Letërsi

Itaka sëmbon - Nga Ndue Ukaj

“Unë jam e huaj në vendin tim”, shkruante Edith Södergran.

S’di si do të jetë ndjerë ajo atë ditë kur frynte erë dhe binte borë.

Ajo sigurisht fliste për Itakën apo për mungesën e përhershme.

Një dhimbje që përbirohet dhe si shigjeta sëmbon.

Në të vërtetë ajo mund të fliste për mungesën e Itakës,

Për mungesën e ngjashme si atëherë kur Odiseu i afrohej limanit

dhe s’dinte kush ishte në pallatin e ti;

Kush e shoqëronte Penelopën e ç’ndodhte me qenin e tij.

 

Fryn dhe bie borë.

E një grua ec ngadalë, ka frikë se do të rrëzohet.

Qartësia mungon gjithkund.

Në kohën kur sytë ngashënjehen nga portat e mbyllura.

Nga Itaka.

Dhe një grua që pret e rrethuar me imagjinatë e vetmi.

 

Ne gjithmonë synojmë të arrijmë te caku nëpër dallgët që rriten.

Ah! Ç’është caku?

Një shpikje e askujt apo e fuqive të mbinatyrshme.

Cakun që kurrë s’e arrijmë.

 

Edith shihte një pemë ma të madhe se gjitha pemët e tjera.

Askund s’ishte gjarpri, as Eva e bukur.

E mira dhe e keqja ishin përzi si leshi në pubisin e saj.

 

Mjegull dhe bie borë.

Matanë kujtesës ajo ka frikë nga nata.

Muzikë s’ka askund. Është një mori zogjsh që cicërojnë.

Refrenet joshëse për të cilat përpëlitemi si nëpër ëndrra dimërore.

 

Fryn dhe bie borë. E gjethet e pemëve fëshfërijnë,

Si fustani i Penelopës kur u hodh në përqafim të Odiseut.

Kjo muzikë është për ata që duan qartësinë,

Dhe shmangen nga mjegulla, rregulli.

 

E kthej fytyrën kah rruga e re.

Aty ku s’kam kaluar asnjëherë.

Dhe them: s’jam i huaji në vendin tim.

Pastaj e hap përsëri librin dhe lexoj atë që Edith vërtet shkroi:

“Unë digjem për një vend që s' është.”

 

(Nga libri, Gjithmonë diçka mungon", OM, 2017)