Kur dhimbja flet e dashuria qan!
Poezi tepër të ndjera nga 4 poete shqiptare, për jetën, humbjen e njeriut të dashur, veten, nënën apo mallin.
Nga Erenestina Gjergji Halili
T’randoi ai qerpik,
pa mujtë m’e hapë me m’thanë :
– Nanë, erdh Ora!
Nuk e dveta Zotin tem:
Pse?! Pse?! Pse?!
Se nan qerpik m’the:
-Nanë, mos dvet…!
Unë iu binda fjal’s tande,
Zotit tand e temit…!
Kajherë, dritë e synit tem,
mall po kam me t’pa,
me t’rrokë,
me ta puthë at sy qerpikgjatë,
terr si mbramja e të hanës…
Paj, dert mos ki!
Njatij tandit e temit,
njaty nelt,
nuk mundem m’i mbajtë mni!
N’lutje, t’mban nana n’gji…
Njëzet e dy mijë kilometra
nga Miranda Shehu Xhilaga
(nënës time plakë që është larg)
Trupi më dhemb
nga pesha e gurtë e fjalëve te pathëna
dje, sot, nesër.
Krahët e mi, të mpirë në ajër,
pamundur të ulen në supet e tua.
Duart mi bën të dridhen
përplasja e portës mbrëmjeve
e piskama e rripit të lëkurtë të kohës
më fshikullon zemrën.
Zemra më rëndon krahërorin,
nën dritën e vagët të syve të tu,
një fije floku në ditë më thinjet.
Psherëtimat e tua pa fund e vitet që ikin
më grabisin shpresën.
Njëzetë e dy mijë kilometra mall
rrëshkasin gjymtyrëve
tek le të lira të më përmbysin
kujtime fëmijërie.
Edhe kur ti të vraposh drejt perjetësisë
unë, mendimi dhe dashuria ime,
do të vrapojmë drejt teje.
Roja i dritës
nga Flutura Açka
Ti kishe kaq qiell brenda teje,
sa dhe dielli bante ndejë n'tandin sy,
e drita xhelozohej kur fikej mramjeve,
horizontit ankohej,
se s'mundej me të ngja ty.
Kurdisur n'buzëqeshje
kraharori yt ende jep gurgullimë,
andrrës dhe zhgjandrrës të çajë thurjen e pezmët
të trishtimit tonë, mësyn.
Është larg, n'rini të përjetshme,
mbretërinë e Askundit lyen me bojë njeriu,
i pakorruptueshmi shpirt,
i papërlyemi kurm,
e pavramja ndjenjë,
xeherore qe s'e prek kush thellimave,
ekzistencë diku, gega im,
"the terrible beauty"* në më t'gjatin mërgim.
Ti dashuria që ecje,
ti buzëqeshja baretëse,
ti i thikti rrezatim mirësie,
kushedi në ç'mors lexon tani,
vajin tonë që lutet për kthim.
Ti roja i dritës,
përgjon errëtitë që aviten të na nxijnë,
të na derdhin mjerim.
Tani shkel në dhera të pastra,
e ëndrrash të qashtra shtigjesh nget,
ti nezra e përjetshme,
nuk fikesh si kandil,
as flakë qiriri topitur erës,
shembëllim i largët i një ylli kushediku,
tatuazh i shpirtit mbet...
Kthim
Nga Valbona Bozgo
Kthehuni këmbë nga udhëtim i gjatë.
T’u frynë dejet botës së pafund.
Çlodhuni sy soditjesh të shumta,
qepallave rëndon gjumi i plumbtë.
Pusho shpirt.
Të rrëmosh ç’kuptim ka
kur e di, që kurrë s’ke për ta gjetur
atë copëz të qenies tënde
në një tel të botës ngecur?
Çapitu pas, rrugëve të njohura.
Të gjera s’do t’i gjesh siç i le fëmijë.
Në fund të ngushticës së tyre
do të të shfaqet një arkëmort i zi.











