Gruaja që nuk qan-nga Zija Çela
E vetmja epërsi që ka vila e Bertës, në krahasim me tonën, është veranda. Një verandë rreth e qark sa një kopsht. Madje nuk i mbetet mangut as kopshtit, sepse është gjelbëruar me palma e manjola. Në këtë sallon natyror, një herë në muaj, bashkëshortët mbledhin miqtë.
Në banketin e fundjavës së shkuar, meqë pezmi më ishte mbledhur pikë-pikë, s’u përmbajta dot dhe shpërtheva kundrejt tri damave. Ndërsa unë qëndroja ulur, te tryeza e pijeve im shoq çoç bisedonte më këmbë me Bertën, Grisela Kullollin dhe Esmeralda Leskovikun. Sipas meje, nuk ndihej gëzim atje. Me natyrën e tij disi të ftohtë, Vasili më tepër dëgjonte sesa fliste. Po zonjat çfarë dërdëllisnin dhe përse më dukej sikur, me një çehre që u vrenjtej si reja, herë pas here i jepnin isharete të fshehta njëra-tjetrës?!
Unë e kisha njohur Vasilin në ditëlindjen e një kushëriri. Në atë kremtim ai u paraqit i fundit. Ndoshta nuk pritej ardhja e tij, sepse kur hyri, u dëgjuan pëshpërima. Sa mirë, sa mirë! Hapjani rrugën peshkopit! S’paska gjetur kohë as të vishet me kostum! Këtij njeriu kurrë s’i ndryshon turiri, muzg e mjegull!.. Aty mora vesh se, pasi kishte studiuar për informatikë në Austri, ishte kthyer në Tiranë, por tashmë i punësuar në një kompani të huaj programimesh.
Sado që për mungesë të ndonjë tipari të veçantë, nuk po arrija t’ia cilësoja as portretin, shkurt, më hipi në kokë dhe nuk e zgjata. Me t’u krijuar rrethanat, ia zura dy anët e setrës, e afrova nga vetja dhe ia përfshiva buzët me buzë. Nga befasia a ku di pse, një grimë herë qëndroi i shtangur, derisa kuptova se po i ndryshonte temperatura. E ndjeva pikërisht kur duart e tij nisën të lëviznin pas kurrizit tim dhe ndaluan te mbërtheckat e gjoksores. Dy veta, të cilët na panë, i thirrëm dëshmitarë në zyrën e celebrimit të martesës.
Megjithatë, edhe pas dhjetë vjetësh, më ka mbetur një hije. Dhe hijet të gjitha të errëta janë. Vallë, mos u nxitova asaj nate në vendimin tim? më nëpërmendet si vjedhurazi herë-herë. Vasili nuk më pengon të bëj jetën time, mjaft që edhe ai të bëjë të tijën. Pjesën më të ndriçuar të vilës, atë me dalje në ballkon, e ka kthyer në studio. Kompjuter, chat, lexime, përsëri kompjuter. Nuk e mohoj, më të rrallë gjen edhe receta, pasi i vjen ca ndoresh për kuzhinën.
Tri zonja përballë tim shoqi, pa më shpëtuar nga sytë asnjë hollësi. Jo vetëm nuk kishte gëzim, por atje edhe bashkëbisedimi po dremitej. Disi i shpërqendruar, Vasili pinte verë të bardhë. Pinte me hurba të vogla, si për t’u shfajësuar që, duke e pasur gojën të zënë, fliste aq rrallë. Po ato ndrikullat përse ngjanin aq të shkrehura, pa pikën e interesimit? Dhe çfarë, çfarë hijesh u vërtiteshin në kokë, përderisa i kishin shtuar isharetet?! Berta nuk e dinte, por këto ditët e fundit Esmeralda kishte shkuar në shtrat me burrin e saj. Dhe duke më vënë në betim për sekretin, zonja Kullolli më kishte thënë se nuk ishte hera e parë. Ndërkaq, sipas Bertës, vetë Grisela Kullolli pallohej nganjëherë me kushëririn tim. Dhe unë, unë që po më vinte te hunda, ta lija të më ikte ky rast?!
Ia bëra Esmeraldës me dorë dhe, sapo u afrua, e sulmova në zonën ku i dhimbte më tepër, ndarjen me të shoqin. E harrove Natanin sikur të mos kishte ekzistuar kurrë, i thashë. Kam dëgjuar se ti asnjëherë s’ke qenë e punësuar diku, prandaj mos u bëj bukëshkale, të paktën të jesh mirënjohëse. U lëndua në çast, madje u përlot.
- S’është e vërtetë se e kam harruar. Mua më merr vaji për Natanin, më merr shpesh. Vëre veten në vendin tim, edhe ti njëlloj do të qaje.
- Jo, - thashë, - unë nuk qaj për burrin.
Si ta kishin ndier zjarrminë time, në çastin që Vasili u ktheu shpinën për të lënë gotën në tryezë, edhe Berta e Linda u nisën drejt meje. Në hutim e sipër, kur pa si po largoheshin tinëzisht, Vasili ngriti krahët, thua se edhe ai po u jepte një të shtyrë, për t’i hequr nga vetja sa më shpejt. Tani që i kisha të trija pranë, e kisha të pamundur ta përmbaja dufin ndaj gërdufjes së tyre.
- Me sa pashë, nuk ju eci, biseda diku ngeci, - ia nisa thumbimin.
- Hm! - hundëroi e zonja e shtëpisë.
- Hm, hm! - hundëroi e hungëroi edhe Grisela.
- E përse folët? - s’i lashë të merrnin frymë.
- Sa isha unë aty, - u gjegj Esmeralda, - Vasili përmendi ca dallime midis Billit dhe Jobsit. Unë pandeha se ky Billi ishte presidenti amerilan, por doli se ishte i Mikrosoftit.
- E pastaj? - iu ktheva tjetrës.
- Pastaj, - u përtyp Eva, - Vasili na foli për pastiçerinë. Nëse doni të hani një ëmbëlsirë të paharrueshme në Vienë, shkoni në Hotel Sacher. Ky hotel është bërë botërisht i famshëm për Tortën perandorake Sacher. Merre me mend tani, Luiza, çfarë ekskursioni qesharak ishte, ne në Sauk, ai në Vienë... Hane Shan e hane Bagdad!
- Pastaj, mbas Vienës, - nisi të më nxehej gjuha, - juve u mbeti kajmaku në grykë dhe nuk ia varët më, e braktisët si ndonjë gallof. Ti ke për të shtuar gjë, Berta?
- Çfarë të them unë, e shkreta, - u shpupurish me veten ajo. - Apo më mirë ta them troç, si mikja mikes pra. Vasili nuk është tërheqës, Luiza, atij i mungon sharmi, ai s’di as të joshë, as të miklojë.
Ky qe çasti kur brofa më këmbë. Plot e kisha gojën, si karikator automatiku. Dhe nuk e fsheh, më vinte t’i grija me breshëri: “Kuçka, meçka, zuska, rospije, fundërrina, egoiste, llastica, piliherdhe e pilivricka orgurzeza!” Por u zbraza vetëm kaq:
- E si kështu?! Ju, ju fodulle kokëboshe, çfarë po doni të më thoni?! Po më thoni se im shoq nuk qenka simpatik?! Po më thoni se atë burrë nuk e ëndërroni në krahët tuaj?! Po më thoni se, edhe po t’jua kërkonte, nuk do t’ia jepnit?!.. Uh, shtinjake trinjake, se mos e keni provuar! Po ta provonit, jo vetëm dysheku, jo vetëm trina e shtratit, por edhe parketi i dyshemesë do t’ju tundej nën mollaqe, moj shushka spitullaqe!..
Pata drojë mos më tradhtonin sytë dhe ia mbatha menjëherë.
Tiranë, 2018











