, nëna kishte 12 vjet që e rriste në vetmi: në hije e lante, në errësirë i thurrte flokët dhe në dritën e yjeve ia rregullonte gërshetat.

- Aretën e kërkojnë për martesë që nga Babilonia.

- Një vit pas martesës së Aretës bie murtaja. Dhe nëntë vëllezërit vdesin. Në tetë varre nëna qan dhe në varrin e nëntë ajo ngre pllakën e varrit dhe mallkon të birin: Çohu Konstandin, dua Aretën time. Ti më the se Zotin ke garant dhe shenjtët i ke dëshmitarë se do ma sillje kur të ta kërkoja. Ky mallkim e bën të çohet nga varri. Me një re në qiell ai krijoi kalin, me një yll bëri kapistallin e hënën e mori ta shoqëronte.

- Zogjtë rrugës thonë: “Sa e dhimbshme tek shohim të gjallë që shkojnë me të vdekur”.

- Motra e pyet: -Ti mban erë temjani!... Dhe vëllai i përgjigjet: Mbrëmë ishim tek Kisha e Shën Joanit dhe prifti shpërndau shumë temjan.

- Ajo e pyet se ku janë mustaqet dhe flokët e tua? Dhe ai i përgjigjet: Nga sëmundja desh vdiqa dhe kështu ranë flokët e verdhë dhe mustaqet e zeza.

- Të motrën e gjen duke u krehur nën dritën e diellit: Përse erdhe vëlla? Thuamë të vishem me rroba të bukura për dasëm apo kështu siç jam për zi?...

- Fundi si në versionin shqiptar.

Versioni shqiptar

Që në fillim, Dozoni ka vendosur shënimin: “Nga Rapsodi e një kënge shqiptare, përkthyer dhe bërë të njohur nga Gerolamo De Rada, botuar në Firenze më 1866, Canto XVII”. Madje ai shton: “Atëherë të gjitha dritaret mbylleshin plotësisht, e po kështu edhe porta. Te ortodoksët e pasur të Janinës, vendosnin në dhoma perde të zeza, madje dhe në divan vinin cohë të zezë. Fotografia e të vdekurit mbulohej me një shami të zezë. Dhe kështu, vejushat mbeteshin në këtë lloj varri vite të tëra, madje ato s’dilnin dhe për të shkuar në kishë. Versioni shqiptar fillon: “Na ishte një nënë nga një derë e fisme, që kishte nëntë djem të famshëm dhe një vajzë që quhej Garentina. Plot djem senjorësh e familjesh të mëdha e kërkonin për grua. Më së fundi erdhi një djalë nga një vend i largët. Nëna dhe djemtë nuk e pranuan kërkesën e tij, sepse ai vinte nga shumë larg. Vetëm Konstandini pranoi dhe donte që martesa të bëhej: - Nënë, pranoje këtë martesë. - Konstandin, biri im, ç’thua kështu, ti do që motra tënde të shkojë aq larg? Po të kem ndonjë gëzim, një nevojë në ditë zije, ajo do më mungojë. - Atëherë, nëna ime, unë do shkoj ta marr!

Dhe Garentina u martua. Por pas kësaj ndodhi një vit i tmerrshëm që i kositi të nëntë vëllezërit e saj në fushën e betejës. Dhe nëna u vesh me të zeza dhe e mbylli shtëpinë.

Të shtunën e të vdekurve ajo doli dhe shkoi në kishë, ku ishin varret e djemve të saj dhe në secilin varr vendosi nga një qiri dhe vajtoi. Ndërsa në varrin e Konstandinit ajo vuri dy qirinj dhe vajtoi dy herë.

Kur mbrëmja ra Konstandini u ngrit nga varri. Pllaka e gurtë e varrit iu shndërrua në një kalë të furishëm, mbuluar me një pelerinë të zezë. Ai u hodh mbi kalë dhe u nis drejt kullës së motrës. Në oborrin e madh gjeti fëmijët e saj që loznin duke ndjekur dallëndyshet. - Ku është nëna juaj? - i pyeti ai. - Daja ynë Konstandin, nëna ka shkuar të hedhë valle në qytet.

Dhe ai shkoi drejt njerëzve që vallëzonin: - A është me ju motra ime, Garentina? - Shko më tej se do ta gjesh me rroben e saj të shkëlqyer dhe kapelen prej veluri. Pastaj iu afrua valles së dytë që hidhej: - Konstandin, vëllai im! - Garentinë, lëre vallen dhe eja të shkojmë në shtëpinë tonë. - Po më thuaj, ç’të bëj, sepse në shkoj për zi, të vishem me të zeza dhe nëse shkoj për gëzim, të marr rrobat e festës. - Eja të shkojmë kështu siç je.

Gjatë rrugës Garentina i tha: - Konstandin, vëllai im, shoh një shenjë vdekjeje, sepse supet e tua janë mbuluar me myk. - Garentinë, motër, është tymi i pushkëve që i ka bërë kështu supet e mia. - Por shoh dhe diçka tjetër, pasi flokët e tu me onde tashmë janë kthyer në pluhur. - Garentinë, motër, të gënjejnë sytë, pasi ky është pluhuri i rrugës. - Konstandin, im vëlla, përse vëllezërit e tu të dashur dhe kushërinjtë nuk i shoh të na presin? - Ata do të jenë atje tutje. - Por tjetër gjë po shoh, o im vëlla, dritaret e shtëpisë sonë janë mbyllur dhe barërat i kanë mbuluar. - Ah, nëna i ka mbyllur ato nga erërat e detit, sepse nga kjo anë fryn flladi i dimrit.

Duke mbërritur, kalojnë pranë kishës. - Lermë të shkoj në kishë të lutem! - i thotë Konstandini… Duke ngjitur shkallët e larta, ajo shkoi drejt derës së nënës së saj. - Hape derën, nëna ime! - Kush je ti që troket në derë? - Zonja mëmë, jam unë, Garentina! - Shko tutje moj hienë e vdekjes, që më more nëntë djemtë dhe tani, me zërin e vajzës sime, vjen të më marrësh dhe mua. - Oh, hape, zonja mëmë, jam unë vetë, Garentina. - Po kush të solli këtu, bija ime? - Konstandini, im vëlla! - Po ku është ai tani? - Ka shkuar të lutet në kishë.

Nëna hapi derën dhe shtrëngoi bijën e saj në krahë, e bija shtrëgoi nënën dhe nënë e bijë dhanë shpirt”.

Elementë të veçantë të versionit shqiptar:

Duke analizuar këtë version konstatojmë se:

- Vëllezërit janë vrarë në luftë, çka nënkupton gjendjen e Shqipërisë përgjatë luftrave të njëpasnjëshme kundër pushtuesve të ndryshëm.

- Nëna vishet me të zeza dhe errëson shtëpinë nga brenda.

- Eshtë një familje fisnikësh.

- Kur Konstandini shkon tek kulla e motrës larg, në oborr gjen fëmijët e saj, të cilët i thonë se ajo ka shkuar të hedhë valle në qytet.

- Udhës së kthimit, motra e pyet se përse i ka supet me myk? - Eshtë tymi i pushkëve, - i përgjigjet ai. - Po flokët janë me pluhur? - Eshtë pluhuri i rrugës!

Garentina e pyet pse dritaret e shtëpisë janë të mbyllura dhe bari e ka mbuluar. - Nga erërat e detit, - përgjigjet ai.

Pasi ka mbledhur këto variante të së njëjtës këngë Dozoni pyet se cili është versioni origjinal? Ai nuk është në një mendje me studiuesin gjerman Fullmerajer (Fallmerayer) sipas të cilit shqiptarët janë prioritarë në krijimin e legjendës “Udhëtimi i të vdekurit”, “Voyage du mort”. Në fakt, më shumë se popujt e tjerë fqinjë, shqiptarët e Perandorisë Otomane ishin të detyruar të shkonin nizamë gjer në territoret më të largëta të perandorisë, në Liban, Siri apo Jemen e gjer në Palestinë. Është e njohur kënga e tyre “Mbeçë, more shokë, mbeçë/përtej urës së Kiabesë…” Kënga Konstandini i vogëlith gjendej apo këndohej pak a shumë në gjithë diasporën shqiptare. Duke iu referuar versionit shqiptar, Dozon shkruan në tekstin e tij se “Zakoni i detyronte gratë të vajtonin (vaje) për të afërmit e tyre të vdekur. Ky zakon është më i fuqishëm te shqiptarët se te popujt e tjerë të zonës danubiane. Ja pse vajzat i martojnë pranë familjeve të tyre”. Studiuesi franko-grek Jean Psichari theksonte se familjet sllave kishin dëshirë ti martonin vajzat larg që të mund të zgjeronin aleancat dhe influencën e tyre.

Proçesi i krijimit

Shtegtimi i këngës nga një bard tek tjetri, nga një krahinë e vend në tjetrin e nga një kohë në tjetrën, ka qenë diçka e zakonshme në krijimtarinë gojore popullore për të gjithë popujt, siç ka ndodhur edhe në këngët epike të ciklit të Mujit e Halilit, Kënga e Murimit, etj. Atëherë tekstet nuk ishin të shkruara, çka bardit i jepte lirinë e krijimit dhe nota origjinale të frymëzimit të tij. Bardët shtojnë dialogje, zgjaten në disa momente dramatike apo parapëlqejnë të ndalojnë më shumë në disa të tjera. Garentina në versionet shqiptare quhej gjithashtu Jeruntina, Doruntina, Dhoqina etj, ndërkohë që kemi paralelisht personazhet e serbes Jelica, bullgares Vekia, grekes Areta, rumunes Voika… Ndodh që bardi ndryshon dhe motivimet e personazheve dhe kursin dramatik. Në versionin shqiptar, Konstandini ngrihet nga varri sepse nëna i kërkon të mbajë fjalën e dhënë, në versionin serb apo bullgar, është Zoti, të cilit i vjen keq për dhimbjen e nënës që e çon nga varri. Në versionin grek e shqiptar janë zogjtë që shoqërojnë kalërimin funebër. Në transformimet mistike, në versionin grek është reja që bëhet kalë ndërkohë që në versionin shqiptar është pllaka e varrit. Është interesante që në versionin grek, nëna vdes para Konstandinit, çka nuk është në versionet e tjera.

Në fakt, versione të tjera shqiptare janë krijuar nga bardë të ndryshëm gjatë shekujve, ku futen elementë të ndryshëm e të veçantë siç është ai ku vëllezërit janë helmuar nga mishi dhe nuk janë vrarë në luftë apo kanë vdekur nga murtaja si në Kënga e Dhoqinës. Edhe sot ekzistojnë versione interesante si në Labëri, Hoshtevë, etj., ku njëra ka si motiv besën, fjalën e dhënë dhe tjetra jo. Ky është një fenomen dhe i epikës shqiptare ku në këngët epike hiqen apo shtohen detaje e episode të reja.

Epika shqiptare ruan edhe Këngën e Halil Garisë, të botuar gati një shekull më parë në Visaret e Kombit, ku këtë legjendë e gjejmë në një formë tjetër të ngjashme dhe ku Halili është njëri nga nëntë vëllezërit, i cili i ka dhënë fjalën të motrës që do ta merrte edhe pse nëntë ditë rrugë larg. Kur motra pa se Halili s’kishte ardhur sipas fjalës së dhënë, i kërkoi një zogu që të shkonte dhe t’i kujtonte Halilit besën e dhënë. “Amanet, more zogu malit!/M’i thuej vllaut, Halilit të ri,/Se jot motër mue më ka thanë:/- Ku e le besën, qi m’ke dhanë?.../” Por në fakt, vëllezërit ishin vrarë me njëri-tjetrin dhe ja ku pas 7 vjetësh mrekullia ndodhi. Halili u çua nga varri dhe shkoi të marrë motrën e tij dhe kur e solli atë, menjëherë u zhduk. Nënë e bijë takohen, shkojnë tek varret e djemve dhe aty vdesin nga dhimbja.

Kënga e bukur dhe tragjike e Konstandinit, e frymëzoi Ismail Kadarenë për të shkruar romanin e tij “Kush e solli Doruntinën”. Kadareja mbështetet pikërisht tek fjala e dhënë, besa shqiptare dhe e bën prioritare ndaj versioneve të tjera ballkanike, çka është tepër e diskutueshme. Në fakt, duke bërë një vështrim krahasues, edhe në popuj të tjerë është fjala e dhënë.

Dozoni padyshim e ka dëgjuar këtë këngë në Janinë dhe në Jugun shqiptar kur ishte konsull, ashtu siç dëgjoi nëpër mejhane përrallat, proverbat, këngët e dashurisë dhe ato historike të cilat i mblodhi me ndihmën e Kristoforidhit, Naim Frashërit dhe Apostol Meksit. Por në librin e tij “Këngë të pabotuara bullgare” ai ka vendosur pikërisht versionin arbëresh që Dora d’Istria e kishte botuar më parë, në vitin 1866 në Revue des Deux Mondes në esenë e saj të gjatë “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”. Revue des Deux Mondes ishte atëherë një nga revistat më prestigjioze të studimeve ku shkruanin intelektualët më të shquar francezë. Që në fillim D’Istria na jep referencat e kësaj kënge.

Njëkohësisht, duke u interesuar për kulturën dhe letërsinë gojore shqiptare, Dozoni ishte njohur me punën studimore të ish-kolegut të tij Johan von Hahn si dhe me revistën “Bleta shqiptare” të Thimi Mitkos në Aleksandri të Egjiptit, i cili ishte në kontakt dhe me Dora D’Istrian. Eshtë fjala për këngën e regjistruar tek arbëreshët nga Kamarda “Kostantini dhe Garentina”. Meqë Dora d’Istria e ka botuar këtë këngë në studimin e saj para Dozonit, le të japim fundin e kësaj kënge në dialektin arbëresh që të shijojmë gjuhën e vjetër shqipe: “- Bila ime, kush të suallë? - Kostantini erth e më suallë./- Kostantini eni ku vate?/Vate hiri në qishë./- Kostantini po po bilë/Kostantini u bë botë./Tue qaiturë, tue u puthurë/U shtrënguan e jëma dhe e bila /e aqë helmi, aqë taraksia/sa vëdiq e bila e e jëma”.

Pra nga gjithë këto krahasime, kuptohet se kjo legjendë ka shtegtuar dhe ka qëndruar brenda popujve të Ballkanit dhe nuk i ka kapërcyer kufijtë drejt Italisë, Francës, Spanjës, Veriut dhe Lindjes europiane. Bardët i kanë qëndruar besnik thelbit, atij të ngritjes nga varri, për të mbajtur fjalën e dhënë, duke bërë kalërimin funebër dhe si gjithnjë në fund nëna dhe vajza vdesin në përqafimin e tyre nga dhimbja e madhe. Në folklorin rumun i vdekuri është një “bredharak i bardhë”, apo një “korb i zi që shkon në qiell”, është një lloj pelegrini siç shkruan dhe Fréderic Dieux në një studim të botuar në Gjenevë në La Baconnière (“Këngët e vdekjes”). Dhe ky pelegrin duhet të kalojë “doganat e qiellit” që ruhen nga ëngjëj rebelë nderur në ajër, të cilët ndalojnë shpirtrat e vdekur për të gjykuar aktet e tyre nëse ata e meritojnë të shkojnë më tej drejt parajsës.

Përsa i përket këngës gjermane, Ballada e Lenorë-s, edhe pse ruan strukturën dhe frymën mistike të këngës, në shkrimin e saj ajo ka kaluar në shtratin e krijimit letrar, pra të letërsisë, ku bie në sy poetika e fjalës, e veprimit dhe e atmosferës në të cilën ndodhin ngjarjet.

Ballada e Lenorë-s

I vetmi rast që kjo legjendë ka kapërcyer kufijtë ballkanikë është krijimi i poetit gjerman Bürger e botuar në shekullin XVIII. Trajtimi letrar është shumë poetik dhe që të bën për vehte. Eshtë po ajo strukturë: Pas ëndrrash të trishta, Lenora ngrihet që në ag dhe thotë: “Vilhelm, burri im! Vallë ke vdekur? Apo e ke shkelur betimin e bërë? Vallë ende do të vonohesh?”

Që atë natë që ishin martuar, ai ishte nisur për në betejën e Pragës, duke ndjekur pas mbretin e tij Frederik dhe qysh atëherë ajo nuk kishte asnjë lajm për shëndetin e tij. Por mbreti e mbretëresha, të lodhur nga grindjet e përgjakshme, duke u paqtuar pak nga pak, më së fundi përfunduan paqen. Të gjithë kthehen, por më kot Lenora pret kthimin e Vilhelmit. Ajo vërtitet mes njerëzve dhe pyet ngado, por nga të gjithë ata që janë kthyer, askush s’mund t’i japë lajme të reja për burrin e saj të shtrenjtë. Dhe meqë ai është larg, ajo nis të shkulë flokët dhe të shembet përtokë duke u dridhur në delir. Nëna shkon me nxitim drejt saj: “Ah, Zoti të ndihmoftë! Ç’ke, o fëmija im i shkretë?” - dhe ajo e shtrëngon në krahët e saj. “Oh, moj nëna ime, ai ka vdekur! U shoftë kjo botë, u shofshin të gjithë. Zoti s’ka më hiç mëshirë!” - Nëna i thotë t’i lutet Zotit dhe ndërkohë dëgjohet troku i një kalorësi që rend dhe zilja e shtëpisë që tingëllon. Eshtë Vilhelmi. Vjen larg nga Bohemia. Ai e merr mbi kalë. “Eja, - i thotë, - të të çoj në banesën tonë. Banketi i dasmës është përgatitur dhe të ftuarit na presin.” Dhe Lenora hidhet mbi kalë. Rrugës ai i thotë: “Të vdekurit shkojnë shpejt! A ke frikë nga të vdekurit e dashura ime?” - “Lëri të vdekurit në paqe,” - i thotë ajo. Kur afrohen, ajo çuditet me një re korbash që shkojnë dhe me këngë vajesh që dëgjohen. - “Kemi për të varrosur një të vdekur,” - thotë ai. Pasi e varrosin të vdekurin, ajo i fton njerëzit që të shkojnë për dasmën e tij.

Të prekur prej ftesës së tij, të gjithë e ndjekin në karvan. “Hurra!... Guxim, kali im i zi. Më duket se gjeli i mëngjesit po këndon. Koha më së fundi do të mbarojë. Ndiej erën e mëngjesit. Nxito, ti kali im! Po përfundon, po merr fund vrapi ynë, shpejt! Po shoh banesën tonë…” Ai hidhet vërtik kundër një grile hekuri dhe kalin e godet me kamzhik. Hekurat thyhen… të dy tërhiqen duke rënkuar. Vrulli i kalit e çon midis varreve, të cilët, nën shkëlqimin e hënës duken ngado. Ah, e sheh?!... por në të njëjtin çast ndodh një çudi e tmerrshme. Ai bie e zhduket në thellësitë e tokës. Dhe zemra e Leonorës përpëlitet midis jetës e vdekjes. Dhe shpirtrat, në qartësinë e hënës mblidhen rreth saj dhe vallëzojnë duke kënduar: “Durim! Durim! Kur dhimbja thyen zemrën tënde, mos e mallko kurrë Zotin e qiellit tonë! Ja trupi yt që dha shpirt… Zoti e mëshiroftë shpirtin tënd!”

Linguisti franko-grek Jean Psychiari, duke kërkuar origjinën e vërtetë të kësaj kënge në fundin e shekullit XIX, botoi në revistën Revue des Deux Mondes një ese me titullin “Ballada e Lenorë-s në Greqi”. “Mjafton të shënojmë - shkruante ai, - se “Kalërimin funebër” ne e gjejmë tek bullgarët dhe shqiptarët. Ky fakt ka shumë rëndësi dhe tundimi është i madh për të thënë se ndërmjetësi i vërtetë duhet të jetë versioni shqiptar dhe se versioni grek është versioni i fundit që është krijuar…” Kontributi i Psichari-t ishte se ai vërtetoi se Bürger ishte frymëzuar nga balada ballkanike. Duke kërkuar në korrespondencën e poetit gjerman ai gjeti një letër ku ai pohonte se ishte frymëzuar nga balada e vjetër dhe kjo padyshim ishte e rëndësishme për përcaktimin e origjinës. Në dukje, “Ballada e Lenorë-s” ngjante se ishte teksti më i vjetër se botimet e tjera të kësaj kënge të mbledhur në trevat ballkanike. E vërteta ishte ndryshe. Por më së fundi, cilat ishin rrënjët e këngës së Kostandinit? Cili ishte version më i hershëm. Një përgjigje të plotë i dha kësaj historiani francez i shekullit XIX Alfred Rambaud.

Dorëshkrimi i Trebizonde-s

Alfred Rambaud, historian i Perandorisë Bizantine, i ishte drejtuar “Udhëtimit të të vdekurit” në esenë e tij “Bëmat e Digènis Akritas dhe epopeja bizantine e shekullit X”, të botuar në Revue des Deux Mondes në vitin 1875. Në këtë ese ai hedh dritë mbi historinë e dorëshkrimit të bibliotekës së Trebizonde-s (Trebizonde, qytet në Anadoll, buzë Detit te Zi) të shekullit XIV por që siç thekson ai në këtë ese, ky cikël epik e kalorsiak është kompozuar që në shekullin e X, në kohën e luftrave bizantine. Bëhet fjalë për një dorëshkrim të historisë së Digenis Akritas ku versionit më të vjetër i mungon libri i parë, gjysma e të dytit apo një fletë e të shtatit, etj. Në këtë cikël epik dhe plot bëma të Digenis Akritas, janë futur dhe këngë te tjera, ku njëra prej të cilave lidhet me nipin e Digenis, Konstandinin. Në një version tjetër ai është xhaxhai i Digenis. Nga kjo epope e vjetër, e cila kopjohej nga murgjit, janë gjetur disa versione si, versioni T, versioni G i Grottaferrata-s i botuar nga Emile Legrand, version P, versioni E apo versioni sllav, ku versioni më i gjatë arrin gjer në 3749 vargje.

Kënga e Konstandinit që lidhet me këtë epope fillon me historinë e nënës së Eudocie-s (Edhoksia) e cila nuk arrin të ngushëllohet që e ka martuar vajzën larg në një vend të huaj. Ishin bijtë e saj që e kishin shtyrë ta martonte edhe pse larg, por ata tani kishin vdekur të gjithë. Me mallin e madh për të parë vajzën ajo shkon e vajton në varret e nëntë bijve dhe veçanërisht në varrin e Konstandinit i cili nguli këmbë aq shumë. Ajo shkul flokët nga dhimbja dhe i thotë: “Çohu Konstandini im i shtrenjtë! Dua të më sjellësh Eudocie-n (Edhoksinë). Ti më dhe fjalën duke më thënë se garant i premtimit tënd janë Zoti dhe Hyjnitë martirë dhe se në gëzim a hidhërim, ti do shkoje ta merrje tri herë në verë e tri herë në dimër”. Mallkimi i nënës bëri që Konstandini të ngrihet nga varri. Gurri i varrit iu bë kalë dhe toka iu bë shalë, flokët e verdhë iu bënë kapistall dhe krimbi i tokës u kthye në vetë Konstandinin. Dhe ai nxitoi drejt Eudocie-s. Atë e gjeti duke hedhur valle. Tek mbaroi vallen e nëntë ai i bëri shenjë dhe kur ajo iu afrua i tha: “Eja Eudoci-a ime vogël të shkojmë tek nëna jonë”. E merr atë me vete mbi kalë. Në afërsi të shtëpisë së tyre, Konstandini zhduket. Eudocie bie në krahët e nënës së saj dhe ky përqafim është i fundit, sepse pastaj ato vdesin nga dhimbja e madhe dhe i varrosin të vdekur në dheun me merimangat që bëjnë pëlhurën e tyre. Eshtë interesant fakti se versioni shqiptar dhe ai grek kanë trashëguar emrin e personazhit, Konstandin, ndërkohë që në versionet e tjera ai quhet Dhimitri, Joan, etj.

Nga sa lexojmë nga ky dorëshkrim i vjetër i kompozuar pra në shekullin e X-të (kopje të të cilit janë gjetur në shek. XIV e më pas), sipas kuadrit të tij historik, duket që nëpër shekuj, bardët e vendeve të ndryshme e kanë përcjellë duke e përpunuar, edhe pse i kanë i qëndruar besnik ngjarjes në fjalë. Rambaud nuk heziton të shkruajë për punën e zotit Sathas, autor i “Kronikës së Galaxidhit”, i cili që në vitin 1867 kishte botuar një poemë të gjatë të Koronaios për nder të estradiotit Mercurios Bua, ku ai gabohet se është grek, ndërkohë që ai njihet botërisht si ortodoks shqiptar i një familje të madhe shqiptare, siç e pohonte dhe studjuesi gjerman Carl Hopf. Rambaud shkruante gjithashtu se edhe sot (shek. XIX) tregojnë për varrin e Konstandinit. Gratë kur lindin, shkojnë aty të tregojnë fëmijën e tyre që ai të bëhet trim si Digènis dhe të mos e zerë syri i keq. Alfred Rambaut shton gjithashtu: “Siç thotë Emile Legrand, në gjuhën greke ekzistojnë disa variante të kësaj kënge. Ne kemi gjetur variante dhe tek shqiptarët e serbët. Zoti Dozon sapo ka botuar një tekst të tillë të bullgarëve. Dhe së fundi: gjithë bota e njeh versionin gjerman: “Të vdekurit shkojnë shpejt!”

Ngjashmëria e kësaj kënge bizantine është e jashtëzakonshme me variantet e regjistruara në shekullin e XIX në Shqipëri, Greqi, Bullgari, Serbi apo Rumani. Pra lidhur me këtë këngë askush nuk mund të thotë se është pjesë vetëm e trashëgimisë së tyre orale. (Studjuesi franko-grek Jean Psichari i jep përparësi versionit sllav si ndërmjetës apo transmetues i versionit original bizantin, por kjo është e diskutueshme nga ana e studjuesve të tjerë.)

Në studimin e tij Rambaud na kujton gjithashtu se Akritas (d.m.th. rojtar kufiri - akras), është pinjoll i dy racave: ai është grek, pra një Dukas nga e ëma, bijë e Andronikut, dhe musliman (sarazen) nga i ati, emir i Edesse-s dhe se ndoshta rrënjët e kësaj poeme anonime të Trebizonde të shekullit XIV “vijnë nga koha kur kryqtarët e shekullit XIII gjejnë shumë ngjashmëri me stradiotët në Greqi dhe baronët e Perëndimit, dhe se shkrirja e këtyre dy shtresave fisnike u bë menjëherë. “Kronika franceze e Moresë” nuk heziton t’u japë luftëtarëve indigjenë (mes të cilëve shqiptarë L.R.), titullin fisnik, ndërsa ata, në gjuhën e tyre i cilësojnë kryqtarët frankë estradiotë apo kalorës”. Kronikat dhe gjenealogjitë e stradiotëve shqiptarë të familjeve të mëdha të gjetura nëpër kishat e Greqisë nga studjuesi gjerman Carl Hopf në librin e tij “Kronika greko-normande” e vërtetojnë këtë.

Ajo që mund të konstatojmë është se “Udhëtimi i të vdekurit”, pra “Kënga e Konstandinit” nuk është shprehje e një vullneti religjioz, por në thelb ajo ka dashurinë dhe fjalën e dhënë, dy elementë mbi të cilët është thurrur kjo legjendë që në shekujt e hershëm të luftrave bizantine. Si rrjedhim mund të themi se cikli i Digenis Akrias nga i cili kemi dhe origjinën e legjendës së Konstandinit, është pararendësi apo bashkëkohësi i cikleve të tjera të mëdha epike të Europës, siç janë Kënga e Rolandit në Francë, Kënga e Sidit në Spanjë, Kënga e Nibelungëve në Gjermani, Cikli skandinav, etj. Popujt kanë trashëguar nga një shekull në tjetrin bëmat e tyre. Kështu, dhe “Kënga e Konstandinit” e i ciklit të Digenis Akritas ka shtegtuar nëpër Ballkan dhe popujt ballkanikë e kanë bërë të tyren.

©Luan Rama

Botuar për here të parë në Revistën ALBANICA (Rumani) Nr. 16, dhjetor 2022