Letërsi

Leshi i Gjeneral Lleshit - nga Zija Çela

Ka qenë një kohë kur asnjë gradë tjetër nga ato të ushtrisë, përpos gradës së gjeneralit, nuk njihej në viset përqark Fushës së Kungujve. Por dhe asnjëri nga gjeneralët, që u bënë të famshëm atje, nuk kishte qenë kurrë ushtarak. Për ta fituar gradën e lakmur, nuk kishte rregulla të shkruara, prandaj spaletat s’priteshin nga qeveria, por nga shoqëria. Mjaftonte që dikush të bënte diçka të veçantë, t’i linte përshtypje turmës dhe paskëtaj ose ishin të tjerët që e shpallnin, ose ishte i lirë të vetëshpallej gjeneral.

Historia e kësaj kaste, siç dëshmohet në muzeun vendor, nisi me Lleshin e Gjinin në prag të Luftës së Parë Botërore. E madhe është bota, vendbanimi i tyre vetëm një katund, por në Fushën e Kungujve ka mbetur zakon: mëria mes kundërshtarëve gjithnjë riprodhohet, si të konkurrojë me vetë pjellorinë e tokës. E pra këta zotërinj atje banonin, në Liken. Lleshi jetonte me miraditë e fushës, ndërsa Gjini me ngushticat e malit, në një terren shkëmbor ku shtëpitë rrinin shtrënguar si vezët në shportë. Meqë Lleshin, i cili përveçse trim, kishte toka, kope bagëtish e qese të madhe, e kafshoi edhe qeni i tërbuar e prapëseprapë ia hodhi pa u lagur, një të diel Pashke ata të mëhallës së poshtme e shpallën gjeneral.
Në bark të javës, krejt papandehur, u përhapën fjalë se edhe lart, në shkëmb të thatë, gjenerali nuk mungonte. Hm, cili na qenkësh ky derdimen dhe ç’merita paska për këtë nder?! Fusharakët u bënë të gjithë kureshtarë, derisa e vërteta doli sheshit. Pasi kishte pritur më kot tri ditë, por mëhalla nuk e shpalli, në mesnatën që ndante të mërkurën nga e enjtja, Gjini ia dha vetes gradën pa pritur më gjatë.
Me ta marrë vesh lajmin, Gjenerali i Fushës u bë tym e mjegull. “More, unë vërtet quhem Llesh dhe ai quhet Gjin, por Lleshi e Gjini nuk janë si Jangu e Jungu, që për gjithçka të peshohen në një kandar!”, tha i zemëruar.
Dalëngadalë, vreri që iu mblodh përbrenda, i doli edhe jashtë. Kjo ngjau në bujtinën më të njohur të Likenit, në atë që ndodhej në pazar. Me të kapërcyer pragun e saj, Lleshit iu drodhën qerpikët, thua se i hynë hala në sy. Zuri tavolinën e qoshes, u zdërgja duke hapur bërrylat dhe i thirri shërbestarit:
- Kafexhi, dy kafe të forta! Njërën për qejfin tim, tjetrën çoja atij që ma ka zënë dritën, - dhe tregoi me gisht tavolinën ndanë dritares. - E ka të paguar prej meje, - shtoi me turinjtë e varur një pëllëmbë.
Gjini, që ishte ulur pikërisht në atë tavolinë, e ndjeu erën e sherrit. Duke dashur t’ia ulte hundën, pra t’i kujtonte arsyen qesharake përse e mbante atë gradë, por edhe për t’ia rritur pjacën vetes, pyeti me dinakëri:
- Për hair, Gjenerali i Qenit, pse po e qeras me kafe Gjeneralin e Malit?
Lledhi thartoi fytyrën, por filxhanin e zbrazi deri në fund, duke u menduar. Kur po bëhej gati të dilte dhe të gjithë pandehën se ishte penduar për sherrin që nisi vetë, turfulloi te banaku.
- E di se ti edhe diellin e ndal me fjalë, por unë lëshoj hije pa dalë hiç dielli, - nisi t’ia kthente tjetrit borxhin e përgjigjes. - E ke për sot kafen e parë, të dytën kur të më kesh kumbar!..
Me ndjesinë se tjetri po e shpotiste rëndshëm, duke ia marrë nderin nëpër këmbë, gjeneral Gjin Xhindolli brofi nga vendi dhe fluturimthi çoi dorën në brez. Mirëpo kur pa se Lleshi as me gisht nuk begenisi ta prekte armën e vet, një kobure të hatashme sa një sharrë dore, u shtang nga hutimi. Megjithatë, teksa shemri mori me dalë, si për ta larë faqen në sytë e të pranishmëve, arriti të thoshte:
- Mua nuk ka xhind që ma ul kokën. Dhe e dini pse? Se nuk e njoh frikën!
Megjithatë, pas ditës kur hasmi i bëri atë paralajmërimin e mjegullt të kumbarisë, sa herë zbriste në fushë, Gjini i malit merrte me vete pesë trima. Edhe Lleshin filluan ta shoqëronin dy besnikë. Kur Gjini i bëri trimat tetë, Lleshi i bëri katër, ndërsa kur Gjini e rriti truprojën në dhjetë, Lleshi e ngriti në gjashtë dhe nuk e ndryshoi më numrin e shoqëruesve. Mirëpo kaposhi që kishte dalë nga shporta e vezëve, siç shprehej Lleshi, përsëri nuk vuri mend: filloi të zbriste në pazarin e Likenit me dymbëdhjetë trima. Atëherë, megjithëse kishin shkuar disa muaj qëkurse e kishte kafshuar qeni, u duk se Gjeneralin e Fushës tani po e zinte tërbimi. I hipën ca xanxa që kurrkund s’po e linin rehat. Por, për humbjen e qetësisë, ndoshta e kishte fajin edhe vera përvëluese. Atë mot delet ishin qethur më shpejt, gruri ishte pjekur para kohe, ndërsa pa reshje bari u shkrumbua deri në rrënjë.
Një mbrëmje, bash kur moti u prish, qielli sterronte nga retë dhe kishte nisur fresku, gjenerali vejevinte sa në çardak, sa në oborr. Por s’po u shpëtonte dot atyre fjalëve, që i gjëmonin në veshë: “Mua nuk ka xhind që ma ul kokën. Dhe e dini pse? Se nuk e njoh frikën!” E kuptoi se po e grinte inati i shemrit, atij gjeneralit të shpifur që vetë i frynte puplat në mal. “Kot ta zgjas”, tha me vete, “ndoshta dy gjela mund të këndojnë në një kotec, por dy gjeneralë nuk mund të bëjnë hije në Liken. Ose unë, ose ai!”
Thirri besnikët e tij dhe u tregoi planin që kishte kurdisur. Në fund, u dha urdhër të prerë:
- T’i vini varg si bagëtinë dhe të m’i sillni këtu të lidhur!
Kur njerëzia ra në gjumë të thellë, në mëhallën e epërme u dëgjuan ca trokitje. Gjashtë besnikët e Lleshit ngritën nga dysheku Gjinin, pastaj hynë shtëpi më shtëpi, kërkuan trimat e tij dhe i bashkun të gjithë te rrapi i kishës. Në errësirë, teksa i lidhnin njërin pas tjetrit, i kërcënuan:
- Kush e prek zinxhirin me dorë, vritet në vend! Kurse po nxori zinxhiri një vringëllimë, ju vrasim të gjithëve!
Për ta vënë kurthin në provë, urdhri ishte që në oborrin e gjeneral Lleshit të mos i çonin nga xhadeja me kalldrëm, por t’i binin përmes skërkave të rrëpirës. Sa herë që dikujt i mbetej këmba në boshllëk, përpiqej ta ndalonte krejt karvanin duke thirrur:
- Hapni sytë, burra, se e hëngrëm koqen e plumbit!
- Kujdes, kujdes! - drithërohej tjetri pas tij.
Të gjithë ecnin të tendosur, duke u matur mirë se ku e hidhnin hapin. Por errësira e dendur i pengonte dhe, më tepër se sytë, u ndihmonte goja:
- Avash, avash, - paralajmëronte dikush, - këtu ka ca gropa!
- Po kërciti zinzhiri në gropa, na fluturoi koka, - kujtoheshin të llahtarisur më frikacakët.
Si fjeti një copë herë, gjeneral Lleshi doli në çardak i veshur pingël. Dukej i nginjur me veten, thua se ishte pesha e dheut. Sapo i kishte hequr brisk mjekrës, flokët i kishte shkrifëruar me krehër të lagur, ndërsa në rripin e potureve, përveç kobures së hatashme që i varej në brez si sharrë dore, tani mbante edhe tri bomba.
Kur besnikët ia sollën robërit në oborr, Lleshi lëshoi një thirrje nga çardaku. Me t’ia dëgjuar zërin, gjenerali tjetër ngriti kryet në ballë të karvanit e foli me krenari:
- Nëse do ta njohësh burrërinë time, ma hiq zinxhirin!
- Për çfarë zinxhiri flet, mor burrec?! - ia ktheu gjeneral Lleshi, teksa zbriste shkallët.
Në çast u kollit me ca “khë-khë” dhe barinjtë, që ishin strukur rrëzë mureve, atë shenjë kishin pritur. Oborri llapsi nga drita, sepse u ndezën pishtarët.
Gjin Xhindolli, që besonte me tërë mend se nuk e njihte frikën, prandaj s’mund ta nënshtronte asnjë xhind, tashti s’po u besonte syve. I mahnitur, prekte trupin me dorë. Vërtet, as ai dhe as trimat e tij nuk kishin rreth belit kurrfarë zinxhiri. Mjeti që i kishte lidhur, ishte vetëm një fill, një fill i zakonshëm nga ato të shtëllungave që plakat i tjerrin me furkë.
Gjeneral Lleshi buzëqeshi nën mustakë. Pastaj, për të dëshmuar nderet e të zotit të shtëpisë, nxori kutinë e duhanit, të cilën ia drejtoi serbes, siç sillet një kumbar. Mirepo, me kete rast, i beri dhe pagezimin perfundimtar:
- Bujrum një cigare, Gjeneral i Leshit!.. Është koha për kafen e dytë.

(Nga libri me tregime “Princi i buzeqeshjes”, 2016)