Letërsi

Dy fjalë për baladën e një dashurie të gjelbër - Nga Vangjush Ziko

Kam përpara tufën me poezi të zgjedhura lirike të Dhori Qiriazit.

Në qendër të këtij cikli është drama e një dashurie pasionante të sinqertë, që as ndarja nuk e shuan dot. Një dashuri  në gjirin e natyrës së virgjër e përcjellë në çdo hap nga pranverat dhe vjeshtat e saj.

I dashuri e ka dashur vajzën e zemrës siç “do yjet dhe malet, dhe mjegullat dhe pyjet”, ku ka shkelur dhe dashuria, “të gjitha lëndinat që nga bari gjelbërojnë dhe lulet delikate sa kanë çelur”.

Dashuria e tyre nuk ka vënë kurorë. “Kurorë e tyre” janë yjet, malet, balta, drurët dhe fletët”.

Dashuri si në baladat, pas së cilës vjen dhe dimri i saj,

Heroi lirik, i befasuar, nuk i jep dot përgjigje pyetjes drithëruese se përse e braktisi dashuria:

“Përse të sillesh, shpirti im, e rreptë

pa thënë fjalë, pa thënë lamtumirë?”

(“Përse të sillesh e rreptë?”)

Ai nuk brengoset se nuk u celebrua dashuria e tyre:

“Do vij’ e fundit orë të mbyllim sytë.

S’ka gjë pse s’vum’ kurorë.”

(“Të desha ty”)

Ai trishtohet për “hirin e djegur” të “netëve jetime që (kaluan) pa fjetur”.

Ai mund ta falë dhe ta durojë brengën, që kjo i shkaktoi, por nuk mund të durojë dot që e dashura e tij të vuajë nga një martesë e detyruar:

“Në shtrat do kesh një tjetër n’ato net,

që s’të kupton, që brengën nuk ta di.”

Thelbin e këtij cikli lirik të Dhori Qiriazit e përbën kjo dramë sa e zakonshme dhe, në të njëjtën kohë, e veçantë.

Heroi lirik i poezisë është një personazh me një karakter dhe ndërgjegje të pastër, me një shpirt delikat e zemër të ndjeshme:

“Dikur në vjeshtë, kur pellgjet ngrijnë,

dëgjova larg të sajnë zë,

kaq shumë e desha unë Kristinën

sa nuk e donte njeri më!

Pran`saj gjithnjë desha të rrija

desha të shihja veç atë;

e dashur kaq më ish Kristina

sa kurrë s`desha njeri më!”

(“Dikur në vjeshtë”)

Ai, jo vetëm di të dashurojë me pasion dhe me çiltërsi, por edhe me dinjitet edhe me mençuri.

Ai di edhe të falë:

“Në shtrat do kesh një tjetër n’ato net,

që s’të kupton, që brengën nuk ta di,

do derdhç me frik’ pastaj dy lot të nxehtë

mos zgjosh atë t’i ngjallësh xhelozi!

......................

Më fal në vij të prish un’ qetësinë

dhe s’jam aty që lotët të t’i fshij!”

(“Kur të vijë çasti”)

Ky personazh lirik me karakter të fortë dhe me dinjitet personal të paepur e pranon sfidën psiqike dhe morale të dashurisë:

“Jo, nuk e desha një dashuri të verbër,

një dashuri pa lule dhe pa jetë.

Po desha unë një dashuri të gjelbër,

me mijëra krahë dhe mijëra sy të ketë.

(“Nuk e desha një dashuri të verbër”)

Epitetet “e gjelbër”, dhe “e verbër” i japin një emocionalitet kontradiktor nocionit “dashuri”: “dashuri e gjelbër” - emocion i bukur, që lumturon zemrën e heroit lirik; “dashuri e verbër” një pamje e shëmtuar që e vret dashurinë, e verbon lumturinë.

Renditja krah për krah e këtyre emocioneve kontradiktore na përcjell ndjesitë dhe emocionet dramatike, që shoqërojnë heroin lirik.

Poeti përcjell me hollësi dhe me delikatesë ndjenjat e heroit lirik. Përjetimet e tij sa të lumtura, po aq edhe të trishtuara. Çdo gjë, që e rrethon qenien e tij, është shndërruar për të në “pluhur mendimesh e ndjenjash”.

Një hero i tillë kaq njerëzor, i bukur dhe i fortë shpirtërisht, me një dramë të tillë tronditëse shpirtërore vinte për herë të parë në poezinë tonë lirike të atyre viteve.

Dhori Qiriazi i përket brezit të poetëve të viteve '50 - '60, atij brezi që solli një frymë të re në poezinë tonë. Ai brez i cili i theu normat e lirikës kanonike të Realizmit socialist.

Në poezinë e tij “Të dua” të vitit 1959 ai shkruan :

“Pranë kallamave fërshëllonjës

dhe pranë lëvoreve të drurëve shekullorë kam shkruar: “Të dua!”

Mbi velën e kuqe të banderolave,

ku shkruhen gjëra të rëndësishme me germa të bardha

unë shtoj me mend edhe këto fjalë:

“Të dua, të dua!

Mendohu,

të dua!”

Vetëm “me mend” mund të thuheshin në atë kohë sekretet intime të

një dashurie sa pasionante, po aq edhe të mençur.

Dhori Qiriazi guxoi dhe solli, në poezinë e atyre viteve, një dashuri të çiltër, të vërtetë dhe njerëzore, që sfidonte meskinitetin dhe, në të njëjtën kohë, konservatorizmin patriarkal.

Një dashuri, që, mbi të gjitha, vë dinjitetin e karakterit njerëzor ndaj çdo hipokrizie të dhimbshme, që e bën dashurinë të mbyllet në guaskën e vet dhe ta vuajë tërë jetën dramën e një dashurie të vetënënshtruar.

Stilistika e poezisë së Dhori Qiriazit është e ndryshme nga ajo e poetëve bashkëmoshatarë të brezit të viteve “60 të shekullit të kaluar, të cilët zgjodhën figuracionin dhe abstraksionin modern.

Ai nuk zgjodhi ambiguitetin krijues, që ka interpretime ose kuptime krejt të ndryshme abstrakte dhe absurde.

Dhori Qiriazi zgjodhi stilin e një bisede emocionale pa nëntekste dhe ekuivoke. Zgjodhi një ligjërim jetësor të çiltër, të drejtpërdrejtë të përditshmërisë njerëzore. Zgjodhi ligjërimin emocional të figurshëm me epitete, krahasime, antiteza dhe me përshkrime të gjendjes shpirtërore të personazhit.

Dhori Qiriazi lindi, u rrit dhe punoi gjatë si mësues i letërsisë në Kolonjë, si aktivist i veprimtarive kulturore, si mbledhës dhe studjues i folklorit kolonjar. Ai e kishte në gjak dhe në ndërgjegjen e vet vizionin folklorik të dashurisë së pastër e të shenjtë, sinqeritetin e saj dhe dinjitetin e saj aspak teatral dhe të sofistikuar. Ai i dinte përmendësh këngët lirike aq të ngrohta dhe baladat e dhimbshme të folklorit kolonjar.

Ai e kishte lexuar dhe njohur lirikën botërore, por mbeti idhtar i lirikut popullor skocez Robert Bërns, të cilin edhe e përktheu me dinjitet në gjuhën shqipe.

Dhori Qiriazi mbetet një nga poetët tanë lirikë më të shquar, që la një emër dhe një krijimtari genuine dinjitoze e të papërsëritshme.

© Vangjush Ziko