Histori

Veshjet arvanitase

Nga: BESMIR TOÇILA

Veshja tradicionale e arvanitit me gjithë kohën e gjatë të shkëputjes së tij nga trojet amtare, të paktën deri në fundin e shek. XIX apo fillimin e shekullit të XX-të, kur ende ruheshin veshjet tradicionale të popujve të Ballkanit dhe më gjërë, kishte me ndryshime të pandjeshme atë formë dhe strukturë që kish marrë prej Arbërisë dikur. Ka teori që shkojnë më larg akoma, se ky kostum është absolutisht ai i ushtarëve të lashtë romakë; këmbët e zhveshura, një lloj shallvare që shkon nga brezi deri te gjunjët, kraharori i mbuluar me një pancir, i cili ishte prej hekuri te Romakët dhe që është prej kadifeje te Shqiptarët; qafa dhe llërët të zhveshura, një shpatë e madhe dhe e shkurtër ju varet në ije; së fundi, trupi i fuqishëm, qëndrimi krenar dhe mjekra të krijojnë ngjashmërinë.

Veshja shqiptare sipash përshkrimit të Bajronit, përbëhet nga “një fustanellë e bardhë, me mëngë të qëndisura në ar, jelek kadife me ngjyra të kuqe që përshkohet nga gajtanë harmonikë të qëndisura me stolisje dhe figura të panumërta, kobure të lara në argjend dhe jataganë”.  

Tek veshja shqiptare udhëtarit anglez i bëjnë shumë përshtypje Çorapet e gjata të burrave që i vishnin në luftë dhe në udhëtim. Ishin ngjyrë argjendi dhe disa herë të lara në ar dhe të përpunuara me kujdes të veçantë... Mbulonin pjesën e pasme dhe të brendshme të këmbës. Dy pjesë të rrumbullakëta dhe të lakuara prej argjendi viheshin në kyçe për t’i mbrojtur nga gurët dhe çdo lloj tjetër pengese gjatë rrugës. Mjaft herë këto i vishnin dhe pa këpucë dhe i lidhnin me rripa. Të tilla mbulesa kishin zakon t’i vinin dhe tek gjunjtë. Çorapet e gjata metalike që vishnin shqiptarët quheshin thjesht Çorape...

Emri i fustanellës duhet të vij nga fjala Fusht=ushtri, skuadër luftarake, bandë, grup ushtarak. Në greqisht është ruajtur si Fusato në vitet pasbizantine. Pra, fustanella sipas këtij versioni do të thotë veshje (Fusht) e luftëtarëve. Fushta quheshin anijet e vogla pirate me të cilat kalonin pranë brigjeve. Edhe vetë këta piratë quheshin fusht. D.m.th. emri i tyre nuk vjen nga anija që quhej Fushta, siç besohet, por ndodh e kundërta, anija që duhej të transportonte skuadrën luftarake, piratët, d.m.th. Fushtët, u quajt Fushta.

Vetë historianët e sotëm grekë e pranojnë lashtësinë dhe autenticitetin arvanitas të kompozimit të veshjes me fustanellë. Në një dokumentar mbi arvanitët shprehen: “Shembull karakteristik është adaptimi i fustanellës. Fustanella ishte një veshje që zakonisht vishej nga shqipfolësit e Ballkanit. Veshja e Gardës Presidenciale greke sot, është veshja me Fustanellë - Një veshje e pastër shqiptare, në qoftë se flasim se kujt kombi i përket”.

Dodwell në udhëtimin e tij ka përshkruar edhe veshjet e grave shqiptare. “Arvanitaset – thotë ai, - vishen njësoj në të gjithë Greqinë. Fustani i gjatë me ngjyrë të hapur me një gajtan të gjërë të zi në anët dhe nga pas. Por në ditë festash fustanet ishin të kuqe dhe këtu-atje dhe jeshile të errëta si në Athinë”. (Duke marrë parasysh se dhe në Athinë (në lagjen Plaka) kishte arvanitas. Veshja e jashtme qëndronte e lirë ndërsa e brendshmja shtrëngonte në mes një brez të gjërë me stoli të bronxta ose argjendi si dhe dy togëza të mëdha gjysmërrethore në pjesën e përparme. Në kokë vishnin një shami të bardhë e cila binte pas në supe dhe palosej pranë qafës (si Strofio apo kekrifali i helenëve të lashtë). Flokët e tyre lëshoheshin në kurriz të ndara në tre bishtaleca të gjatë të cilët mbërrinin deri në tokë. Anët stoliseshin me xhufka të kuqe, piastra turke, taire spanjolle dhe diku-diku me çekine venedikase si dhe monedha të lashta. Dhe kur kërcenin, tringëllima e tyre bashkohej me tingujt e daulles dhe pipëzës. Gjerdanët dhe vathët ishin prej korali dhe xhamash me ngjyra që kombinoheshin me monedhat e lashta. Vajzat mbanin në kokë një kësulë të mbuluar me monedha, sipas gjëndjes ekonomike të familjes.

Aq efekte të mëdha krijoi arvanitasi me bukurinë e kostumit të tij, shijen e hollë të derdhur në të, ornamentet, ngjyrat dhe punimet në ar dhe argjend, sa që në territoret ku u vendosën, veshja e tyre dhe veçmas fustanella shtangu shijet dhe syrin e popullsisë jo arvanite. Magjia e saj mori ato përmasa sa imponoi ata të ndryshojnë traditën dhe imitojnë arvanitët në modën e tyre. Dhe kur ajo mori shtrirje dhe përmasa, në mënyrë të natyrshme u kthye në një veshje pothuaj kombëtare për Greqinë. 

Veçanërisht origjinën e fustanellës në Greqi e ka përcaktuar edhe historiani anglez George Finlay, një nga eksponentët filogrekë kur shkruan se ishte fama e shqiptarëve, e cili i nxiti grekët e tanishëm të përshtasin fustanellën shqiptare si kostumin e tyre kombëtar. 

 

Referencat

Lord Bajron, Voyage en Greece, vepër e përmendur, f.200

Andromaqi Gjergji, Veshjet Shqiptare, Tiranë: Toena, 2005, f.61-62

TV SKY, Arvanitët 1821, Dokumentar, 2012

Dr.I.Koçollari, Arvanitët, Histori e Shqiptarëve të hershëm në Greqi në shek  XIII-XIX, vepër e përmendur,f.304

Revista Besa nr.17, 19 Athinë, 1991, ‘92