Letërsi

Privilegji i emigrantit - Nga Ilir Levonja

Vetëm emigrantit i ndodh që
për një vit rresht
të mos i trokasë askush në derë!

Vetëm emigrantit i ndodh që
për disa vite me radhë
të mos e shohë fqinjin
të mos e di - si ky edhe ai përballë
janë apo nuk janë akoma fqinjë
janë apo nuk janë akoma gjallë!

Vetëm emigrantit i ndodh
të luajë
vrapojë
argëtohet
mes një luksi vetmie të pa anë
si në një luginë xhinglash Krishtlindjesh
t’i thote kones njëmijë herë në ditë
të vdes unë për ty
sikur ta ketë
djalë a vajzë!

Vetëm emigrantit i ndodh
të fjaloset me veten
gjerë e gjatë
të shahet sa të doje
madje me zë të lartë!

Vetëm emigrantit i ndodh
ta shikojë se ikja
është një bulevard i shuar në skaj
një gyp fyelli i kulluar e i paqtë
i njomen sytë pa zë
nuk ka kush ta përcjellë në aeroport
të gjithë janë në punë
të gjithë janë të zënë
edhe ai që po drejton mjetin
e bën si punë të dytë
edhe ky që ikën
punën e ndarjes bën.
Ah emigranti
ushtar stacionesh
hamall bagazhesh!

Vetëm emigrantit i ndodh
të ngordhë dhimbjesh e të mos qajë!