“Pema” e Gëtes (Die Goethe Eiche) - Nga Luan Rama

Luan Rama - Paris
Eshtë “pema” e Gëtes, thonin të internuarit e atij këndi të kampit Buchenwald të ngritur mbi kodrën Ettersberg të Weimar-it, kodrën pranë shtëpisë kur dikur Gëte shëtiste duke adhuruar natyrën e duke menduar për ardhmërinë e botës dhe të njeriut. Gëte kishte shumë kohë që kishte vdekur, kur Gjermania e Hitlerit kishte veshur petkun e hekurt, kishte ngjeshur parzmoren e çeliktë dhe kaskën imperiale, duke hedhur bombat në mbarë botën.
Frynte erë në kodrën e Weimarit, një erë që do të sillte stuhinë, kaosin dhe përmbytjen e madhe. Pema ishte rritur duke kapërcyer shekullin e që më pas do të ndjente ekon e revolucioneve dhe aromën e “Natës së Kristaleve”. Por çuditërisht, pa e ditur, trupat “SS” pikërisht aty ngritën kampin famëkeq të Buchenwald-it. Në atë vend aq të bukur, mes gjelbërimit të pranverës, ata do të ngrinin tempullin e vdekjes.
Në qershor të vitit 1944, Georges Angeli, një i internuar dhe fotograf që kishte dashur të bashkohej me “Forcat e Lira” të gjeneralit De Gol, arriti në fshehtësi ta fotografonte atë vend me pemën e xhveshur si në prag vdekjeje. Poshtë saj, në vendin e apelit dhe hijes së krematorit, jeta e të internuarve zvarritej drejt mortit të madh. Ishte “pema” e Gëtes.
Në fillim e gjelbërt dhe magjepëse me krahët e saj dhe fëshfërimën e gjetheve, por vështirë për një pemë të gjelbëronte pranë tymit të krematorëve, tymit të zi të Gjermanisë. E mes tyre, të internuarit pëshpërisnin me gjysmë zëri: “Kur kjo pemë të bjerë, do të bjerë dhe Rajhu i Tretë”.
Dy muaj më vonë u shfaqën avionët e Aleatëve dhe një nga bombat e atij fund gushti të vitit 1944 kur Parisi sapo ishte çliruar, fshiu nga dheu atë pemë që ishte në grahmat e fundit. Dhe të internuarit e mbetur besuan se vërtet “Rajhu i Tretë” do të binte i dergjur në gjak.
E tmerrshme të mendosh që ajo pemë kishte qenë dëshmitare e aq tmerreve çka mund të dëshmonte për kobin e madh. Por a mund të fliste një pemë, ndryshe nga një fotografi? Fotografia e Georges Angeli, e botuar në një libër të përgatitur nga regjisori Christophe Cognet “Eclats” i shpëtoi zhdukjes e terrorit për të treguar kulmin e barbarisë.
Nga ajo fotografi, njerëzit që ecin, të internuarit gjysmë të zhveshur, zvarritur poshtë “pemës” së Gëtes nuk janë më. Dhe Gëte kurrë nuk mund ta imagjinonte se në atë kodër të gjelbëruar dhe poetike, pranë asaj peme që fëshfërinte aq bukur gjethet e saj, do të ngrihej një nga krematoriumet më të mëdhenj të zhdukjes njerëzore.
Vështroj gjatë fotografinë dhe imagjinoj shqiptarin nga Çamëria Nuri Zane, që endej aty gjysmë i vdekur midis të internuarve, pa e ditur se ajo pemë ishte pema ku prehej dikur prusiani i madh i botës letrare…
Nga ajo kohë sot ka mbetur vetëm kërcuri në sfondin e barakave të kampit dhe muzeut si dhe një “virgjëreshë që lutet” që francezi Louis Legros skaliti me drurin e asaj peme pas bombardimit. Dhe ne pyesim veten: Si është e mundur që në një kodrinë aq të bukur të ngrihej ai tempull i vdekjes, si është e mundur që nga toka e letrarëve të mëdhenj rusë të hidhen raketa e bomba për të shuar vende dhe popuj? Si është e mundur?...
© Luan Rama