Histori

Haki Stërmilli, shefi i parë i Shërbimit Sekret Shqiptar - Nga Saimir Kadiu

Saimir Kadiu

100 vjet më parë lindi Shërbimi Sekret Shqiptar. Ahmet Zogu dekretoi Haki Stërmillin (shkrimtarin e njohur të viteve 30'), më 16 janar 1923 si Sekretar i Sekretarisë Sekrete. Propozimi do të miratohej nga Këshilli i Ministrave më 20 janar dhe me 31 janar do të dekretohej nga Këshilli i Lartë.

Si kryetar i Sekretarisë Sekrete, Haki Stërmilli qëndroi deri më 16 prill 1924. Ai është shefi i parë i Shërbimit Sekret Shqiptar. U largua përfundimisht pas largimit të Ahmet Zogut dhe emërimit të Shefqet bej Vërlacit kryeministër dhe ministër i Brendshëm.

Në jetëshkrimin e tij zyrtar (të bërë nga regjimi komunist) ai na është paraqitur si kundershtar i Zogut dhe antimonarkist... për më teper edhe shok i Avni Rustemit, apo Ali Kelmendit, të cilin e takoi kur ishte në Bashkimin Sovjetik. Mbeshtet Fan Nolin dhe qeverinë e tij. Largohet nga Shqipëria me riardhjen e Zogut në pushtet. Shprehet hapur kundër tij.

Më 1927 gjendet në Jugosllavi, ku qëndron në Manastir. Këtu më 17 mars 1929 në rrethana jo krejtësisht të sqaruara, dëbohet nga shteti jugosllav. I dorëzohet autoriteteve shqiptare në Bilisht, e vendosin në Korçë dhe pak ditë më pas në Tiranë ku e shoqërojnë në burg. Aty e takon miku dhe pasardhësi i tij në atë institucion që tashmë quhej Zyra Sekrete, Abedin Hoxha.

Më 6 gusht 1929 dënohet me 5 vjet burg se kishte guxuar të propagandonte botërisht kundër regjimit dhe personit të Mbretit. Më 28 nëntor 1933 në sajë të një telegrami që i kishte dërguar NMT Zogu I për amnisti, falet dhe lirohet.

Pas lirimit nga Zogu, hapi një dyqan në rrugën Mbretnore, mbasi kishte bërë të mundur të punësohej te një firmë e huaj që shiste në Shqipëri llampat elektrike të firmës OSRAM.

Shkruan më 6 prill 1939 “Ti leve o yll” për princin Leka.

Mbas pushtimit të Italisë, gazeta “Fashizmi” në listat e gjata botonte me nr. 44 edhe anëtarësimin e Haki Stërmillit në Partinë Fashiste, në të njëjtën ditë kur ishte anëtarësuar M. Kruja, B. Valteri, etj. Për Stërmillin shënohej se “merrej me punë private…”

Më 31 korrik 1943 hidhet në ilegalitet në luften kundër okupatorit.

Haki Stërmilli përfaqësoi Lëvizjen komuniste në mbledhjen e Mukjes. Për këtë shkak u zgjodh më 2 dhjetor 1945 dhe më 28 maj 1950 deputet dhe njëkohësisht Drejtor i Bibiliotekës Kombetare.

Vdiq 70 vjet më parë, më 17 janar 1953, në moshën 58 vjeçare, pas një lëngate të gjatë, duke qenë edhe deputet i rrethit të Peshkopisë në Kuvendin Popullor. U zëvendësua nga Jashar Menzelxhiu.

Ndoshta nga “damka” e pozicionit të mëparshëm mbijetoi duke “shitur” çfarë dinte... apo ishte vazhdimi i lojës agjenturore... apo ishte më dinak se “jakobinët “çlirimtarë”...

Çfare “xhevahiresh” mban ky vend i vogël “në këtë cep të Ilirisë së poshtme”...

Autori i njohur i “Sikur te isha djale” dhe i Burgut”, paskish patur edhe “sikur”-e të tjera…

©Saimir Kadiu