Letërsi

Logaritmi turistik

Nga: Fatmir Terziu

Jam ulur tek Çinari në Ohër,

duhet të planifikoj ditën,
të gërmoj në fletoret e shënimeve 
vizitën
e turistëve të ardhur nga Bota
por më thanë se burra e gra të veçantë
kanë udhëtuar nga vende të ndryshme
për të shijuar bukurinë e Liqenit,
lashtësinë dhe ushqimin,
koranin, 
në regjistrin e mbetur
të përshtypjeve.

Shkoj në shëtitoren e Liqenit duke numëruar turistë
të cilët metojnë në hapësirën e nxehtë,
në qetësi, të dashuruarit imitojnë pulëbardhat,
për të vazhduar shpotinë në hotele,
pa ndihmën e shkronjave cirilike të dy busteve,
ata e dinë se dashuria
është gjuhë më vete.

Kur banorët vendas dynden me tabela,
ata janë të frikësuar nga çmimet, edhe pse
unë nuk mund t’i qetësoj më, tani për dhomat
e gjitha që më duhet e s’më duhet është një rekord 
i emrave të tyre, 
adresave,
banesave dhe akomodimeve,
thjesht për vizitën e ardhshme turistike.

Rregullat e këtij numërimi më ngatërrojnë mua.
Pritet që të numëroj shqiptarë të ardhur
nga bregu i Liqenit matanë
si turistë, në mënyrë që zyrtarët
mund të pretendojnë me gjithë mend
ka vetëm një pushim
në çdo vend.

Si duhet ta numëroj
një turist pogradecar shqiptar?
Liqeni e ka rritur atë, 
por sytë e tij këndej, kurë me një fjalë
nuk i kanë parë.

Dhe çfarë numërimi duhet për turistin tropojan
fotografia e stërgjyshit të tij 
flet se kishte dyqan,
kur këta zyrtarë në jetë s’kishin ardhë,
ose vajza nga Vlora që thotë se e di
se familja e saj ka lindur diku në këtë mjedis
dhe se stërgjyshi i saj tregëtar
fliste pastër shqip, turqisht,
maqedonisht dhe frëngjisht.

Ajo madje mund të kishte qenë pjesë e këtij qyteti,
nëse Çinari do të kishte gojë,
dhe të mos i mbante sekretet mes veti,
ndaj rruga ngeci numërimin tim
që u kthye pikë së pari
në ditët e trazuara nga ari.

Numërimi turistik, po aq sa ai me (ar)
për fatet e këtyre turistëve,
është sikur të shënosh mbi Çinar
plagët mbi lëkurën e tij gjatë shekujve.

(Ohër, Gusht 2018)

Tagged under Fatmir Terziu