Mali i jetës
- Nga: Zija Çela
Është provuar tashmë se në Malin e Jetës, i cili edhe sot ka formën e trapezit, në kohë që s’mbahen mend ka pasur dy vendbanime me të njëjtin emër. Anamali nga njëra faqe, Anamali nga e kundërta. Se nga frynte një erë që, duke hasur në sharrat e kurrizit, ndahej në dy rryma. Këto rrymat zbrisnin pastaj tatëpjetë, duke fuguar nëpër hulli e rava, nëpër gërxhe e shpella. Por ende besohet (ndoshta gabimisht) se ndikimi i tyre ishte ndryshe në njërin vendbanim, ndryshe në tjetrin.
Sapo hynte vjeshta, banorëve të Anamalit A u dukej sikur gjithandej dëgjohej një ngashërimë e fshehtë, si rënkimi i ndonjë shpirti që ankohej në ankth. Ata nuk dinin ta shpjegonin. Por edhe vetë ndienin një molisje, paksa trishtim, paksa melankoli, paksa mallëngjim e brengosje bashkë. Dhe, krejt papritur, nisnin të përloteshin. Ata që i kaplonte kjo gjendje, nxitonin te Rrasa e Zezë, ku ishte pusi i fillesës. Thuhej se, sa herë që paraardhësit e tyre donin me qa, mblidheshin bash atje. Rrëfenjat e stërgjyshërve ishin trashëguar nga brezi në brez dhe ngjallnin gjithfarë përfytyrimesh. Sipas disave, me të rënë një lot përmbi rrasë, guri sikur digjej dhe nxirrte tym. Me kalimin e kohës, aty u hap një gropë, që erdhi duke u thelluar, derisa mori formën e pusit. Anamalasit e A-së e vazhduan traditën. Kur i zinte angështia e atij shpirtit ngashërues, në pusin e gatshëm i derdhnin lotët. Gjatë ditës, në orën që i binte dielli, atij i shihej edhe fundi. Një shtresë e çuditshme, si pluhur qymyri, pluskonte mbi syprinë. Afërmendsh, kur vdiste dikush në katund, niveli i pusit rritej dhe banorët e kuptonin shkakun. Por ndodhte që rritja të vërehej edhe kur punët u shkonin mbroth. Sepse, çuditërisht, ata sërish përloteshin. Ahere, me një ngërç habie në fyt, i ktheheshin njëri-tjetrit: “Do të vërbohemi një ditë duke qarë. Po përse, përse kështu?!” Dhe pastaj, teksa fërkonin sytë, gjithë me atë habi hynin zemërplasur në mëdyshje.
Ndërkaq, në Anamalin B rryma e erës sikur i këndellte vendasit. Ata vinin më qejf me shkak e pa shkak. Në çaste të tilla, vetëvetiu ia jepnin gazit, por kaq vrullshëm qeshnin, sa sytë u mbusheshin me lot. Menjëherë, sapo i pushtonte kjo gjendje, ata vraponin te Rrasa e Bardhë. Sepse edhe anamalasit e B-së kishin pusin e stërgjyshërve. Gjatë ditës, në orën që i binte dielli, syprina atje poshtë llamburiste si shtresë kristalesh, çka u jepte shkak të kujtonin rrëfimet e trashëguara. Sipas tyre, sa herë që lotët e të parërve binin në atë rrasë, nga guri dilnin tinguj e cifla. Por tingujt u ngjanin cicërimave, ndërsa ciflat fluturzave. Afërmendsh, edhe atje vdisnin njerëz. Por kur mblidheshin për mort, e bënë zakon të merreshin me thashetheme gazmore dhe e qeshura prapëseprapë nuk ndalej. Ahere, me një ngërç habie në fyt, i ktheheshin njëri-tjetrit: “Po na shkon goja vesh më vesh, hi-hi-hiii dje, ha-ha-haaa sot. Po përse, përse kështu?!” Dhe pastaj, teksa fërkonin sytë, gjithë me atë habi hynin në mëdyshje. Mos. vallë, midis breshërit të qeshjeve kishte shumë përqeshje, madje shpesh edhe ngërdheshje?!
Një ditë prej ditësh, pasi kishte kapërcyer kurrizin e malit, u pa një njeri që zbriste nëpër shpat drejt vendbanimit të tyre. Me të mbërritur në Anamalin B, kërkoi të takonte kryeplakun. Ai nuk ishte mysafir i zakonshëm, por një negociator, që vinte nga Anamali A me këtë porosi: “Kujdes, ju po harroni me qa!” Kur e dëgjoi, kryeplakut në fillim i erdhi për të qeshur. Megjithatë, e përmbajti veten. Ai e priti bujarisht dhe, si hëngrën drekën, e përcolli një copë rrugë. Pastaj, teksa ndaheshin, i dha këtë porosi: “Kujdes, ju po harroni me qeshë!”
Shumë ngjarje, që ndodhën më vonë, kanë mbetur gjysmë në terr. Disa nuk janë as për t’u besuar. Por, siç është provuar nga spelologët, një ndryshim strukturor ndodhi edhe në zgropin e malit. Puset kishin pasur rrjedhje të hershme. Mirëpo dy rrjedhave nëntokësore, që ishin nisur nëpër llagëme në drejtim të njëra-tjetrës, ua kishte zënë rrugën një shkëmb. Me gjasë, nga trysnia e dyanshme guri plasi dalëngadalë, pastaj u shkërmoq. Me t’u hapur shtegu, ujërat u trazuan dhe, ashtu të ndërkallura, e vazhduan udhën. Rrjedha e matanshme mbërriti tek Anamali i këtejshëm, ndërsa e këtejshmja arriti matanë. Zhytësit me bombola kanë dëshmuar se, përveç sipërfaqeve me reflekse të përzjera, tashmë edhe puset sikur janë niveluar. Një anamalas që e mbanin për të krisur, i njohur me nofkën “Zoti Z”, e çoi punën deri në fund. Kur iu bashkua në kërkime specialistëve të shpellave, ai la në dy rrasat dy mbishkrime. Tashmë boja ka nisur të fshihet, por sipas atyre që kanë vështrim të mprehtë, mbishkrimet identike ende mund të lexohen. Ato thonë: “Njerëzimi njëlloj humbet, si po të harrojë me qeshë, si po të harrojë me qa.”
(Bujtina “Ana e Malit”, ditë vjeshte 2018)











