Letërsi

Dritëro Agolli - Me një prift në tavernë

Në një tavernë atje në Romë

Më hodhi era tek një prift,

E donte prifti Ciceronë,

E pinte verën latinisht.

 

Dhe duke ngrënë e duke pirë

Më tha mos isha katolik,

Por ndodhi prift vërtet i mirë,

Ndaj s’desha të isha unë i lig.

 

Ia ktheva butë e qetë -qetë:

“Kjo vera qënka si balsam,

Këtë e duan gjithë fetë,

E do dhe ndonjë mysliman.

 

I kam të parët katolikë,

I kam të dytët bektashinj,

Dhe unë i treti asnjë çikë,

S’besoj në shpirtra dhe qirinj.

 

Se m’u mërzitën gjyshrit shumë,

Që fetë i kthenin mot për mot,

Ndaj hoqa dorë i shkreti unë,

Nga çdo besim e nga çdo zot...

 

Po prifti foli tepër vonë

Dhe ndofta tepër rastësisht,

Si recitoi pak Ciceronë,

Si mërmëriti latinisht.

 

Në sytë i feksi një shkēndijë,

Iu drodh dhe gjer në fund iu fik

Dhe qeshi çiltër si fëmijë:

“Gjynah që s’qenke katolik”!

 

Me sy kërkova tinëz derën,

Kur prifti thirri: “Mos, or mik!...

Megjithatë ta pijmë verën,

Në verë qënke katolik!”

 

Harroi një çast për Ciceronë,

Harroi të tjerat, sigurisht...

I madhi prift me Dritëronë

E pinin verën latinisht...

Tagged under Dritero Agolli