Vehbi Skënderi: Bibla e një dashurie mahnitëse - Nga Vangjush Ziko

Duke naviguar nëpër shtigjet e internetit gjeta gjurmët e mikut të vjetër Vehbi Skënderi, gjeta një tufë me poezi të shkruara në luginat e bleruara të Zvicrës alpine dhe mbi dëborën e thinjave të tij.
Vehbi Skënderi dhe muza e tij e përndjekur dhe e larguar nga vendi i vet, është muza e besimtarit të përkushtuar dhe të zhgënjyer në jetë, që ia beson dhembkat dhe dëshirat e veta magjisë mistike të Hënës:
“Kur ke diçka për të më thënë -
diçka që nuk të shqitet e s'e mban dot për vete,
që s'avullon si shiu e si bora nuk tretet
E, ngado që të ikësh, pas të ndjek këmba-këmbës,
Trokit në Hënë! Thuaja Hënës!”
(Thuaja Hënës)
Ai më kujton Anakreontin, i cili e trajtonte temën e dashurisë, si një ndjenjë të ndritshme dhe të gëzueshme, pa u përqëndruar në vuajtjet dhe aspektet tragjike të dashurisë, siç kanë bërë poetë të tjerë.
Poezia atë e ngushëllon dhe e mbështet, e forcon, e inkurajon dhe e udhëzon që të jetojë sipas ligjit të dashurisë.
Dashuria mbeti për të tërë jetën një gëzim dhe kënaqësi:
“Ti kaq sa ishe grua ishe dhe lule shege.
Ros’e lumenjve t’egër dhe shkrepëtimë rrufeje.
Posi rrëkel’e shpejtë ike edhe u ktheve.
Me fluturimin e bletëve në Malin e Sherbeleve.
Si kambanat festive në Bazel një të diele.
Ike edhe u ktheve!
(Ndez miliarda qirinj në xhami dhe në kishë)
Ky “zhuzhak i artë” nuk u kursye që t'i këndojë dashurisë edhe në moshën e pleqërisë:
“Ditët e mia të ngushta, si këmish’e Centaurit, nuk e nxënë dot as këtë zhuzhak të artë/ Që jep koncert falas nëpër Konfederatë.”
Vehbi Skënderi shkruan me çiltërsinë dhe vetëbesimin e një krijuesi të apasionuar, që e shenjtëron dashurinë:
“Kam shkruar një Bibël për vetullat dhe qerpikët.”
…...................
“kam shpleksur leshrat,
kopsat të kam shkopsitur.
Të kam thithur si pite mjaltë
buzën e tharë nën Henë.”
Për të nuk është aq e thjeshtë dhe aq e lehtë për të arritur në dyert e parajsës së dashurisë:
“Mos u beso betimeve të erës e flakës të nxituar
Ajo që kërkon ti është më tej,
Ndoshta tre male larg,
Ndoshta tre yje lart”.
Dashuria është për të një enigmë sa joshëse, po aq dhe torturonjëse. Ajo i ngjan Ylberit, shkallës që të ngjit në qiell pranë vetë Zotit, por edhe një vetëtime, që të përvëlon dhe të zbret në Ferr.
Dashuria është kudo e gjithnjë me të në gëzim dhe në hidhërim, është jo vetëm e ëmbël dhe e butë, ajo “mund të shqyejë mallin nga mërzia”.
Dashuria është edhe një dramë.
Bukuria e dashurisë e yshti shpirtin e tij në çdo moshë e në çdo kohë, e magjepsi shpirtin e tij edhe në liri edhe kur ishte i pëndjekur nga regjimi i kohës.
Ai u ngjan pleqve trojanë të Homerit, që edhe në çastet tragjike të kërcënimit nga lufta, shijonin bukurinë e Elenës të rrëmbyer nga Parisi.
Dashuria është një magji e natyrës dhe e stihive të universit për poetin. Poeti edhe i thinjur, nuk e humbi shijen e magjisë që ka e qeshura e një gruaje për një shpirt të dashuruar:
“E qeshura e një gruaje: zinxhir i artë zërash, që shuan, në sekonda, distancat e sinoret.”
......................
“E zbrazët, e mjerë
Bota do të qe pa këtë melodi të magjishme, pa nota!”
Në moshën e thinjëve, si një dashnor i përgjëruar, ai i lutet i përmalluar dashurisë:
“Ndalo veç një minutë, si kanarinë e artë, me biskun pranveror të kësaj Erotike.”
Ai guxon dhe “mëkaton” edhe në moshën e thinjur si një djalosh i porsa dashuruar:
“E ku ta dish, Babush, ku ta dish, po të mashtron vogëlushja Ksenja kot,
Me një tubetë çamçakiz. E ku ta dish, Babush, ti ku ta dish.
Nesër ti ndoshta do ta kalosh tri herë Atlantikun tejendanë
Që t'ia dëgjosh pak zërin. Apo t'i ulesh dy sekonda asaj pranë”.
I dashuruari i përjetshëm e pret me buzëqeshje sentencën që i kujton bukuroshja se “kjo botë është e gënjeshtër” e se “nga pluhuri kemi lindur dhe në pluhur do mbarojmë”.
I dashuruari i thinjur i përgjigjet:
“Zonjëz, këtë formulë e dinë përmendësh, krejt të rinj e pleq.
Unë besoj se do të qe më mirë, ndoshta, po të më falje një të puthur.
Kështu mëkatet, ndoshta edhe më lehtë mund t'i ndreq?”
Po e vazhdoj leximin e kësaj bible të rrallë dashurie me këtë strofë panegjerike, që evokon dashurinë e perandorëve të lashtë, krojet e kthjellët, sytë e qielltë dhe trëndafilat mbi rrënojat dhe kaosin:
“Dikur kam pirë ujë në një krua lot të kthjellët.
Dikur kam folur miqësisht me Darin (Plakun) e Keopsin
Dikur kam dashur një biondinë me sy të qiellta.
Dikur kam mbjellë trëndafila mbi rrënoja dhe kaosin”.
Vargjet e Vehbi Skënderit rrjedhin si një krua i vendlindjes së tij nëpër shurupuqin e gurtë. Ai ligjëroi e ligjëroi pa pushim, gjersa buroi burimi i tij mahnitës i dashurisë.
Gjuha e tij poetike është një gjuhë e butë dhe e sinqertë. Ajo këndon, ngashërehet dhe psherëtin, loton e qesh dhe dalldiset nga pasioni i çiltër.
Gjuha e tij, siç pohon vetë poeti, “pi në një krua të lotit të kthjelltë”.
Gjuha e erotikës së Poetit është në konflikt të hapur me realitetin, që e rrethon poezinë e tij: gjuhën e “zhuzhakut të artë/që jep koncert hapur”.
Ai është i zhgënjer si nga “etika e kallaisur”, primitive apo nga ajo ultra moderne “pa fantazi e pa oksigjen”, që për atë janë “këmisha të ngushta fëmijësh”.
Emocionaliteti i vargut të tij është gjenuin dhe i virgjër:
“Por iu betohem sinqerisht, për Perëndi, ju dua sinqerisht.
Me tërë mallin e shpirtit tim ju dua.
Zonjë, unë jam i bindur, se gjithë këto letra, shkruar
Në këto ditë dimri, nëpër gjethet e dëborës -
Kurrë deri tek ty,
Nuk do të mbërrijnë...
Po prapë unë shkruaj (për ty) parreshtur Mbi gjethet e dëborës.”
Metaforat dhe simbolet e tij përcjellin ndjesi dhe ngjyrime delikate.
Femrën e dashuruar ai e quan: “lule shege”, “rosë e lumenjve të egër” dhe “shkrepëtimë rrufeje”, “puhizë” që i vjen Botës përqark. Dhe askush nuk të ndal. E askush nuk të kap!”
Sintaksa e vargut të tij ndjek rendin e logjikës së një besimtari “të marrosur” ndaj dashurisë, që fluturon si “meteor që përshko(n) Qiellë”, por edhe të ojnakut, që ia di takatin vetes:
« E ku ta dish, Babush, ti, ku ta dish. Mos u mashtro Babush ti me një karamele.”
Diskursin për këtë Poet, që na la në vargje Biblën e tij të Dashurisë, po e mbyll me vlerësimin brilant të poetit Moikom Zeqo:
“Emri i lirikut gjenuin të çuditshëm Vehbi Skënderi nuk do të harrohet asnjëherë. Për këtë jam i bindur.”
© Vangjush Ziko - Toronto
Foto: Portreti i poetit Vehbi Skënderi me autor Nazmi Hoxha












