Letërsi

Gjithmonë rastis diçka - Nga Ndue Ukaj

Gjithmonë rastis të shohësh një ëndërr dhe të ëndërrosh diçka tjetër.
Të jesh i magjepsur pas një ikone dhe ta ëndërrosh një ikonë tjetër.
Të rastis të jesh diku dhe të mendosh për një vend tjetër.
Për shembull, të jesh në Romë dhe papritur ta kuptosh
se jo të gjitha rrugët të çojnë kah lumturia.

Apo të jesh në Prishtinë dhe të ëndërrosh një vend të largët ku liria s’ka duhmë politike.
Ose të jesh në një vend të largët dhe ta ëndërrosh Prishtinën me duhmë politike
Gjithmonë rastis të sajosh ide dhe të ngresh piramidën e fjalëve me labirinte të bukura dhe ikona madhështore.
Gjithmonë rastis të realizosh diçka dhe të kërkosh diçka tjetër;
të jesh me dikë dhe të kërkosh dikë tjetër.

Gjithmonë rastis të kërkosh piramidën e lumturisë
dhe të përmbysesh në trekëndëshin e pikëllimit,
kufiri i të cilit rastësisht qëllon të jetë i padukshëm
ku ti pështjellesh si i dehuri që s’e mban drejtpeshimin
dhe sheh si ravijëzohen njerëz që mbajnë letra të bardha në duart e tyre të zeza.
Ata shikojnë qiellin e kaltër
dhe nga xhepat e tyre nxjerrin poezi që bëhen të lexueshme
veç kur ka rrezatim diellor.
Në një mbrëmje kur formësohet koha magjike për mu e për ty.

(Nga libri “Gjithmonë diçka mungon”, OM 2017)