Heloise dhe Abelard: kur dashuria i kalonte kufijtë e vdekjes - Nga Luan Rama

Luan Rama - Paris
Dashuria! Të ngjan se gjithë bota sillet rreth saj, sikur pikërisht në këtë ndjesi, sa reale dhe aq fluide, të gjitha ligjet fizike të tokës e hapësirës humbasin, pesha e gravitetit zhduket, distancat gjithashtu, dhe ku përjetohet vetëm ajo ngjizmë që është e vështirë ta thuash me dy fjalë. Çfarë ka ndodhur ndër shekuj me dashuritë e mëdha? Sot njihen jo pak dashuri që janë bërë referenca që nga Antikiteti gjer në epokën tonë, nga Lancelot e Genevieve tek Tristan e Yseult, nga Dante me Beatriçen tek Boticelli dhe Simoneta, Tiziano dhe Farfarina, ku më pas shkëlqen si një diamant i përflakur dashuria e Romeo dhe Zhuljetës. Nga Heloise dhe Abelard e deri sot me Aragon dhe Elsa, Ekzyperi dhe Konsuela, Dali dhe Gala, etj., janë dashuritë që i japin frymë jetës dhe koha moderne ka nevojë gjithnjë e më shumë për to.
Historia e Heloise dhe Abelard ka ndodhur në Paris në fillimin e shekullit të dytë të mijëvjeçarit të parë, një dashuri që filloi në vitin 1113 apo 1116 por që do të vazhdonte për dekada me radhë, gjer në vdekjen e dy dashnorëve të mëdhenj. Kësaj dashurie i janë referuar jo pak libra, filma, pjesë teatrale, opera etj., krijuar për ta në vende të ndryshme të botës, pasi ajo ishte një dashuri e dhunuar nga shoqëria klerikale, por që i mbijetoi errësirës.
Shpesh herë, duke shkuar në katedralen Notre-Dame në Paris, duke kthyer pas saj, në ato ndërtesa të vjetra, kam ndalur para asaj pllakë përkujtimore ku shkruhet: “1118 - kjo ishte shtëpia ku banuan Heloise dhe Abelard”. Një portë e gurtë e harkuar, dritare të tjera dhe dy emra që na kujtojnë se pikërisht aty më shumë se njëmijë vjet më parë kanë jetuar së bashku dy dashnorët e mëdhenj. Duket se epokat i humbasin nocionet e tyre kur është fjala për dashuri.
Atëherë ishte koha kur Abelard një profesor i ri i teologjisë kristiane jepte kurse të doktrinës dhe Heloise një nga nxënëset e tij, çka menjëherë na kujton Shën Agustinin e hershëm të shekujve të parë të erës sonë rreth të cilit mblidheshin studentë, shumica femra, për të dëgjuar historinë kristiane. Në Mesjetë, dashuria e një profesori me një nxënëse ishte diçka e rrallë por jo e dënuar, pasi dashuria njerëzore nuk i njihte kufijtë shoqërorë të sistemeve ideologjike.
Atëherë Abelard ishte një profesor që gjithnjë e më shumë po bëhej shumë i njohur në rrethet teologjike dhe admirohej ngado për diturinë e tij. Modeli i tij ishte gjithnjë Saint-Agustin me librin e tij “Confessions” (Rrëfimet) dhe Abelard ishte i ndërgjegjshëm për sulmet dhe atmosferën e rëndë që filloi të rëndojë mbi të. Por ai ishte i bindur se dashuria nuk mund të ishte një sakrilegj. Rrëfimet e tij mbi këtë dashuri të madhe, ai i mblodhi në atë që quhej “Abelardi ad amicum suum consolatoria” (Letër ngushëlluese e Abelard dërguar një miku), duke pohuar ndër të tjera se “në studimet e mia unë shkoja nga një rrezik në tjetrin”. Ashtu si shenjti Augustin edhe ai nisej nga rrëfimet biblike apo filozofët e mëdhenj siç ishin Sokrati, Platoni, Aristoti, Aristoteli etj., për të arritur në konkluzionet dhe filozofimet e tij mbi njeriun, fenë dhe botën.
Heloise atë kohë ishte një 20 vjeçare dhe mbesa e një kleriku me emër, Fulbert. Ishte një vajzë mjaft e ditur pasi lexonte shumë dhe njihte mjaft mirë tekstet e vjetra hebraike e latine. Pikërisht, në dialogjet e tyre filozofike, nxënësja e zellshme e cila e admironte aq shumë profesorin e saj, ra në dashuri me të. Janë letra që Abelard do t’i ruante në dorëshkrimin e plotë që do të titullohej “Historia calamitatum” (“Historia e fatkeqësive”). Që në letrën e parë ajo do t’i shkruante: “Cila grua, cila vajzë s’do të digjej për ty dhe nuk do donte të të puthte po të kishte përballë? Cila mbretëreshë a princeshë nuk i kishte zili kënaqësitë e shtratit tim? Mes të tjerash, ti kishte dy talente: atë të poetit dhe atë të bardit. Nuk di nëse ka patur ndonjëherë një filozof tjetër me cilësi të tilla…”
Ishte kjo një marrëdhënie që u bë shumë e fortë dhe sensuale, për çka që të dy, do të shkruajnë në letrat mes tyre. Në kurset e Dialektikës, gjithnjë e më shumë dëgjoheshin fjalë erotike. Në letrat e para që do të shkëmbenin shumë vite më vonë, duke kujtuar dashurinë e tyre të para shumë viteve, Heloise shkruante për “shijet e trupit”, për “voluptetin e turpshëm”. Por ata nuk fshiheshin. Në atë kohë të rinjtë studionin në Universitetin e Sorbonës. Etja për dije ishte e madhe. Dhe kjo lidhje e profesorit dhe nxënëses nuk dukej e habitshme në atë qytet të emancipuar. Dashuria pranohej heshturazi por nuk dënohej.
“Librat ishin të hapur, - i shkruante Abelard, - por aty-këtu, mes fjalëve filozofike ndërhynin dhe fjalë erotike. Më shumë kishte puthje sesa shpjegime. Duart e mia futeshin më shumë në gjinjtë e tu sesa tek librat”… Ndërkohë, në përgjigjen e saj ajo i shkruante: “Nuk është vetëm ajo çfarë kemi bërë bashkë por dhe ajo kohë dhe ato vende, të asaj ç’kemi përjetuar, çka është ngjizur thellë në zemrën time dhe që tani i gjej përsëri duke u ngjeshur pas teje, madje dhe në gjumë më bën të mos kem prehje. Ndonjëherë lëvizjet e trupit tim i tradhëtojnë mendimet e mia, fjalët më shpërthejnë dhe nuk mund ti mbaj dot…”
Në letrën e saj të gjatë Heloise i kujton atij epshet e dashurisë. “Ishin epshe të ëmbla që kemi shijuar bashkë dhe që nuk mund t’i harroj. Ato më shfaqen, më janë ngjizur në sy dhe kështu dëshirat më rizgjohen. E kështu, imazhet që shoh e prishin gjumin tim. Ato më janë të tilla gjer dhe në çastet e meshës solemne apo seancat e lutjeve që në fakt duhet të jenë të virgjëra, por imazhet e turpshme të voluptetit e pushtojnë shpirtin tim të mjerë e kështu, gjatë lutjes, unë jam e dhënë më shumë pas tyre sesa pas riteve. Do duhej të rënkoja për gabimet e bëra por kam veç psherëtima për gjithçka që kam humbur…”
Abelard ishte shëmbulli më i spikatur i intelektualit të kohës dhe për t’i dëgjuar diskurset e tij vinin nga anë të ndryshme të Europës. Ai ishte njeriu që kërkonte të zbulonte të vërtetën e doktrinës fetare përtej mistereve dhe pikëpyetjeve të shumta. Dhe këtë ai e bënte përmes Dialektikës të cilës i ishte kushtuar, çka do të ngjallte shumë zili në kastën e klerikëve doktrinarë dhe puritanë, të cilët filluan të kërkonin gabime apo dykuptimësi në diskurset e tij fetare, në interpretimet e shumta, me qëllim që ta largonin atë nga lëmi i mësimeve kristiane si një person të rrezikshëm për fenë dhe doktrinën e vendosur. Por dhe Heloise ishte një luftëtare e së resë. Edhe ajo kërkonte lirinë dhe të drejtën e dashurisë së vërtetë për të mos u robëruar nga instituti i martesës. Ajo do ta gëzojë dashurinë dhe dijen njëkohësisht, dy elementë thelbësorë të jetës së saj. Edhe pse më vonë do ta ndëshkojnë për marrëdhënien e saj me Abelard, ajo do të sillet si një murgeshë shëmbullore edhe pse e vuan mungesën e dashurisë reale, atë të shpirtit dhe të trupit, të frymës, të dehjes dhe të ekstazës, ku pasione të tilla ndaloheshin nga kisha si gjëra heretike.
Çfarë ndodhi në fakt me Abelard dhe Heloise, me atë lidhje aq të fortë dashurie? Abelard deklaroi ngado se e dashuronte atë. Ajo i tregoi se tashmë kishte mbetur shtatzënë dhe menjëherë ata u martuan, duke jetuar tashmë në shtëpinë e tij. Çifti mendoi se gjeti lumturinë e kërkuar dhe të shumëpritur, por xhaxhai i saj, kleriku i njohur Fulbert, vuri njerëz që kjo dashuri që ai e quante heretike, të bëhej e pamundur, të mos gëzohej. Kështu, një natë, ata i vajtën Abelardit në shtëpi, e lidhën në krevatin e tij dhe e trodhën që ai kurrë mos të mund ta shijonte atë dashuri. Ishte padyshim veprimi më barbar që mund t’u bëhej dy të dashuruarve, atyre që nuk kishin turp nga ndjenjat e tyre, nga dëshirat, nga shijimi i ekstazës, seksit, për çka në atë kohë nga klerikët e lartë e fanatikë padyshim shiheshin si diçka e dënueshme.
Meqë u kastrua, në dhimbjen e madhe dhe poshtërimin që iu bë, për një kohë Abelard u fsheh, pasi nuk mund të luftonte më. Po të ishte murg do të thoshte të ishte një anonim kushtuar Zotit. Ai i kërkoi Heloise që të shkonte e të mbyllej murgeshë në manastirin e Argenteuil, jo larg Parisit, gjë që do të bënte dhe vete duke shkuar në Saint-Denis ku hyri si murg në manastirin e famshëm, mes njëqind e pesëdhjetë murgjve të tjerë. Ishte koha e kalvarit të dy të dashuruarve. Një epokë tjetër filloi mes tyre, ajo e mungesës së gjatë të njëri-tjetrit. Lamtumirë Paris, lumturi, lamtumirë dashuri e lirë dhe kënaqësi të trupit. Por dashuria e tyre do të mbijetonte siç do të shkruajnë të dy në letrat e tyre që nisën të shkëmbenin. Në një nga letrat, Heloise pohonte se “Nëse perandori i Romës do dënjonte të martohej me mua, unë do doja më mirë të quhesha putanë sesa të isha një perandoreshë e kurorëzuar”.
Për njëzet vjet me rradhë Abelard iu kushtua studimeve teologjike e dialektike. Jeta e murgut e mësoi të bëhej i duruar dhe t’i shihte gjërat ndryshe, botën armiqësore ta shihte me paqen e tij dhe heshtjen e murgut. Më pas ai do të largohej për në abacinë e famshme të Cluny në Jug të Francës, një qendër e madhe e kristianizmit francez.
Në vitin 2000 më ra rasti të shkoja për një konferencë në abacinë e Cluny, një nga qendrat më të njohura e më të vjetra të Francës së katoliçizmit, një ndërtesë hijerëndë e ngritur që në vitin 909 ku më as do të kemi scriptoriat e famshme ku murgjit shkruanin pergamenët me tekstet biblike. Duke kaluar në ato salla dhe korridore të ftohta, atëherë nuk e dija se pikërisht këtu kishte jetuar në qelën e tij dhe një nga dashnorët më të mëdhenj të kohës, prej të cilit kemi sot një dorëshkrim unik te dashurisë në atë kohë.
Nga shkrimet doktrinare, fama e tij nisi të shtohej, ithtarët gjithashtu. Ai mbahej tashmë si një filozof i madh. Herë pas here, fshehurazi, largohej dhe takohej me të dashurën e tij të dikurshme, Heloise. Letrat vazhdonin, kujtimet mbaheshin gjithnjë të gjalla. Tashmë një nga kundërshtarët e tij më të flaktë ishte puritani Bernard, ai që më vonë do të bëhej Shenjti Bernard, një klerik i lartë dhe me shumë peshë në klerikët francezë. Ai ishte kundër disa tezave të tij teologjike apo interpretimeve të tij për lirinë e dashurisë dhe kënaqësitë e trupit. Por korrespondenca epistolare vazhdonte dhe padyshim, letrat e tyre janë nga dorëshkrimet më të bukura shpirtërore të dashurisë që na kanë mbetur nga mesjeta.
Abelard shkruante: “Dëshirat tona i provuan të gjitha etapat e dashurisë dhe ne shtuam gjëra të panjohura në dashuri”. Ndërsa Heloise i përgjigjej: “Ti më tërhiqje në shijimin e kënaqësisë, në voluptetin e trupit.” Dhe Abelard vazhdonte: “Ne nuk pyesnim nëse ishte diçka e çmendur apo jo. Ne nuk tërhiqeshim as përpara respektit të Zotit, madje dhe kur ishin ditë të shenjta. Ti nuk doje, ti rezistoje me të gjitha forcat… ndërsa unë harroja Zotin dhe vetveten!” Abelard do të vazhdonte: “Në afshet tona ne i kaluam të gjitha fazat e dashurisë, gjithçka që pasioni mund të imagjinonte të veçantë e të bukur dhe që ne ia shtuam dashurisë sonë. Sa më shumë aktet tona ishin të reja, aq më shumë zgjateshin epshet tona. Dhe ky pasion nuk na lodhte”.
Këto kujtime kanë qenë padyshim të zjarrta e njeriu i sotëm mendon se “marrëzitë” e tyre të dashurisë dhe seksit kanë qenë tepër të ëmbla. Dy të dashurit gjendeshin herë pas here pranë njëri-tjetrit, pushtoheshin, putheshin gjithnjë me zjarrin e dikurshëm, por pa mundur të gjejnë kënaqësitë e seksit. E megjithatë kjo e mbushte jetën e tyre dhe i jepte kuptim ekzistencës.
Letrat, ku ata përshkruajnë momentet e tyre të dashurisë na kujtojnë vargjet e poetit të madh latin Ovid mbi dashurinë, mbi erotikën dhe këngët e tij të dashurisë: “Lëvduar Venusit që na dha favoret e një virgjëreshe, - shkruante ai në shekullin e parë të erës sonë. - Me vështrimin e saj, përqafimet dhe puthjet, ajo vajzë e njomë më çoi në ekstazë. Pra duhej shkuar gjer në fund të së ëmblës dashuri. Kur nuk arrijmë deri aty, gjithçka të çon drejt eksitimit. Atëherë më duhej të nxitoja, por virgjëresha e njomë ishte hezituese dhe tërhiqej për shkak të turpit, duke më ndaluar disi me lotët e saj. Ndërkohë që ajo qante, unë pija lotët e saj të ëmbla duke më bërë të digjem flakë. Dhe atëherë kërkova gjithnjë e më shumë. Puthjet bëheshin më të ëmbla nëpër lotë. Ato i nxisnin trupat në prekje intime. Por dashuria ime përvëlonte akoma më shumë. Dhimbja e princeshës bëhej e madhe dhe ngashërimi i frynte gjinjtë. Por lutjet e mia nuk e zbusnin. Lutje pas lutje, puthje pas puthje, ajo përgjigjej me lotë mbi lotë dhe ngulmi im nxiste zemërimin e saj. Vështrimi iu bë i egër, pastaj lutës, ndërkohë që unë i bëja lavde. Kështu ajo ndihej më e fortë. Por ndërkohë guximi më shtynte drejt dhunës. Ajo u bë e egër dhe më grici me thonjtë e saj. Si trimëreshë, i zgjidhi flokët dhe më shtyu. Pastaj u mposht nga unë dhe shtrëngoi këmbët që porta e intimitetit të saj të mos hapej. Por unë vazhdoja akoma më shumë, që të triumfonte dëshira ime. E shtrëngoja fort, i kapja duart që të mos lëvizte duke e prekur njëkohësisht aty. Kështu u hap më së fundi porta e kështjellës hyjnore, çka na dha kënaqësi që të dyve. Plot ëmbëlsi ajo më jepte puthje të ëmbla mjalti.”
Por veç Ovidit, i cili mesa duket ishte referenca më shëmbullore në këtë fushë të dashurisë së shpirtit dhe trupit, për ta ishte edhe Shën Agustini me dorëshkrimet e tij mbi dashurinë, tekste që qarkullonin atë kohë në botën kristiane. Ndër të tjera Augustin shkruante: “…Në kujtesën time, imazhet dashurive të kaluara mbesin të gjalla. Ndërkohë që jam i zgjuar, ato më rivijnë pa ndonjë energji, por gjatë gjumit, kur jam vetëm, ato më çlirojnë trupin duke më sjellë dëshirën e asaj që kërkon trupi.” Në “Confessions”, Agustini kishte një koncept novator, çka e dallonte atë nga pararendësit e tij dhe dinjitarët që drejtonin Kishën Kristiane. Ndryshe nga ata, të cilët e shikonin seksin si një të keqe në vetvete dhe si një shpikje të Djallit, Agustini pohonte se seksualiteti duhej domosdoshmërisht t’i përkiste Idealit origjinal të Zotit për burrin dhe gruan. Për të, ajo që përbënte mëkat, nuk ishte akti seksual në vetvete, por motivi egoist seksist që tjetrin e kthen në një objekt të dëshirave të tij, duke iu referuar në këtë mënyrë Platonit. Agustini e pranonte se në qënien e njeriut ekzistonte “uis voluptatis”, kjo forcë e voluptetit, pra kjo nxehtësi që merr trupi gjatë aktit seksual”, siç thoshte ai. Këtë veprim, ai e shikonte si një kërkesë të Zotit për të bërë të mundur krijimin e familjes, pra kjo “libido”, vinte si të thuash nga vetë Zoti. Ishte ai që e ndizte këtë “color genitalis”.
Me kalimin e viteve emri i Abelard po i tejkalonte tashmë kufijtë e Francës dhe për të flitej në rrethet kishtare të Europës, çka kujtonte njëkohësisht dhe ithtarët e shumtë të Shën Agustinit në botë kristiane, të cilët ishin të shumtë. Murgu Bernard, i cili kishte zënë tashmë një nga postet më të larta, në koncilin e Sens të vitit 1140, i cilësoi tekstet e tij antikristiane dhe heretike. Madje disa vepra të Abelard u vunë në Index-in e Vatikanit, si libra të ndaluar për t’u lexuar, por kjo do të ndodhte përkohësisht pasi të tjerë klerikë e morën atë në mbrojtje. Atë kohë, vepra tjetër e tij “Dialogu i një filozofi me një hebre dhe një kristian” gjeti një jehonë të gjërë, që e shkroi në abacinë e Cluny, ashtu si dhe libri tjetër i tij “Njih vetveten” (“Connais-toi, toi mëme!”).
Dy herë me rradhë, Abelardin e dënuan për tekstet e tij. Madje nga fundi i jetës së tij ai mori rrugën të shkonte në Romë që ta kundërshtonte këtë ndëshkim të padrejtë, por rrugës, i sëmurë nga lodhja e madhe ai u kthye. Si gjithnjë, në debatet doktrinare do të triumfonte e drejta dhe e vërteta çka do ta tregonte dhe fakti se kardinali Guy de Castello, ai që më pas do të bëhej Papa i Vatikanit, i cili i mbante në tryezën e tij dy veprat e Abelard: “Teologjia” dhe “Sic et non”, të shkruara në latinisht.
Abelard vdiq në 24 prill të vitit 1142 në moshën 63 vjeçare ndërkohë që Heloise do të vdiste njëzet vjet më vonë. Kur abatët e abacisë Cluny e njoftuan për vdekjen e tij, ajo kërkoi t’i sillnin trupin, të cilin e varrosi në kishën pranë manastirit të saj dhe ku në epitafin e varrit shkroi: “Abelard ishte Sokrati i galëve, një Platon i Perëndimit tonë, një Aristot i kohës sonë!” Vite të tjera do të kalonin dhe më 1164 Heloise vdiq. Ajo kishte kërkuar që të varrosej në varrin e të dashurit të saj, në krah të abacisë. Dhe ashtu do të bëhej. Ajo u varros në të njëjtin varr.
Dorëshkrimin “Historia calamitatum” e zbuloi shkrimtari mesjetar Jean Meung më 1230, të cilin e përktheu nga latinishtja në frëngjisht. Petrarka më pas do t’i referohej në veçanti. Më pas, do të ishte shkrimtari Jean Molinet i fundit të shekullit XVI që do t’u kthehej atyre letrave në romanin e tij “Roman de la Rose”. Në vargjet e tij, poeti François Villon pyeste: “Ku është e mira Heloise?!”, e cila tashmë personifikohej me dashurinë sublime.
Kur Papa Paul V (1605-1621) u njoh me këto letra, ai i konsideroi ato erotike dhe i çensuroi. Shumë intelektualë të asaj kohe do të shikonin tek Heloise Madalenën e penduar, meqë ajo ishte kthyer në murgeshë. Volteri do t’i thurrte lavde, ndërkohë që Rusoi do të shkruante romanin “Një Heloise e re”. Sot ekzistojnë 9 dorëshkrime të vjetra, kopjuar nga murgjit rreth çiftit mitik: njëri ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Francës, një tjetër në Oxford, një në Douai, po kështu në Reims apo në Troyes. Dorëshkrimi më i vjetër i “Historia calamitatum”është ai i Troyes i vitit 1230, i mbledhur nga peshkopi i Parisit Guillaume d’Auvergne me kërkesën e abacisë Paraclet, ku kishte vdekur Heloise.
Kjo ishte historia e dy dashnorëve mesjetarë që njerëzimi i sotëm modern i thërret gjithnjë në skenën e artit dhe të letërsisë, për të treguar forcën e dashurisë, këtë vlerë të madhe dhe thelbësore të njeriut, pa të cilën asgjë nuk mund të kishte kuptim, emocion, pasi kudo, është ndjenja, dashuria, ajo që e bën të bukur këtë jetë, ajo që i jep frymë dhe që e frymëzon botën njerëzore. Pasi Heloise vdiq, një legjendë do të përhapej atë kohë në të gjithë Francën: kur kishin hapur kohë më pas arkivolin e Heloise, duart e saj që kishin qenë të bashkuara mbi gjoks ishin hapur dhe të gjithë do shikonin forcën e dashurisë për të përqafuar në vdekje të dashurin e saj. Si duket, dashuria donte t’i kalonte kufijtë e vdekjes…
© Luan Rama












