Tradhëti pas ekranit
- Nga: Mimoza Kuchly
-Skicë-
Gjithçka përreth kumbonte ende prej zë-ofshamës, shoqëruar nga vështrimi i saj i lënduar. Nuk i kujtohej t’i kishte parë aq të plagosur ata sy dhe buzëqeshjen e saj që kishte marrë tjetër formë, atë të zhgënjimit...
"Ti nuk e di se ç’do të thotë të jesh i veçantë për dikë dhe kjo është e dhimbshme ».
Rrotulloi telefonin nga vetja i stepur nga pasqyrimi i hijes së vet në atë kuadrat të vogël të errët e të krisur gjë që nuk e kishte shquar më parë. Kundronte portretin e shpërfytyruar e të copëzuar, si të ishte duke bërë lojë grimasash.
Çuditërisht as përballë atij objekti pa frymë, nuk po mund të gjente imazhin, të cilin e kishte krijuar duke iu vjedhur botës falë shpikjes me butona e kode të lodhshëm…. Kuptoi se diçka po ngjiste dhe ishte krejt i papërgatitur.
Gjithçka po i shpërfytyrohej. Nuk arrinte ta skutonte vështrimin e përhumbur as pas qerpikëve tashmë të ngurtësuar, të cilët nuk mundeshin të puqeshin mes tyre si të ishin ngërthyer zhgënjimit të saj. Buzët eshkë përshkoheshin nga një ndjesi e pakëndshme, me një farë shije pa shije...Brenda vetes gjithçka po i përzihej, shfytyrohej bashkë me skicën-portret të krisur mbi ekran…E turbullonte mozaiku i thyer, pasqyrë e ftohtë e këtij sendi memec, pothuajse i thërmuar… E ç'mund të presësh nga një gjë e mardhur! Asgjë, natyrisht, veçse ndien se je injektuar pa dashur (!).
Fajësonte ende aparatin. Iu tret fuqia të ngrihej e të verifikonte veten në pasqyrën luksoze që ndodhej në sallonin "aristrokat". E përse duhej të ishte ndryshe sot… Për herë të parë ndieu drithërima frike nga këto copëza ekrani të kufizuara e krejt të çrregullta që i dukej se po e ironizonin.
«Ti s'mund të jesh i veçantë ! Fshihesh pas të njëjtit objekti modern »a lamode» që nuk preket nga pikë-habitjet e tua...Ki guxim dhe fisnikëri ta thyesh, të perceptosh të përditshmen me ngjyra jetësore, pa plagosur të tashmen, pa vrarë të djeshmen, shpëto të nesërmen... Jeta nuk është ekran, pas të cilit ti shtrembërohesh e shtiresh duke u hequr ai që s’je…Një ditë edhe ekrani do të thyhet nga tradhëtia..".
Jofrymori në duar, i murmuriste sërish e sërish bashkëlidhur me zërin, i cili tashmë po përhumbte larg, shumë larg, çdo sekond e më tepër. Jehona zvarritej në braktisje, për ta torturuar…
Po ndihej i tradhëtuar… Shtrëngoi në dorë aparatin pagojë.
«Tradhëtar!» Krahu po i lodhej nga pesha. Nga shtrëngimi nervoz, gishtrinjtë kishin filluar t’i mpiheshin…
Ndoshta ai ashtu kishte qënë gjithmonë… Ekrani e njihte mirë se pas tij ishte strukur, duke harruar se edhe ai mund ta tradhëtonte një ditë, por duhej që ky send të krisej më parë, për të turbulluar frymorin që përpiqej ta sundonte. Nuk arrinte t’i urdhëronte dot gishtat. Xhami i krisur, nuk ishte e vërteta sikundër dhe tastiera nuk ishte shpirti, por thjesht imazhi i tij i rremë...Përreth e mbytnin hijet që kishin shoqëruar çdo tastierë asaj që ai mendonte se ishte vetëm për të… Dhe ja tani, gjithçka e tradhëtoi, iu kthye kundër…











