Letërsi

Ilirian Zhupa: Dita ime

Në orën një do shtrihem të fle,

Në orën dy nga pak do kem vdekur,

Do shoh një ëndërr në orën tre,

Në orën katër do pres mëngjesin.

 

Do ndez një cigare në orën pesë,

Në orën gjashtë do blej gazetën,

Në orën shtatë një kafe ekspres,

Në orën tetë ca fjalë me shefin.

 

Do bëj një telefon në orën nëntë,

Në orën dhjetë një servil do heq qafe,

Në njëmbëdhjetë një mike do tremb,

Në dymbëdhjetë sërish do pi kafe.

 

Në trembëdhjetë do shkoj me shërbim,

Në katërmbëdhjetë do jap shkrimin e radhës,

Në pesëmbëdhjetë do lë një takim,

Në gjashtëmbëdhjetë ngadalë do ngjis shkallët.

 

Në shtatëmbëdhjet do shkruaj ca vargje,

Në tetëmbëdhjetë do shuaj gjithçka,

Në nëntëmbëdhjetë do harrohem fare,

Pastaj, në njëzetë do bëj një shaka.

 

Në njëzet e një do puthem me gruan,

Do qesh pa shkak në njëzet e dy,

Në njëzet e tre do ulem të shkruaj,

Në njëzet e katër vallë do mbyll sy?

 

Nga libri: “Mos më pyet ku kam qenë”, 1988 - 2016

Tagged under Ilirian Zhupa