Letërsi

Tregtarë të tymit - Nga Zija Çela

(VO! Mos e humbisni këtë tregim. Ndoshta ju nuk keni dëgjuar për këtë resort, por ndoshta mund të keni qenë të pranishëm, keni marrë pjesë në debate, keni prenotuar një tryezë për darkë ose, ndoshta, keni thënë pastaj: “Në djallë të gjitha, kurrë më nuk vij këtu!”)

Ai vajti në Amerikë si Mark dhe u kthye prej andej si Majkëll. Me pak përjashtime, në tri qytezat që i lagte i njëjti lumë, ky shndërrim i emrit nuk ngjiti. Por ngjiti investimi i tij. Në pesë mijë metra katrorë, ai ngriti një hotel të vogël dhe një restorant të madh, që shquhej për shërbimin jashtë, në platformën e rrethuar me gjelbërim, ku mbrëmjeve pihej birrë e ftohtë dhe hahej me një listë kuzhine prej nëntë faqesh. I vetmi që i thërriste Majkëll, ishte miku dhe ortaku i tij. Ky kishte shkuar në Amerikë si Gjon dhe ishte kthyer Xhon. Disi cinik e dembel për nga natyra, i rehatuar në qoshkun e mënjanuar, Xhoni mund ta kalonte tërë ditën me telefon, duke vozitur në Internet. Ortak me dhjetë përqind, ai nuk i përzihej bosit në tregti, ndërsa për të tjerat s’e mbante gojën.

Kulmin e fitimit resorti e arrinte në muajt e ngrohtë. Përveçse nga zonat e afërta urbane, për shkak të namit dhe të flladit të lumit, aty vinin frekuentues edhe nga kryeqyteti. Ishte vera e tretë dhe, brenda tre vjetëve, ortakët kishin hasur tri vështirësi.

E para u erdhi nga termocentrali, telash që s’e kishin llogaritur deri në atë shkallë. Kur moti u prish dhe filluan të frynin erëra të përziera, në vend që tymi të hynte në grykën midis dy maleve, tallazitej përmbi oxhakë duke e zgjeruar kupolën. Nëse vetë fjollat nuk arrinin deri te resorti, era e shkrumbit ndihej ngado nëpër platformë. Përballë këtij ndotësi të pashmangshëm, Majkëlli u vu në pritje të motit të mirë. Përkundrazi, duke mprehur ata sytë e zhgardhuar, që sikur ia hapërdanin shikimin, Xhon Bidalla shpërralliste bordin e termos. “Në thertoret e Çikagos”, thoshte, “nga derrat e therur gjithçka përpunohet e shitet, madje edhe thundrat, por për britmën e tyre askush nuk paguan një cent. Kurse këta derrat tanë na e shesin energjinë bashkë me skoriet. Faturën e blozës, dihet, njerëzia e paguan në farmaci.”

Telashi i dytë u shfaq me verën e dytë. Atë mot, meqë asnjë avion nuk bëri spërkatje në moçalishtën prapa shkorretit, pati shtim të insekteve. Në resort ia behën ca miza trupvogla, jeshile si zhapini dhe të bezdisshme si mushkonjat. Sado u përdorën insekticide, këto xanxare nuk u shfarosën. Ahere Xhoni përdori një marifet që, ndoshta-ndoshta, e kishte parë përtej oqeanit. Në disa nga drurët që rrethonin platformën e madhe, ai lidhi tabakë polisteroli, të cilët i kishte prerë në format katërkëndëshi. Duke qenë porozë, me t’u kaluar furçën me mjaltë, hojet e tyre mbusheshin si pitet e koshereve. Se ç’ndodhte pastaj me mizat jeshile, merret me mend.

Telashi i verës së tretë qe krejt i paparashikuar. Në pranverë moti mbajti mirë, prandaj gjysma e platformës (prej saj vinte fitimi) u zu shpejt nga frekuentuesit. Për ta rritur klientelën, Majkëlli ftoi një grup muzikor, që sapo kishte publikuar albumin e ri. Dhe, vërtet, rritje pati. Por nga fundi i Qershorit dhe javën e parë të Korrikut, aq e menjëhershme qe rënia, sa platforma pothuaj u zbraz. Duke menduar se përsëritja kishte krijuar monotoninë e saj, Majkëlli e ndërroi grupin muzikor, duke ftuar një këngëtar edhe më të famshëm. Por kësaj here nuk pati asnjë efekt.

Si shpjegohej ky mister i çuditshëm, përse u braktis resorti? Çfarë bënin njerëzit në këto mbrëmje zagushie, kur edhe muret e shtëpive vetëm pas mesnatës çliroheshin nga vapa e ditës? U mor vesh se, duke mbllaçitur çamçakëz ose duke ngrënë patatina, nënshtetasit rrinin para televizorit dhe ndiqnin gjithë sy e veshë emisionet politike. Sido ta lëvizje telekomandën, ngado gjeje intervista, analiza, inserte, komente dhe debate të tendosura.

Në resort nuk mungonin aparaturat, as interneti WI-Fi, as një monitor i madh në platformë. Ahere përse kjo zbaticë e klientelës?! Mbasi e vrau mendjen gjatë, Majkëlli arriti në përfundimin se telashi mund të kapërcehej vetëm me ndonjë zgjidhje tërësisht të veçantë. Dhe origjinaliteti i tij u shpërblye. Ai hoqi dorë nga grupet muzikore. Në mes të platformës, në podiumin e ngritur të orkestrës, tani zunë vend katër qytetarë, tre si diskutantë të ftuar, i katërti me detyrën e moderatorit. Po natën që nisën debatin politik, u përhap edhe lajmi i kësaj risie. Pa u mbushur java, në resort vërshuan frekuentuesit.

Kuptohet vetiu cili fjalor zotëronte mes debatuesve. Kështu që, për shembull, nëse mungonin fjalët dashuri apo erë, dëgjoheshin shpesh parti dhe karrierë. Duke gjetur kënaqësi, klientët hanin e pinin, pa i numëruar krikllat e birrës dhe pjatancat e menysë me nëntë faqe ushqimore.

Për ta ndjekur debatin nga afër, Xhoni e la qoshkun dhe zgjodhi një tryezë pranë podiumit. Veçse gjithnjë, ende pa rënë muzgu, i përkushtohej punës së tij. Me një tas në njërën dorë dhe furçën në tjetrën, mbushte hojet e atyre tabakëve, si pitet e koshereve. Tashmë atij i kishin ardhur në majë të hundës gatimet e kuzhinës, prandaj pinte vetëm black whiski dhe përtypte stika. Por duke afruar qerpikët, për ta përqendëruar shikimin, sytë nuk i shqiste nga podiumi. Njëherë, kur Majkëlli e pyeti se ç’ishte gjithë kjo tërheqje e tij ndaj panelit, Xhon Bidalla zgjati krahun nga debatuesit e tha: “Ata janë mjalti.” Pastaj e ktheu krahun nga klientët, por duke përfshirë edhe veten, shtoi menjëherë: “Ndërsa ne jemi mizat.” Me gjasë edhe këtë replikë, e cila i ndihu t’i vinte përgjigjes pikë, e kishte psonisur në Amerikë.

Për t’i dalë përpara rrezikut të monotonisë, Majkëlli bleu disa maska, në mënyrë që protagonistët e panelit të mos dukeshin gjithnjë të njëjtët. Kjo metamorfozë e rriti harenë e klientëve qejflinj, të cilët tashmë shpallën me ngulm një kërkesë. Ata dëshironin që edhe vetë të bëheshin pjesëmarrës në debate. Secili prej tyre, sado nga zanati magazinier, fermer, infermier, thjesht berber a biçiklist, me t’u gjendur në panelin e debatit, mbahej analist. Prandaj, kur niseshin drejt resortit, klientët nuk harronin të merrnin maskat e parapëlqyera, të cilat prej zellit i siguronin vetë. Trajtat e tyre herë ishin fytyra anonime, herë u shembëllenin njerëzve publikë. Ja përse, natë pas nate nuk mungonin liderë të forcave politike, deputetë e ministra, publicistë dhe gazetarë të njohur, shkrimtarë e artistë me tituj, por edhe figura të spikatura nga elita e shoqërisë civile. Pak nga pak, siç ndaheshin krahët në panel, u grupuan gjithashtu klientët. Duke u ndarë mëdysh, përgjatë platformës u krijua një korridor mes palës së majtë e të djathtë. Për të parandaluar ndonjë kacafytje, e cila mes kokëkrisurve nuk kishte munguar, në atë shteg shkonin e vinin dy truproja me uniforma gri dhe shkopinj gome në brez. Po në këtë kohë, krahas prenotimeve për një natë, nisën abonimet e tryezave për një javë, për dhjetë net, për një muaj rresht. Të tjerë, ende në piskun e mbasditës, linin çdo punë për të kapur një vend sa të mirë.

Në debatin e “Natës Zgjedhore” maskat iu përmbajtën simbolikës së emërtimit. Mirëpo ca nga panelistët, kushedi prej çfarë triumfi ngazëllues, po tregoheshin aq të lirë nga goja, sa edhe organet gjenitale nuk i përmendnin me eufeminë latine, por duke e mbushur gojën me populloren e rrugës. E tepruan sidomos dy prej tyre, ai që mbante në fytyrë maskën me formën e qypit të katundit dhe ai me turirin e derrkucit. Në shenjë zemërimi, zonja me maskën e deles e braktisi në çast panelin. Ndërsa për solidaritet me delen, një panelist opozitar s’e deshi më maskimin. Brof u ngrit më këmbë dhe, mbasi u vetëprezantua me emër, u thirri gojështhururve:

- Të paktën thoni penis! - protestoi ai që quhej Denis.

Moderatori ra në hall dhe kërkoi publicitet. Në monitor u tansmetua një video me gjashtë minuta e gjysmë filmime nga resorti. Kurse më pas nuk pati incidente të tilla. Por duke gjetur arenën për t’u ndeshur, ndërkryerjet e kundërshtarëve nuk u ndalën, madje u bënë më të zjarrta. Fjalorit tipik politik iu shtuan edhe ca aksesorë të karakterit moral, por sidomos psikik: idiot, skizofren, injorant, budalla, trap, burracak, mashtrues, i shitur, hajdut, gënjeshtar, trafikant, PPP-ist, etj. Me PPP-ist disave u shkonte mendja te Partneriteti Publik Privat, disave te Pastrimi i Parave të Pista. Ndoshta analizat me dyqind fjalë bëheshin sërish, sepse po ato përsëriteshin vazhdimisht. Mirëpo pikërisht kufizimi, që e bënte të lehtë komunikimin, e rriste shpejt edhe adrenalinën e dëgjuesve. Përveç ndonjë të qeshure, që shpërthente vetvetishëm në platformë, e gozhduar në tryezat e mbushura kapicë, turma dëgjonte me veshët pipëz. Ndërkaq, lumi më poshtë dhe birra më lart rridhnin vuu e vuu.

Ndodhi që në “Natën Plenare”, kur moti po jepte shenja për t’u prishur dhe në resort ndihej era e shkrumbit, në panel plasi zallamahia. Dymbëdhjetë deputetë të pozitës dhe opozitës po debatonin për distancën nga qendra e resortit deri tek ylli Sirius. Sado që po mbaronte ora e dytë, duke e ndërprerë njëri-tjetrin dhe duke e ngritur zërin kush e kush më lart, nuk po merreshin vesh as për etalonin matës, as për mënyrën e llogaritjes. Në atë zhurmëhëri, kur publiku kishte ngrirë, Majkëlli kërkoi me sy ortakun e tij. Për çudi, s’po e shihte gjëkundi ndanë podiumit. Xhoni ishte mënjanuar në qoshkun e mëparshëm dhe e mbante kokën varur, thua se i merrte erë uiskit të zi, si zakonisht pa kubikë akulli në gotë.

- Një verë kampion kjo e sivjetmja, Xho, me thes po na vijnë paratë! - i foli Majkëlli gjithë humor të mirë.

Tjetri ngriti kokën dhe, si e bëri zap cenin e zhgardhimit të syve, e shtriu vështrimin tutje. Në ajrin e muzgulluar, andej shquhej ende silueta e termocentralit me kërpudhat tallazitëse sipër oxhakëve.

- Po, po, - ia ktheu pastaj, - tregtarët e tymit gjithmonë dalin me fitim.

- Ç’djallin po rrokanis, miku im, ç’është ky paramendim?

- Po them se, tashmë, edhe ne po e shesim shërbimin bashkë me blozën. Nëse mendon ndryshe, broçkullit si të duash vetë, mistër Majkëll. Veçse në fund më thuaj, çfarë po bëhet në atë podium, sipas teje? A nuk po shpërndahet tym gjithashtu?!

- Qepe, - iu kërcënua bosi, - mbylle squpin!

Mirëpo Xhon Bidalla nuk e prishi bidatin e vet. Ai përsëri e vari kokën, sikur gota të mos përmbante pije, por ndonjë lloj droge që ishte mësuar ta merrte me hundë.

Tiranë, Korrik 2019