Histori

Michel Setboun dhe historia shqiptare brenda një objektivi - Nga Luan Rama

Mikun tim të vjetër Michel Setboun e takova para pak ditësh me rastin e hapjes së ekspozitës së tij «Paris, soleil ouvert» (Parisi në diell) në La Belle Hortense, Rue Vieille du Temple, të Parisit. Kësaj here një ekspozitë në «Bardh e Zi» me imazhe të një jete të zakonshme, jashtë shkëlqimeve, dekoreve mahnitëse, portreteve «Glamour», fotografive nudo dhe bulevardeve parisiane. I duhej të vishej si një njeri i rëndomtë, për të mundur të fotografonte në periferinë parisiane njeriun e rrugës, skutat e errta, klosharët dhe njeriun e braktisur në mjerimin e vet. Madje në një nga fotografitë duket një cigane që e ka kuptuar se është fotograf dhe i bërtet të largohet. Por Michel, si gjithnjë, kërkon të dëshmojë realitetin në të gjitha format e tij, të fiksojë realitetin sado i hidhur të jetë ai për të ngacmuar ndërgjegjen humane dhe të shoqërisë. Ja pse objektivi i tij shkon në zonat e nxehta, të ndjeshme apo të «errëta», në Saint-Denis, Saint-Ouen, Clignancourt, etj. Dhe kjo kërkon kurajo.

Kjo ekspozitë vjen pas ekspozitave të hapura së fundi në Shkodër dhe të një ekspozite tjetër në Paris. Disa ditë më parë kthehej nga Shkodra me gëzimin e tij të natyrshëm, optimist si gjithnjë dhe i lumtur nga takimet mes shqiptarëve ku dhe në Shkodër e pritën duarhapur me një ekspozitë mjaft të bukur në Muzeun e Fotografisë Marubi. Në ekspozitën e mëparshme në Paris ishin fotografi të Parisit gjatë pandemisë, bulevardet e boshatisur, Sena, Champs-Elysées, Avenue de l’Opera etj., peizazhe në «Bardh e Zi», me kontraste të mrekullueshme të dritë-hijeve. Parisi, gjithnjë Parisi si në ekspozitat «Paris, Lumière noir» (Paris, dritë e zezë), «Paris vu des cloches» (Paris i shikuar nga kambanat), «Notre Dame de Paris» apo «Où coule la Seine» (Aty ku rrjedh Sena) me vargjet e Apollinaire «Ku rrjedh Sena dhe dashuritë tona»…

Setboun është një bohem i Parisit, i Senës, poeti i dritës. Ai njeh çdo skaj të Parisit, çdo rrugë, bohem i urave mbi Senë, gargujve të Notre-Dame, i Montmartre-s me shkallët që ngjiten e zbresin plot hire si në vargjet dhe këngët e Jacques Prevert. Gjithnjë në kërkim të dritës, i thyerjeve të saj, ku objektet, portretet vihen më në dukje, flasin poetikisht, pasi në fund të fundit fotografitë kanë gjuhën e tyre, dinë të flasin përmes dritës. “Shikoji ujrat e Senës, - më thotë duke më treguar një foto me ngjyra, - asgjë nuk lëviz, duket si një pasqyrë apo cohë e shtrirë pa asnjë rrudhë.” Mjeshtri ka një eksperiencë më shumë se 40 vjeçare në fushën e fotografisë veçanërisht me agjencitë e mëdha fotografike si SIPA, Rapho, Black Star etj. Nuk është një fotograf mode që preferon botën e artistëve, fytyrave të bukura, etj. Ai është një fotograf i portretit njerëzor si dhe i peizazheve mahnitëse që japin gjeografinë e botës. Por duket se portreti për të është vetë jeta. Arkivi i tij është i jashtëzakonshëm, veçanërisht në planin gjeo-politik dhe gjeografik gjithashtu, kohë kur ka ndjekur krizat e mëdha, luftrat në Afganistan, Iran, Siri, Mongoli, refugjatët e Orientit, luftrat në Ballkan e po kështu dhe evolucionin shqiptar nga një regjim stalinist në demokraci, me gjithë kaosin e viteve 1996-1998, me absurdin dhe përpëlitjet e veta.

"Shqipëria ime"

Setboun është padyshim i dashuruar prej kohësh me Shqipërinë. Në dy ekspozita të mëdha si ajo në hollin e kryeministrisë në Tiranë apo dhe kjo së fundi në Muzeun e Fotografisë Marubi, ai na ka shfaqur imazhe nga vetë historia e re shqiptare, ajo që ai ka parë dhe që ka dëshmuar përmes aparatit të tij që është kthyer në një gjymtyrë të re të trupit dhe shpirtit të tij. E kam njohur që në fillimet e viteve ’90 kur sapo kisha shkuar diplomat në Paris. Setboun sapo kthehej nga Shqipëria për të shkuar sërish disa muaj më pas. Shqipëria atëherë kalonte ngjarje të mëdha. Që nga viti 1981 ai kishte ndjekur historinë shqiptare me fotografi mjaft interesante për kohën, kur shumë pak gazetarë e fotografë të huaj mund të vinin në Shqipëri.

Përmes fotografive ai shoqëroi pothuaj gjithë tranzicionin shqiptar, me dramën e jetës shqiptare, emigracionin drejt Far-West, me absurdin dhe krizat e tronditëse të viteve 1997-1998. “Nga mijëra fotografi shqiptare kam zgjedhur rreth 40 prej tyre, tepër të veçanta që kanë histori mjaft interesante dhe dua të përgatis një libër duke treguar çastet kur i fotografova, personazhet si dhe çfarë kishin të veçantë në historinë tuaj të re”, më thotë ai. Dhe vërtet, çdo fotografi për të është një histori, një simbolikë, një imazh që përfaqëson kohën, botën e njeriut dhe gjendjen sociale e politike të tij. Po, fotografitë e tij tregojnë gjithnjë diçka. Kam parasysh fotografitë e tij me ngjyra kur botonte në revistat franceze një fshatar në Shkozet që flinte në krah të një bunkeri në plazh, kalimtarë të Tiranës që kalojnë pranë pankartave të mëdha revolucionare, fjalën “Enver-Parti” mbi malin e Shpiragut, apo një bari me delet e tij në një ndërtesë kishtare ku në sfond janë afreskët e lashtë.

Ulur në sallën e ekspozitës, ku zonja simpatike e galerisë na pret me shumë kënaqësi, ai ka dëshirë të më flasë për Shqipërinë dhe mbresat e tij të fundit, dhe ato janë të shumta. Kohrat alternohen mes tyre në bisedën tone. Më tregon kur në fillimet e viteve ’90 shkoi në Rragam të Tropojës dhe fotografoi një dasëm. «Dhëndri dhe nusja e çuditërisht qanin të dy. Por shpejt e kuptova se e qara kishte lidhje me atë sepse ata po bekoheshin në rrënojat e një kishe të shkatërruar, si shume nga kishat në Shqipëri gjatë kohës totalitare. Pra donin të martoheshin në kishë, edhe pse ishin mbi rrënoja. Unë kam marrë pjesë në shumë dasma në Shqipëri por ajo nuse për mua ishte nusja më e bukur. Fotografitë e asaj dite kishin një gjendje të madhe emocionale. Kur shumë vite më vonë shkova në Tropojë, i takova ata dhe u dhashë albumin që kisha përgatitur, por djali i tyre më foli plot zemëratë se përse i kisha fotografuar prindërit e tij duke qarë, për çka njerëzit e fshatit do qeshnin me ta. Por shpejt ai do ta kuptonte pse kishte ndodhur kjo…”

Disa herë në Shqipëri Setboun udhëtonte në shoqëri me gazetarë për të shkruar reportazhe dhe ilustruar ato me fotografitë e tij, siç ishte rasti kur u njohëm së bashku dhe me gazetaren Edith Canestrier. Ishte një eksperiencë e mrekullueshme. Viti 1991. Ai tashmë ishte bërë një nga njohësit më të mirë të aktualitetit shqiptar dhe të gjithë e kërkonin, revistat Géo, Paris Match, Figaro Magazine, Marie Claire e shumë të tjera. Fotografitë e tij shqiptare ishin një referencë në mediat europiane. Dhe Setboun ishte gjithnjë i papërtuar kur vinte puna për të shkuar në Shqipëri. Njihte vendet, personazhet politike, njerëzit e kulturës, fenomenet e reja në shoqërinë shqiptare dhe antropologjinë e re të kësaj shoqërie. Kërkonte të fiksonte atë që kishte një domethënie më vete, siç ishin një seri fotografish në fonderinë e një artisti, Vladimir, ku gjendeshin koka e statuja të Leninit, Stalinit, Enver Hoxhës. Qindra buste e monumente bronxi shkriheshin në fonderitë e Tiranës. Ishte fundi i një epoke dhe Vladimiri i ishte kthyer ndërkohë skulpturës së personazheve epikë, Ciklit të Kreshnikëve.

Setboun ishte një artist që e kishte shkelur këtë vend nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, duke hyrë gjithashtu në interieret e jetës shqiptare: i thjeshtë, i qeshur, me humorin e tij karakteristik dhe veshur tepër thjesht si të ishte një sindikalist dhe jo një fotograf mondan. E bukura për të është njerëzorja. Tani që sapo është kthyer më tregon gjithashtu se si para pak kohësh, ishte befasuar kur kishte shkuar në Shëngjin. - Pse? e pyeta. - U befasova, pasi në të njëjtin vend ku 30 vjet më parë kisha fotografuar shqiptarët që iknin me gomone drejt brigjeve të Italisë, tashmë gjeta jo shqiptarë por afganë. Ishte e habitshme dhe tronditëse!”

Duke e pyetur për ekspozitën në Shkodër, qytet që i pëlqen shumë, duke qeshur ai më foli për “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” - Cilin gjeneral? - e pyeta me kureshtje. - Një prift që unë e quaj “gjeneral” pasi ai i ngjante Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur, meqë ishte vënë në kërkim të varreve të priftërinjve të vrarë gjatë kohës staliniste, eshtrat e të cilëve nuk ishin gjetur deri kohët e fundit.” Disa janë gjetur tashmë, por ai kërkon të tjerë! Një ngjarje vërtetë befasuese për një prift që kërkonte varret e tyre. Ç’histori! Po kështu ai ishte befasuar të gjente në Shqipëri bijtë e atyre që kishin luftuar njëzet vjet më parë në Iran. Gjeneratat vazhdonin kështu luftën e lirisë. “Shqipërinë kam dashur ta vizitoj që në vitet ’70, kohë kur fillova reportazhet e para fotografike. Zbarkova në Mal të Zi, kalova nga kufiri lindor i Shqipërisë, Kosova, zbrita poshtë drejt kufirit të jugut, por e pamundur të depërtoja në “kështjellën e pamposhtur” shqiptare siç e quante lideri suprem.”

Me Setboun ke dëshirë të rrish gjatë e të bisedosh me të për fotografinë, artin dhe botën. Dhe ai ka shumë ç’të thotë. Eshtë njeriu që ka qënë në 130 vende të botës, që ka ndjekur luftrat në Angola, në Indi, luftën e përgjakshme civile të Libanit, luftën mes Irakut dhe Iranit, është fotografi që u plagos gjatë luftës civile në Salvador. Jeta e tij është një roman më vete dhe unë besoj se jo vonë ai do ta shkruajë atë, për të treguar jo vetëm shtegtimet shqiptare por gjithashtu frontin e “luftës” të një fotogazetari, të një reporteri të kohëve më tronditëse që po kalon njerëzimi sot. Dhe ai këtë e ka treguar përmes disa botimeve si “Shpërbërja e Iranit”, “Ballada e kambanave”, “40 vjet fotogazetari”, “Venecia”, “New York Vertigo”, “Mongoli”, ëndërr e pafund, etj. Një pinjoll i vërtetë i Albert Kahn, humanistit që në fillimin e shekullit XX shpenzoi gjithë pasurinë e tij dhe nisi fotoreporterët e tij të regjistronin kujtesën e botës.

Tek e shoh tani, më gjan se brenda tij dhe mijëra e mijëra fotografive që ka në arkivin e tij, është kujtesa e botës së sotme, e asaj që ka ndodhur në fundin e një mijëvjeçari dhe fillimin e mijëvjeçarit që përjetojmë: luftrat, refugjatët, përmbysjet politike, përplasjet e qytetërimeve, paranojat e diktatorëve… “Të rikthehet në Shqipëri, për Michel Setboun është një lloj obsesioni,” - shkruante para pak kohësh mikja ime, gazetarja Edith Canestrier. - Ai shkon të takojë sërish ata që ka fotografuar shumë vite më parë. Pikërisht me të unë e zbulova Shqipërinë në vitin 1991, kur për herë të parë pashë kampet e internimit kur Shqipëria po ndryshonte”. Më kujtohet ajo natë, në shtëpinë e Michel në lagjen “Le Marais” të Parisit kur bashkë me Edith dhe miq të tjerë bisedonim pas kthimit të tyre nga Shqipëria. Ishin kujtime të pashlyeshme dhe një besim se Shqipëria do të ritkhehej në familjen europiane. Dhe sot e shohim se pas kaosit të gjatë ajo po kthehet, pasi është kultura që e shtyn atë drejt bashkësisë europiane.

©Luan Rama