Letërsi

Veçori stilistike të poezisë së Fatos Arapit - Nga Vangjush Ziko

Nga: Vangjush Ziko

Poezia lirike njeh dy forma të shprehjes së saj: poezinë emocionale dhe poezinë konceptuale ose reflektive.

Fatos Arapi i përket grupit të poetëve që përqafuan rrymën moderne të konceptualizmit poetik në poezinë tonë.

Unë kam zgjedhur poezinë erotike të Fatos Arapit për këtë diskurs poetik mbi stilistikën e tij poetike.

Në poezitë e tij lirike mbi dashurinë poeti ka trajtuar çaste të ndryshme komplekse të saj, nga pritja e çastit të takimit intim të heroit lirik gjer te ai i ndarjes, te dilema “si s'dashurova më shumë” dhe paradigma e pavdekësisë së dashurisë.

Ky është horizonti shumëplanësh i dashurisë së heroit të tij lirik. Një hero lirik me një botëkuptim të ri mbi dashurinë, të ndryshëm nga ai i heroit lirik të dekadave të mëparshme, i cili ecte në hullinë stereotipe të pasqyrimit emocional të ndjenjave dhe të përjetimeve të veta. Heroi lirik i poetit është i hapur dhe i pavarur nga normat morale dhe etike të mëparshme.

Vetë Fatos Arapi në intervista të tij e ka shprehur pozicionin ndaj dashurisë. Ai e ka quajtur poezinë e tij herë “poezi të mëkatit”, “poezi kokëkrisur”, “magji e mrekullueshme” dhe “dhëmbje”.

Të rrallë këtë dashuri e bën trajtimi konceptual i kësaj teme.

Ky koncept i ri mbi dashurinë ka përcaktuar dhe stilin e tij, ku rolin kryesor e luan gjuha bashkëkohore poetike, lirshmëria dhe shumëllojshmëria e përdorimit të saj për t' i sjellë lexuesit një informacioni të ri estetik,

Ja si na e përshkruan poeti çastin e pritjes së takimit intim:

“Kur e di se unë ty të pres

duke ndjer’ frymëmarrjen e vet mbrëmjes,

duke ndjer’ frymëmarrjen e vet pritjes,

duke ndjer’ frymëmarrjen e vetmisë”

(“Ti do vish”)

“Frymëmarrja” si shprehje biologjike e gjuhës natyrore, për një qenie të gjallë me shpirt, merr në kontekstin e saj një kuptim metaforik, i cili, në këtë rast u atribuohet çasteve të ndryshme: kohës kur ndodh takimi: “mbrëmjes”; çastit emocional të “pritjes” dhe gjendjes së “vetmisë”, të cilat shpirtëzohen.

Ky shpirtëzim, personifikimi i tyre, i përcjellin lexuesit një kuptim të ri, jo vetëm domethënës, por, mbi të gjitha, estetik, i cili na përcjell emocionalisht ankthin e një pritjeje të heroit lirik të së dashurës së vet.

Në poezinë “A je brymë, moj, a je borë?” autori zgjedh trope të tjera: alegorinë dhe pyetje subjektive hipotetike.

Poeti përdor shqisat e “gojës”, të “dorës”, të “syrit”, të “lotit” dhe funksionin e tyre për të na përcjellë emocionet që ngjall dashuria për një zemër të dashuruar. Pra një informacion të ri estetik mbi dashurinë:

“A je frymë apo je gojë?

A je dorë që ledhaton?

Sy i shuar që shikon?”

Përdor pyetjen hipotetike të bazuar në një supozim, për të theksuar vështirësitë për ta përcaktuar ndjenjën më intime, dashurinë:

“Je gënjeshtra e vërtetë?

A je jetë nëpër vdekje

Apo vdekje, moj, nëpër jetë?”

E gjithë poezia “A je brymë, moj, a je borë” dëshmon dhe për për një tipar tjetër të gjuhës poetike të poetit, që është frekuenca e lartë e mendimit poetik, i cili përftohet nëpërmjet pyetjeve të njëpasnjëshme, që krijojnë një ndikim të veçantë emocional te lexuesi.

Fuqia e vargut poetik të Fatos Arapit ndërvepron, mbi të gjitha, nëpërmjet këtij procesi subjektiv reflektiv emocional të vetëdijës së “unit poetik”, i cili lind nëpërmjet këtij procesi reflektiv.

Konceptimi reflektiv i jep një ton karakteristik poezisë së tij, ndërsa kërkimi dhe qëndrimi aktiv ndaj jetës dhe mendimi i thellë filozofik mbi fenomenet e saj më të natyrshme, e bëjnë poezinë e Fatos Arapit një poezi moderne, e cila sugjeron më shumë sesa flet, udhëzon më shumë sesa shpjegon.

Mendimi poetik i Fatos Arapit bëhet më i mprehtë, duke u thelluar në nëntekstin poetik dhe duke u zgjeruar me kontekstin semantik të shoqërimeve simbolike, siç pohon në poezinë “E paëndërrta ime”: “bukë” për të uriturit; “zjarr” për njerëzit; “gjumë” për të pagjumët; edhe ata, “ata, që kanë vdekur dhe dashurojnë akoma” le t'i frymëzojë kjo dashuri e unit lirik.

Fatos Arapin e trajton dashurinë, jo vetëm si një fenomen biologjik dhe shpirtëror, por edhe si një ndjenjë idilike të përjetshme.

Në poezinë “Nuk mbyllem dot” ai trishtohet për kushtet paradoksale të ekzistencës së dashurisë, për atmosferën shoqërore, që e rrethon atë:

“Jemi anije pa spirancë

Mes erërave të egra të kundërta”

................

Të gjithë na kanë faj dhe askush:

Deshëm të krijohemi në asgjësimin tonë

Tani gjithë dritaret e shpirtit

Janë hapur, bymyer e kalbur

Nga shirat e lotëve, -

Dhe s’mbyllen më dot.

Mund të hyjë kush të dojë.”

Ai kërkon:

“Një copëz ironie

Sa gjysmëz e krahut të zogut, -

Të mbrohem nga shirat e verdhë

Të predikimeve të apostujve të lajthitur.”

Poeti e ka fjalën për realitetin paradoksal të shekullit në të cilin jetojmë.

“Apostuj të lajthitur” janë paragjykimet dhe qëndrimet konservatore apo liberale ndaj normave morale të jetës intime.

Struktura poetike e poezisë së Fatos Arapit dallohet, gjithashtu, nga mënyra e vargëzimit të mendimeve dhe të emocioneve lirike, nga ritmi dhe nga skema e poezisë, që ai parapëlqen.

Poezia e tij, zakonisht, është e rreshtuar në monokolonë dhe, kryesisht, me vargje të parimuara.

Ritmi i këtyre vargjeve përcaktohet nga intensiteti i meditimeve, që na përcjell autori.

Në poezi të veçanta, ku poeti është i drejtpërdrejtë dhe shpreh deduksionin e vet për një përvojë intime të përjetuar përfundimisht, ku nuk ka se çka t'i kërkojë më shumë vetvetes apo çfarë informacioni të detajuar subjektiv t'i përcjellë lexuesit sepse ajo, tashmë, është shndërruar në simbol, në një të vërtetë biblike, poeti i lejon vetes   t'i kthehet metrit dhe rimës klasike, siç ndodh te poezia lapidare “Unë desha përtej vetes”:

“Ashtu dashurova unë

Edhe prap s’ia fal dot vetes:

Si s’e desha pak më shumë…

Pak më shumë ku shpirti thyhet,

T’i them ndarjes: - Prit, ca pak…

Të gënjejmë mallin që s’shuhet,

Kujtimin të gënjejmë pak.

Përtej vdekjes, përtej botëve,

Atje ku nis “ca pak” tjetër, -

Asaj që më rri mes Zotave.”

Fatos Arapi mbetet një ndër figurat më interesante e më të shquara, një novator i poezisë bashkëkohore shqipe në rrugëtimin e saj modern.

© Vangjush Ziko - Kanada