Tribunali Ndërkombëtar (ITCY) dhe paralelet me procesin e tanishëm të Hagës - Nga Jusuf Buxhovi
Arrestimi i Haradinajt, i akuzuar nga Tribunali Ndërkombëtar, zyrtarisht i quajtur “Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish Jugosllavinë - GJPNJ” (International Criminal Tribunal fort the Former Yugoslavia - ITCY) bashkë me Idriz Balajn dhe Lahi Brahimajn, vazhdoi kapitullin e ngatërresës së drejtësisë ndërkombëtare me parimet e ligjit ndërkombëtar humanitar të kodifikuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe të Statutit të GJPNJ-së, e cila ishte përpiluar nga rregulloret e Hagës, Konventa e Gjenevës e vitit 1949, dy protokolle të konventave të Gjenevës të miratuara më 1977, dhe konventave të ndryshme për të drejtat e njeriut, ngatërresa këto që ishin shfaqur me rastin e arrestimit, po edhe gjykimit të Fatmir Limajt, komandant i një zone të Drenicës, nga se përgjegjësia komanduese ishte parë e lidhur me ndërmarrjen e përbashkët kriminale.
Edhe pse gjatë procesit të Limajt, aktakuza e dytë në shkurt 2004, ishte ndryshuar: nga “Ndërmarrja e përbashkët kriminale” te ajo e “Përgjegjësisë komanduese”, gjë që do të duhej t’i shërbente edhe riformulimit eventual të aktakuzës së Haradinajt, në mënyrë që të mos ngatërroheshin gjërat pa nevojë, veçmas kur Tribunali merrej me të njëjtën problematikë (keqtrajtimin e civilëve në zonat e caktuara të luftimeve nga burgosjet, keqtrajtimet e deri te vrasjet), megjithatë edhe aktakuza ndaj Haradinajt u ndërtua mbi “argumentet” e “Ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.
Karla Del Ponte, në aktakuzën kundër Haradinajt kishte pretenduar se përgjegjësia komanduese, me të cilën ishte amenduar aktakuza e Limajt, nuk duhej të ndahej nga ndërmarrja e përbashkët kriminale. Ajo madje, duhej ta sforconte të parën ngase Zona e Dukagjinit, që komandonte Haradinaj kishte qenë e tëra nën kontrollonin e tij dhe të strukturave ushtarake që kishte drejtuar ai.
Sipas akuzës, Haradinaj kishte përgjegjësi të plotë për zonën ngaqë shfaqej edhe si autoritet i plotë, që njoftohej për të gjitha veprimet e njësiteve të armatosura. Mbi këtë sfond, aktakuza fajësonte Haradinajn për të gjitha vrasjet (në bazë të identifikimit të disa kufomave në liqenin e Radoniqit), rrëmbimet, burgosjet dhe keqtrajtimet fizike të dhjetëra personave, që kishin ndodhur në Zonën e Dukagjinit në periudhën kohore maj 1998-nëntor 1998, kohë kjo kur përkonte me luftimet që kishin ndodhur në këtë pjesë gjatë operacionit të forcave ushtarake dhe policore jugosllave, të përcjella me masakra të popullatës civile si dhe spastrime etnike nga soldateska e Beogradit, të para dhe të pranuara ndërkombëtarisht.
Ndonëse aktakuza Haradinajn e kishte liruar nga veprimet e spastrimeve etnike (dëbimit të popullatës serbe dhe malaziase nga Dukagjini), siç kërkonte Beogradi dhe ushtrimin e terrorit në rrethanat e “zonës së lirë”, gjykata, me kohë u përqëndrua, te përgjegjësia komanduese.
Por, edhe këtu, me viktimat e nxjerra nga liqeni i Radoniqit dhe në pjesën e Jabllanicës, 40 sosh, (shumë prej tyre persona që kishin pësuar gjatë fushatës së verës të forcave policore dhe ushtarake jugosllave), me asgjë nuk u deshmuan se ishin vrarë nga ushtarët e njësive të Haradinajt, siç dëshmonin para gjykatës disa nga autoritetet e atëhershme policore dhe administrative të regjimit të Millosheviçit, shumë prej të cilëve kishin marrë pjesë në operacionet policore dhe ushtarake kundër popullatës së Dukagjinit, që kryheshin me pretekstet “e luftës kundër terroristëve”.
Përkundrazi, mbrojtja e Haradinajt, disa nga këto dëshmi, i shfrytëzoi me shkathtësi për t’i rrënuar argumentet e inkriminuara të Beogradit.
Procesi i Haradinajt filloi më 7 mars 2007 dhe përfundoi në prill 2008. Gjykatësi Orie, pasi që kishte dëgjuar dëshmitë e 81 personave dhe kishte analizuar qindra e mijëra dokumenteve nga anë të ndryshme, aktgjykimin e shpalli me këto fjalë:
“Për të gjitha arsyet e përmendura më sipër, kjo dhomë - duke konsideruar të gjitha provat dhe argumentet e palëve, statutin dhe rregullat, dhe bazuar në fakte dhe gjetje ligjore, siç përcaktohet edhe në vendimin e gjyqit - nuk ju gjen fajtor”.
Lirimi i Haradinajt nga Haga u prit me entuziazëm në Kosovë. Ndërsa në Beograd me habi dhe indinjatë. Kryeministri Koshtunica u shpreh i habitur pasi që, sipas tij, Serbia kishte dhënë mjaft prova kundër Haradinajt. Zëvendëskryeministri i tij, Bozhidar Deliç tha se “lirimi i Haradinajt shënon një ditë të errët në historinë e drejtësisë ndërkombëtare dhe vendimi është skandaloz për shkak të faktit se gjyqi u shoqërua nga presione dhe vrasje të dëshmitarëve. Vendimi është skandaloz, veçanërisht për shkak se dëshmitarët ishin nën presion të madh, sepse ishin kryer disa vrasje. Sot, gjithë sistemit të drejtësisë ndërkombëtare dhe të ardhmes së procesit të pajtimit në Ballkan i është dhënë një goditje masive, dhe ICTY është përgjegjës për këtë”.
Edhe presidenti Tadiç u shpreh në këtë mënyrë. Tha se “Haradinaj ka kryer krime të rënda dhe ky vendim është i turpshëm për shkak të viktimave të pafajshme, dhe për këtë arsye dua që Prokuroria të apelojë dhe që Haradinaj të ndëshkohet për krimet e kryera”. Tadiç, po ashtu, pohoi se Karla Del Ponte i kishte thënë se dëshmitarët e Prokurorisë ishin kërcënuar dhe madje vrarë, dhe se për këtë duhej që Gjykata e Apelit të merret me këtë çështje si dhe me sistemin që ka mundësuar eliminimin e dëshmitarëve deri në vrasje.
Duke alarmuar çështjen e eliminimit të dëshmitarëve (me kërcënime e deri në vrasje), prokurori i Serbisë për krime lufte, Vladimir Vukçeviç, tha se priste që Prokuroria të apelonte lirimin e Haradinaj, gjë kjo që edhe ndodhi. Dy javë më pas, në maj 2008, pasuesi i Karla Del Pontës, Serge Bramers, dorëzoi apelimin. Ishte fjala për disa dëshmi (dy sosh) që prokurori insistonte që nuk ishin shqyrtuar teknikisht si duhej dhe se ato ishin me rëndësi të veçantë për akuzën.
Ramush Haradinaj, gjatë një procesi maratonik, i mbështetur thuajse në skemën e gjykimit të parë, me ç'rast nuk u dëshmuan akuzat e paraqitura nga prokurori dhe të tjerat, të shumtën, të ardhura nga Serbia, u shpall i pafajshëm për herë të dytë. Odiseada e dy proceseve të Haradinajt në Hagë, paraqitet më së miri në librin e avokatit mbrojtës Michael O'Reilly “Haga e Ramush Haradinaj”, botuar në vitin 2014.
Proceset e Hagës (i Limajt, i kryer dhe i Haradinajt në vazhdim), përkundër të gjitha dilemave, nxorën në pah dy fakte të pamohueshme, të cilat kanë ndikuar në realitetet shoqërore dhe politike të Kosovës në mënyra të ndryshme, të shumtën kundërthënëse.
Fakti i parë ka të bëjë me atë se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës” nuk ka pasur strukturë të qëndrueshme komanduese ushtarake përkundër pretendimeve të disa aktorëve të përfshirë në të si dhe disa librave publicistikë me pretendime historike, gjë që as që mund të kishte diçka të tillë në ato rrethana.
Fakti i dytë, ka të bëjë me atë se në Kosovën e pasluftës janë eliminuar shumë dëshmitarë (me kërcënime, frikësime e deri te vrasjet), që lidhen me krimet politike dhe të tjera gjatë dhe pas luftës, gjë që para drejtësisë kjo çështje mbetet edhe më tutje e hapur, përderi sa t'i jepet përgjigja e duhur.
Fakti i parë, pra mungesa e një strukture të qëndrueshme komanduese ushtarake të “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, krahas dëshmive që i duhen historiografisë për ta thënë fjalën e vet meritore për të, ka rëndësi për vetë të akuzuarit (Limaj dhe Haradinaj), ngaqë ata i liroi nga përgjegjësia e Komandës së organizuar me hierarki te përgjegjësia komanduese në rrethanat e një konflikti të armatosur (pra, jo të luftës së armatosur), në një hapësirë të pambikëqyrur nga pikëpamja e strukturave të pushtetit, që vjen si kundërpërgjigje nga dhuna shtetërore, siç ishte ajo e regjimit të Millosheviçit, e pasqyruar në forma të ndryshme të rezistencës nga veprimet e shkëputura e deri te kryengritja, që mund të lidhet edhe me qëllime të caktuara politike (në raste të caktuara shpallja e shkëputjes ose e vetëvendosjes që përcakton Protokolli I/4 i Konventave të Gjenevës, i vitit 1977), siç ishte edhe organizimi politik i shqiptarëve të Kosovës i shfaqur nga fillimi i viteve nëntëdhjetë e këndej me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990, Kuvendin e Kaçanikut, më 7 shtator 1990 dhe Referendumin për pavarësi, 16 shtator 1991.
Vetë Haradinaj, në mbrojtjen e tij, disa herë do të përmendë se “kishte vepruar në përputhje me rrethanat që i vlerësonte gjatë luftimeve dhe assesi me ato të ndonjë shtabi”.
Si argument u soll edhe fakti se Haradinaj nuk kishte qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të cilin e quante “Shtabi i Drenicës” dhe, as që e njihte autoritetin e të ashtuquajturës “Drejtori Politike të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”, të drejtuar prej Hashim Thaçit.
Konsistenca e strukturave komanduese të një niveli të shtabeve, ishte vënë në dyshim edhe gjatë gjykimit të Limajt, kur gjykata, mbas një shqyrtimi prej një viti, do të heqë dorë nga akuza rreth komandës së përbashkët te ajo e përgjegjësisë fluide të komandimit në rrethana të paqarta të shtrirjes së autoritetit të caktuar në hapësira të padefinuara dhe të pambikëqyrura, ku veprimet e ndryshme nga faktorë të ndryshëm dhe për qëllime të ndryshme (nga ato politike e deri te ato kriminale) janë të mundshme dhe të pashmangshme madje.
Ky aspekt, pra i nxjerrjes në pah të mungesës së një strukture të organizuar komanduese ushtarake dhe vendosja e gjithë çështjes te vetëmbrojtja e domosdoshme në rrethanat e dhunës shtetërore, pra kur mbrohet pragu i shtëpisë, rezistencën e armatosur e lidh me kundërpërgjigjen e domosdoshme ndaj dhunës, pikërisht siç do ta përshkruajë dr. Ibrahim Rugova me rastin e dëshmisë përmbajtjesore kundër Millosheviçit në Hagë, kur edhe shfaqjen e formacioneve të UÇK-së nga viti 1997, do t’i lidhë me konceptin e vetëmbrojtjes së domosdoshme të kthyer në një kryengritje popullore çastin që makineria policore dhe ushtarake kishte filluar fushatën e njohur për qërimin përfundimtar të hesapeve me shqiptarët e Kosovës dhe sistemin e tyre të shtetit paralel gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1998 dhe dimrit të vitit 1999, për ç’gjë kishte marrë përgjigjen nga NATO me fushatën ushtarake mars-qershor 1999.
Edhe fakti i dytë, ai i eliminimit të dëshmitarëve dhe të tërheqjes së deshmive, mori konfirmim në Hagë si një dukuri që përcolli edhe gjykime të ngjashme në Kosovë ndaj disa ish komandantëve të UÇK-së, të akuzuar për burgosje, tortura dhe vrasje gjatë dhe për krime politike pas luftës.
Gjatë procesit të Limajt dhe të Haradinajt, pa u prejudikuar si u eliminuan shumë dëshmitarë, ose pse ndryshuan dëshmitë e dhëna gjatë hetuesisë para hetuesve ndërkombëtarë (të shumtën me arsye banale si “harresa”, “ngatërrimi” e të tjera, ndërsa disa prej tyre, edhe të mbrojtur, u vranë ose gjetën vdekjen “në fatkeqësi komunikacioni” ose të tjera), shumë nga akuzat mbetën “pa bazë”, pra liruan të akuzuarit. Por, ato nuk mohuan faktin se veprimet e tilla kanë qenë të pranishme dhe të organizuara madje nga faktorë të ndryshëm, dhe se ato, nga pikëpamja juridike, secila veç e veç si dhe numri i 66 viktimave të paraqitura në akuzë gjatë luftimeve të verës dhe vjeshtës së vitit 1998, në çdo kohë, mund të rihapin çështjen e rishqyrtimit të tyre penal mbi padi private.
© Jusuf Buxhovi
(Shkëputje nga libri "Kosova" VII, botoi "Faik Konica", Prishtinë dhe "Jalifat Publishing", Houston, 2018. Faqe 110-114).












