Letërsi

Pёrparim Kapllani: Mёsuesi i Biologjisё, Kapitulli 4 nga romani Grimcat e kujtesёs

Britmat nё kor tё pacientёve nё oborr tёrhoqёn vёmendjen e tё sёmurёve tё tjerё, qё filluan tё nxirrnin kokat nё kangjellat e kryqёzuara. Isait po i merreshin mendtё nga ajo galeri fytyrash tё pёrçudnuara. Ngriti jakёn e xhaketёs pёr t’u mbuluar disi, por nё çast u kujtua se ai gjest naiv ishte krejtёsisht i kotё. Iu duk vetja si njё struc qё po fuste kokёn nё rёrё. Eci mbrapsht, pёr t’u shkёputur disi nga pacientёt nё oborr. “Mёsuesi” e dalloi me bisht tё syrit, por ende nuk po kuptonte gjё. Ngriu nё vend, duke pritur se çfarё do tё ndodhte. “Mёsuesi” u kthye paksa nga ai dhe vazhdoi tё bёrtiste “Akupara” me duart e ngritura drejt qiellit. Isai pёshpёriti diçka nёpёr dhёmbё, duke u shtirur qё po i bashkohej edhe ai asaj proteste naive dhe boshe. “Mёsuesi” i kёnaqur qё Isai po i bashkohej korit, u kthye nga pacientёt e tjerё. Isai bёri edhe njё hap prapa, duke dalё mё nё fund jashtё rrethit tё hekurt. Nxitoi hapat, ndёrsa fryma iu mor nga ankthi dhe frika. Po sikur ta pikasnin nё moment dhe t’i vёrsuleshin papritur? Nga sulmi i nёntё njerёzve tё shfytyruar askush nuk do tё kishte shpresё shpёtimi.

Nuk ka ushtri mё tё fortё nё botё sesa turma e uritur, kishte thёnё Napoleon Bonaparti. Ishte vetёm pak metra larg nga dera e pasme e oborrit. U dha kёmbёve me sa fuqi kishte, por “Mёsuesi” e ndoqi nga pas, pa arritur tё futej brenda. Isai i vuri llozin derёs dhe u mbёshtet me kurriz. Mori frymё me gojё pёr tё qetёsuar disi frymёmarrjen. Ajo kryengritje e çuditshme ishte pёrhapur si rrufe nё tё gjithё spitalin. Infermierёt e turnit vraponin nёpёr korridore, me sytё dhe veshёt nga dhomat, nga ku mund tё dilnin tё sёmurёt e tjerё. Disa prej tё sёmurёve kishin dalё jashtё kontrollit dhe goditnin me ç’tё mundnin, çka u dilte pёrpara. Turma e tё sёmurёve po e qёllonte derёn me njё nga stolat e oborrit. Isain nuk e mbajtёn mё gjunjёt dhe ra pёrmbys mbi dyshemenё e korridorit. U tёrhoq zvarrё, duke u pёrpjekur tё largohej disi nga “mёsuesi” pas tё cilit po hynin me vrull pacientёt e tjerё. “Mёsuesi” pёrplasi disa herё njё karrige druri pas murit anёsor, gjersa karrigia u bё copё-copё.  Pa ia hequr sytё presё sё vet, shkuli njёrёn nga kёmbёt e drunjta e filloi tё thyente xhamat e dritares mё tё afёrt. 

Doktor Arbeni doli befas nga zyra, e cila ndodhej disa metra mё tutje dhe u pёrpoq ta qetёsonte, por “mёsuesi” nuk u zmbraps.  Copat e xhamave filluan tё binin mbi dysheme. Isai u tёrhoq rrёshqanthi nё drejtim tё doktorit. Nёse doktor Arbeni do tё arrinte ta ndalonte “Mёsuesin”, atёherё mund tё kishte shpresё shpёtimi. Befas njё cifёl xhami i hyri nё thembёr. Currilat e gjakut filluan tё skuqnin dyshemenё.

Akili e kishte pikёn e dobёt nё thembёr. Pёr shkak tё thembrёs, ra Troja! “Mёsuesi” ndaloi njё çast dhe me sytё e errur nga tёrbimi u kthye nga ai. Isai u tёrhoq sёrish mbrapsht me duart e mbёshtetura nё dysheme. Grimcat e xhamave tё thyer i shpuan pёllёmbёt e duarve. “Mёsuesi” qёlloi fort me kёmbёn e karriges nё drejtim tё Isait, por nuk arriti ta prekte. Isai tёrhoqi vrikthi kёmbёn e djathtё dhe vazhdoi tё zvarritej mbrapsht me kurriz nga dyshemeja, por nuk arriti t’ i shpёtonte goditjes sё rradhёs. Kёmba e karriges e goditi fort nё kofshёn e djathtё dhe pёrpak sa nuk i krisi kockёn. Iu errёn sytё nga dhembja dhe klithi me sa fuqi kishte. “Mёsuesi” u mat ta godiste pёrsёri, kur njё dorё e fuqishme e mbёrtheu Isain nga supi dhe e tёrhoqi pas.

“Futu nё zyrёn time. Rri aty gjersa tё qetёsohet gjendja!” tha doktor Arbeni dhe e shtyu lehtazi drejt zyrёs sё vet, e cila ishte lёnё gjysёm e hapur.  I befasuar nga mirёsia e tij, Isai ende po ngurronte tё hynte.

Doktor Arbeni ishte njё burrё rreth tё tridhjetave me shtat mesatar. Flokёt i kishte bjond dhe sytё blu dhe atij ia kishin vёnё nofkёn “gjermani”. “Gjermani” ishte i qetё dhe shumё i rregullt me pacientёt. Ishte nga tё rrallёt, tё cilit tё sёmurёt i bindeshin si me magji. Seç kishte diçka mistike dhe paqёsore nё tё gjithё qenien e tij, qё tё bёnte menjёherё pёr vete. Kishte mbaruar specializimin nё Kinё para njё viti dhe e kishin sjellё aty. Sa herё qё kishte trazira tё dhunshme nё spital, doktor Arbeni do tё hynte nё mes tё turmёs sё tёrbuar pa ia bёrё syri tёrr. Qetёsia e tij ishte pushtuese dhe i detyronte pacientёt e irrituar tё heshtnin.

“Hidhe poshtё copёn e drurit!”

“Ai dorёzoi Akuparan! Duam Akuparan!” “Mёsuesi” e ndali disi revanshin, por ende mbante kёmbёn e karriges me tё dyja duart.

“Do ta gjej unё Akuparan! Tё jap fjalёn e burrit! Tani, hidhe copёn e drurit dhe ik nё dhomёn tёnde.”

“Qentë kanë pamje periferike më të mirë se qeniet njerëzore.” Mёsuesi i dikurshёm i biologjisё e harroi Akuparan dhe filloi tё zbrazё tёrё njohuritё e veta rreth kafshёvё.  Doktor Arbeni mori frymё i lehtёsuar dhe buzёqeshi lehtё.

“E saktё!” tha shkurt dhe duatrokiti me sa i hanin duart. “Mёsuesi” ndjeu njё lloj krenarie tё gjithёpushtetshme ta pushtonte tё gjithin. Vlerёsimi qё po i bёnte doktori e bёri tё humbte pёrqёndrimin. Kёmba e karriges i ra nga dora, ndёrsa zёri i mori njё ton normal sikur tё mos kishte ndodhur asgjё.

“Milingona ndjen një lëvizje 5 centimetra thellë dhe mund të shohë dritën e polarizuar.”

“Oh, sinqerisht nuk e dija! Nga i ke marrё vesh tё gjitha kёto?”

“Kam qenё mёsues biologjie! Bletët punëtore kanë një unazë të oksidit të hekurit, për të dalluar fushat magnetike.”

“Aha, shumё interesante!” Doktori Arbeni i ra lehtazi me majёn e kёpucёs kёmbёs sё karriges, e cila u rrokullis nja dy metra mё tutje nga vendi ku ndodhej mёsuesi. Dukej se mё nё fund Isai ishte jashtё rrezikut.

“Flutura ka qime në krahët e saj, për të ndjerë ndryshimin e presionit të ajrit.”

“Vёrtet?”

“Po, po! Dhe kameleoni mund t’i luajë kokërdhokët në mënyrë krejtësisht të pavarur, si dhe mund të shohë në dy drejtime të ndryshme në të njëjtën kohë. Brumbulli dallon një lëvizje 2000 herë më të vogël në diametër se atomi i hidrogjenit. Syri i shqiponjës është 35 mm në diametër, ndërsa syri i njeriut vetëm 24 mm. Elefanti mund të dëgjojë një tingull nga 1 deri në 20000 HZ, ndërsa ne njerëzit, nuk mund të dëgjojmë dot infratingujt. Miza ka në secilin sy 3000 lente. Mos vallë jam akrep që duhet të vrasë veten, i rrethuar nga zjarri?”

“Jo, ti nuk je akrep!”

“Akrepat kanë 12 sy, ndërsa merimangat kanë 8 lente. Po shkoj tё kёrkoj infermier Fatmirin. Ai e mori “Akuparan!”  Mё nё fund “mёsuesi” bёri prapakthehu dhe u turr nё drejtimin e kundёrt pёr tё gjetur infermier Fatmirin qё nuk dukej gjёkundi. Doktor Arbeni psherёtiu disi i lehtёsuar dhe futi dorёn nё xhepin e pёrparses. Nxorri qё andej njё bllok tё ri shёnimesh me shkronja kineze sipёr dhe njё stilolaps fringo dhe ia dha Isait.

“Merre. Shkruaj ndonjё gjё, qё tё mos mёrzitesh,” tha doktor Arbeni dhe nxitoi hapat nё drejtim tё njё grupi pacientёsh qё po jepnin e merrnin me njё tavolinё nё hollin kryesor. Mjaft prej tyre e kishin harruar Akuparan dhe po shkallmonin bustin e Enver Hoxhёs.