Letërsi

Libri i zisë - Nga Ndue Ukaj

Arbnit janë të fortë e tërmetet ua copëtojnë

Një copë zemre në çdo stinë

Por krejt zemrën e kanë më të madhe se toka.

Përditë shkruajnë në librin e zisë

Një fatkeqësi të re. 

Sepse ata janë një tregim përplot dhimbje

Dhe një diell që buzëqesh në çdo mëngjes.

Në librin e zisë

Kanë derdhë shumë gjak

Kanë shkruar për motin e lig

E furtunat kur u mbytën në det.

Dhe sa herë kanë dashtë të dalin në fletën e bardhë

Një termet i ri i ka trishtuar.

Ata i kanë shuar kufijtë mes dhimbjes e gëzimit

Gjatë kanë shtegtuar nëpër detin e pikëllimit

Kanë parë tryezat e tyre të plasaritura

Gotat e verës të thyera

E ullinjte e derdhur përtokë.

E nga Bjeshkët e Nemuna

Shpesh kanë dëgjuar

Gjamë

Ulërimë

E nga deti tërbimi kuçedrash. 

Arbnit hartat e pikëllimit i kanë shqyer moti

Nëpër orët e liga të fatit

Nëpër dete të trazuara të historisë

Kur lundruan me barka plot pikëllim.

Ata zemrat i kanë plot tërmete.

Është Nëntor

Muaji i arbnve.

Ata kanë dëshirë të shtrojnë tryezën e gostisë

Dhe të vishen me madhështinë e Kryezotit

Të cakërrojnë gotat për shëndet dhe një pranverë të re.

Prandaj lutën

Në nëntor nuk duan të hidhërohen

Por moti i lig ka çuar peshë dallgët e detit

E tërmetet kanë rrëzuar muret e pallateve

E kanë zanë plot njerëz brenda.

Por zemrat e tyre i kanë forcuar

Sepse atyre as pesëqind tërmete nuk mund t’ua thyejnë zemrat.

28 Nëntor 2019